Renditja e kompanive më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor, “Monitor 200”, për vitin 2022. Rritja e të ardhurave është e shpejtë për shumë sipërmarrje, por më shumë sesa rrjedhojë e përmirësimit të aktivitetit dhe investimit në teknologji, ka ardhur nga shtrenjtimi i çmimeve. Ngadalësimi i ekonomisë pas krizave të pandemisë dhe çmimeve veçse sa nxori dhe më shumë në pah dhe thelloi dobësitë e ekonomisë shqiptare: varësi e lartë nga importet, ekonomi jokonkurruese, produktivitet i ulët. Sipërmarrjet në industri po vuajnë nga kostot e larta dhe zhvlerësimi i Euros, duke dalë gjithnjë e më shumë nga renditja. Edhe industria mbështetëse automotive, e vetmja që po gjente terren, po shfaq probleme dhe shenja ngadalësimi. Tregtimi i energjisë është “ndërtimi” i ri, por dhe ky i fundit, si gjithmonë, nuk ndalet, sidomos ai rezidencial. Ndryshimet demografike dhe emigracioni po shkaktojnë zhbalancime të mëdha në tregun e punës, që vetëm sa vijnë e thellohen shkruan Ornela Liperi në Monitor.
Nëse ka një mënyrë të mirë për të nxjerrë në pah dobësitë e një ekonomie është kriza. Depresioni i madh i 1929-1939, – kur globi përjetoi rënie të fortë në punësim, prodhim industrial e sidomos bujqësor, tregti dhe të ardhura, – filloi nga tkurrja e shpenzimeve dhe ekspozoi dobësitë në politikat monetare, koordinimin mes shteteve dhe standardin e arit.
Zhvillimi i dot.com në fillim të viteve ‘90, i nxitur nga rritja masive e përdorimit të internetit, kaloi në flluskë brenda një dekade, që tregoi se në fakt këto kompani ishin të mbivlerësuara.
Kriza financiare e vitit 2008, që shkaktoi recesion global, tregoi dobësitë në sistemin rregullator dhe mbikëqyrës financiar.
Pandemia nxori në pah problematikën e sistemeve shëndetësore, zinxhirëve globalë të furnizimit, e kështu me radhë, shembujt janë të pafund.
Ekonomia shqiptare është shumë më pak e strukturuar sesa ajo globale për vetë historinë e trashëgimisë së saj nga centralizimi socialist.
Por, nëse tri dekada janë të mjaftueshme për të krijuar një ide të modelit ku ajo po ecën, realisht është një ecuri rastësore, e orientuar më shumë nga intuita e vetë bizneseve, sesa një zhvillim i qëndrueshëm, i bazuar në politika të qarta institucionale, që do të nxiste konkurrueshmërinë dhe inovacionin.
Dy krizat, ajo e pandemisë dhe e çmimeve të larta të shkaktuara nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, vetëm sa nxorën më shumë në pah dobësitë strukturore të ekonomisë vendase:
-varësia e lartë nga importet; konkurrueshmëria e ulët e industrisë përpunuese që u bë dhe më e brishtë ndaj importeve;
-niveli i ulët i sofistikimit dhe vlera e ulët e shtuar e eksportuesve, që i bëri ata më të brishtë ndaj luhatjeve të monedhave;
-orientimi drejt industrive joproduktive si ndërtimi, që nuk bën asgjë për të ndihmuar në raste krizash;
-investimet e pakta në teknologjinë e informacionit, që mund të shërbenin si amortizator;
-ekonomia informale, që është aq e lartë saqë arrin të zhbalancojë të gjithë treguesit ekonomikë!
Rezultati më i dukshëm i kësaj ekonomie është korrelacioni i zhdrejtë mes rritjes ekonomike dhe të ardhurave e varfërisë.
