Seyed Ali Alavi është ligjërues për çështje të Lindjes së Mesme dhe iraniane në Universitetin e Londrës.
Ai është edhe autor i librit “Irani dhe Palestina: E kaluara, e tashmja, e ardhmja”, i publikuar më 2019.
Në të trajtohet historia e Teheranit me territoret palestineze.
Alavi ka folur për Shërbimin e Iranit të Radios Evropa e Lirë për lidhjet e Iranit me grupin militant palestinez Hamas, i cili e kontrollon Rripin e Gazës, dhe për mundësinë që Teherani të përfshihet direkt në konfliktin Izrael-Hamas.
Radio Evropa e Lirë: Si e karakterizoni marrëdhënien e Iranit me Hamasin? A është grupi palestinez degë e forcës iraniane?
Seyed Ali Alavi: Ekzistojnë keqkuptime për marrëdhëniet e Hamasit me Iranin. Hamasi, në aspektin ideologjik, është i lidhur me Vëllazërinë Myslimane (me bazë në Egjipt). Ndonëse Republika Islamike e Iranit e mbështet Hamasin në aspektin politik, palët kanë pasur mospajtime të thella gjatë luftës civile siriane, kur Hamasi ka dalë kundër [presidentit Bashar] al-Assad të Sirisë dhe e ka refuzuar iniciativën e Iranit në Siri. Hamasi e mirëpret ndihmën prej çdo shteti që e pranon atë si pjesë të spektrit politik palestinez. Irani e mbështet Hamasin në aspektin politik, pasi ia mundëson Iranit që kështu të shihet si mbështetës i kauzës palestineze.
Radio Evropa e Lirë: Sa është shkalla e mbështetjes së Iranit për Hamasin? Zyrtarët iranianë kanë thënë më parë se shteti ofron mbështetje të madhe për grupin.
Alavi: Irani nuk ka kufij me Gazën apo Bregun Perëndimor [të udhëhequr nga palestinezët]. Mbështetja iraniane duket se është e kufizuar në ndihmë financiare dhe transferim të teknologjisë. Kjo nënkupton se Hamasi pranon më shumë ndihmë financiare dhe politike nga aleatët organikë si Katari dhe Turqia. Prej luftës siriane, Irani e ka kufizuar mbështetjen për Hamasin, pasi të dy kanë pikëpamje tjera kur bëhet fjalë për rajonin, përtej Palestinës dhe Izraelit.
Radio Evropa e Lirë: Ju besoni se përkrahja e Iranit për Hamasin është e kufizuar. Mirëpo ne e dimë se përfaqësuesit e Hamasit dhe Xhihadit Islamik, një tjetri grup militant që operon në Gazë, kanë bërë udhëtime të shpeshta në Iran. A luan rol Teherani në trajnim të këtyre grupeve dhe në planifikim të sulmeve të tyre?
Alavi: Zyrat e Hamasit dhe zyrtarët e tyre politikë janë në Katar dhe ata kryejnë shpesh vizita në Turqi dhe Egjipt, por edhe në Iran. Vizitat diplomatike nuk nënkuptojnë domosdo vërshim të ndihmës logjistike. Gaza ka qenë në bllokadë totale [izraelite] prej vitit 2006 dhe kalimin e vetëm e ka në pikën kufitare Rafah, me Egjiptin.
Izraeli e ka pranuar se forcat e tij kanë kryer qindra sulme kundër aleatëve të Iranit në Siri, prej nisjes së Pranverës Arabe, më 2011. Pavarësisht kësaj, ne nuk kemi qenë dëshmitarë të asnjë përshkallëzimi apo hakmarrjeje iraniane. Ka shumë pak gjasa që do ta shohim Iranin të përfshirë në konfliktin Izrael-Hamas. Përgjigja e Iranit, sikur e shumë shteteve në rajon, do të mbetet retorike dhe diplomatike.
Radio Evropa e Lirë: Ju e përmendet mbështetjen e Turqisë dhe Katarit për Hamasin. Si është marrëdhënia e grupit palestinez me këta dy aktorë rajonalë?
Alvavi: Zyra politike e Hamasit është në Katar dhe Hamasi ka marrëdhënie të natyrshme me Turqinë. Udhëheqja e Hamasit e ka lavdëruar disa herë Turqinë si model për qeverisje në rajon. Për dallim prej Iranit, i cili është nën sanksione të ashpra amerikane, Doha ka kapacitete financiare për ta mbështetur Qeverinë e Hamasit në Gazë. Hamasi ka qenë i afërt me Turqinë edhe në Siri, dhe e sheh veten politikisht më afër Ankarasë, sesa Teheranit. Mbështetja e Iranit do të kufizohet në mbështetje retorike dhe morale.
Radio Evropa e Lirë: Mbështetja e Turqisë dhe Katarit për Hamasin besohet se është kryesisht politike dhe financiare. Atëherë, prej ku i merr Hamasi armët?
Alavi: Mbështetja më e rëndësishme për Hamasin është ajo financiare. Mbështetja financiare mund të transferohet edhe në sektorë tjerë, përfshirë ushtrinë. Irani nuk ka as kapacitet, dhe as apetit, për të ofruar ndihmë të asaj shkalle.
Radio Evropa e Lirë: Ju i përmendet mospajtimet e Iranit me Hamasin, përfshirë refuzimin e grupit palestinez për ta mbështetur Assadin, aleatin kryesor të Teheranit, gjatë luftës civile siriane. A është zbehur ndihma e Iranit për Hamasin?
Alavi: Hamasi nuk është entitet homogjen. Ekzistojnë dallime brenda Hamasit. Nuk ka konfirmime se çfarë ndihme e ka pranuar Hamasi nga Irani në dekadat e fundit. Derisa Katari dhe Turqia kanë qasje në tregjet financiare globale, e njëjta gjë nuk vlen për Iranin dhe mbështetja e tij financiare duket se është shumë më e kufizuar. Retorika e zëshme iraniane në mbështetje të kauzës palestineze dhe armiqësia e [kryeministrit izraelit Benjamin] Netanyahu [kundrejt Teheranit] hedh dritë mbi Iranin, më shumë sesa mbi shtetet tjera në rajon.
Radio Evropa e Lirë: A i kanë përmirësuar marrëdhëniet Hamasi dhe Irani?
Alavi: Hamasi e ka politikën e jashtme autonome, që është e bazuar në ideologjinë e vet dhe interesin kombëtar. Politikisht, Hamasi është përleshur me Iranin për Sirinë dhe publikisht ka dalë afër Turqisë, kundër Assadit dhe kundër Iranit. Duke e pasur parasysh këtë, Hamasi ka nevojë për mbështetje politike në skenën globale. Megjithatë, udhëheqja e tij ka tentuar t’i përmirësojë marrëdhëniet me Iranin. Pra, kjo është pyetje e hapur se deri në çfarë mase mund të përmirësohen lidhjet e Hamasit me Iranin.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ekziston rrezik që konflikti Izrael-Hamas të zgjerohet në Lindje të Mesme, dhe që aty të përfshihet Irani?
Alavi: Në fjalimin e tij të fundit, lideri suprem i Iranit e ka mohuar se Irani është i përfshirë në luftë. Ayatollah Khamenei as nuk e ka përmendur emrin e Hamasit. Mirëpo e ka përsëritur mbështetjen morale të Iranit për palestinezët. Irani nuk ka gatishmëri për t’u përfshirë drejtpërdrejt në konflikte rajonale përtej kufijve të tij. Teherani e ka pasur këtë politikë kur talibanët afganë e kanë marrë kontrollin e Kabulit më 2021, kur Azerbajxhani dhe Armenia kanë luftuar, më 2020, dhe 2023. Është shumë e rëndësishme që të analizohet historia e konfliktit palestinez dhe të mos fajësohen lojtarët rajonalë apo ndërkombëtarë për tragjedinë e fundit./rel