Ndonëse rënia në pandemi ishte më e ulët se parashikimet (-3.3%) dhe rimëkëmbja ishte nga më të shpejtat në rajon, vendi sërish vijon të ketë varfëri të lartë dhe të ardhurat ndër më të ulëtat për frymë në Europë.
Treguesi i të ardhurave për frymë, në raport me mesataren europiane, ka ngecur në vite në 32-33%, më i ulëti në Europë, përveç Kosovës, Moldavisë e Ukrainës.
Në vitin 2022, ekonomia u rrit me 4.9%, pas një rimëkëmbjeje të shpejtë prej gati 9% në vitin 2021. Por, rritja u nxit në pjesën më të madhe nga lulëzimi i aktivitetit të pasurive të paluajtshme, e ndërtimi.
Kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik ndikoi në rimëkëmbjen e konsumit, duke amortizuar tkurrjen e tij si rrjedhojë e emigracionit të lartë.
Viti 2022 shënoi dhe nivelin më të lartë të inflacionit, që nga 1998-a, me 6.2% mesatarisht, që kulmoi në tetor në 8.3%, një reflektim i pasojave globale të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.
Të ndihmuara nga çmimet e larta, pjesa më e madhe e bizneseve të mëdha në vend raportuan rritje dyshifrore të qarkullimit vjetor.
Xhiro e 200 kompanive më të mëdha në vend, në vitin 2022, në renditjen e përvitshme të “Monitor 200” ishte 1.5 trilionë lekë (rreth 13 miliardë euro), me rritje prej 24% në raport me 200 më të mëdhatë në vitin 2021.
Por, kjo rritje, më shumë se një ndihmë ishte një telash për shumë kompani, që u përballën në kahun tjetër me shtim të kostove, apo me një reagim të konsumatorëve, që ulën blerjet dhe u fokusuan në mallrat e domosdoshme.
Ekonomia vijoi të vuajë pasojat e modelit ekonomik të paqëndrueshëm, i cili ka krijuar mjedis jokonkurrues, në shumë raste favorizues për një pakicë, pak investime në teknologji e orientim nga importi, mungesë të investimeve të huaja cilësore dhe vlerë të shtuar të ulët e pagat më minimale në Europë.
Emigracioni, sa vjen e po bëhet një faktor gjithnjë e më pengues. Mungesa e fuqisë punëtore, e kualifikuar dhe e pakualifikuar, po kthehet në një pengesë reale të bizneseve, si për projektet e tyre të zgjerimit, edhe në përmirësimin e produktivitetit, teksa presioni për rritjen e pagave është i lartë, duke shtuar shpenzimet, pa ndikim real tek eficienca e ndërmarrjeve.
Problematika që u thellua nga krizat
Dy krizat, ajo e pandemisë dhe e çmimeve të larta të shkaktuara nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vetëm sa nxorën më shumë në pah dobësitë strukturore të ekonomisë vendase: varësia e lartë nga importet; konkurrueshmëria e ulët e industrisë përpunuese që u bë dhe më e brishtë ndaj importeve; niveli i ulët i sofistikimit dhe vlera e ulët e shtuar e eksportuesve, që i bëri ata më të brishtë ndaj luhatjeve të monedhave; orientimi drejt industrive joproduktive si ndërtimi, që nuk bën asgjë për të ndihmuar në raste krizash; investimet e pakta në teknologjinë e informacionit, që mund të shërbenin si amortizator; si dhe ekonomia informale, që është aq e lartë saqë arrin të zhbalancojë të gjithë treguesit ekonomikë!
Qeveria, me indiferencën e vet ndaj këtij fenomeni, nuk po ndihmon aspak, madje shpesh vë shkopinj në rrota me lëvizje të pastudiuara që nuk lidhen me ekonominë reale, si rritja e pagave me urdhër administrativ.
Modeli i promovuar i koncesioneve, që po rezultojnë në pjesën më të madhe korruptive, dhe shpërdorimi i parave të taksapaguesve po “demoralizon” sipërmarrjet që përballen me konkurrencë të padrejtë dhe mjedis të vështirë për të bërë biznes, siç është deklaruar hapur së fundmi nga shoqatat e investitorëve të huaj, që janë matësi më i drejtë i potencialit ekonomik në vend.
Edhe në vitin 2022, në renditjen e 200 më të mëdhave, mbizotërojnë sipërmarrjet tregtuese e shpërndarëse, që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal. Ato vetëm faturojnë e rrisin artificialisht xhiron e ekonomisë dhe kanë një normë fitimi tepër të ulët.
Vetëm një duzinë kompanish kanë aktivitet në industrinë përpunuese.
Eksportuesit po vuajnë rënien e Euros, që u ka ulur të ardhurat në monedhën vendase, duke dalë nga lista e të mëdhenjve.
Industria mbështetëse e prodhimit të pjesëve të automjeteve, e vetmja që po tërhiqte investime dhe kishte ecuri të mirë deri në vitin 2022, në pjesën e parë të vitit 2023 u dorëzua, duke ngadalësuar rritjen.
Sipërmarrjet e tregtimit të karburanteve, me shumicë e pakicë, mbizotërojnë në renditjen e “Monitor 200”.
Distributorët, që në pjesën më të madhe financojnë importin, sërish zënë një vend kryesor. Sipërmarrje të tjera kanë thjesht aktivitet tregtar.
Ndërtimi, sidomos ai rezidencial, po vazhdon rritjen.
Rritja ishte e shpejtë për të gjithë sektorët në vitin 2022, e udhëhequr nga tregtimi i karburanteve dhe energjisë, të dyja të ndikuara nga shtrenjtimi i fortë i çmimeve përkatëse.
Sektori i ndërtimit po vijon ciklin e zgjerimit të nisur pak vite më parë, i udhëhequr më shumë nga pasuritë e paluajtshme, teksa ndërtimet industriale u stepën disi për shkak të shtimit të kostove.
Një ecuri pozitive është orientimi i një pjese të kompanive në turizëm, ku krahas fshatrave turistikë, po ngrihen edhe struktura hoteliere me 5 yje, të nxitura nga statusi i investitorit strategjik.
Tregtimi i energjisë është bërë “ndërtimi i ri” dhe po josh bizneset, për shkak të nivelit të ulët të investimit fillestar dhe qarkullimit të shpejtë të parasë.
Rritja e tij u nxit dhe nga nevoja për më shumë importe, ndërsa shtrenjtimi i çmimeve në bursa i katapultoi ata në sipërmarrjet më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor.
Nga 200 sipërmarrjet më të mëdha, sipas qarkullimit vjetor, 83% e tyre raportuan rritje të xhiros. Për 63% të sipërmarrjeve të renditura në “Monitor 200”, zgjerimi ishte dyshifror.
Vetëm 17% e kompanive deklaruan rënie të të ardhurave në vitin 2022, në raport me vitin e mëparshëm.
Kufiri i qarkullimit vjetor i subjekteve që kanë hyrë tek 200 më të mëdhenjtë, është rreth 2 miliardë lekë, nga 1.9 miliardë lekë vitin e mëparshëm.
Tipike në renditjen e të mëdhenjve janë kompanitë që deklarojnë xhiro të lartë vjetore, por kanë shumë pak punonjës.
P.sh., në renditjen e 10 më të mëdhave janë të paktën tre shoqëri që raportojnë të ardhura mbi 25 miliardë lekë (rreth 240 milionë euro), por kanë më pak se 50 të punësuar.
Më shumë sesa një revolucion teknologjik, kjo lidhet me llojin e aktivitetit tregtar, që qarkullon shuma të mëdha nëpërmjet aktivitetit të shitblerjes, por realisht ka ndikim të ulët në vlerën e shtuar të ekonomisë dhe punësim.
“Monitor 200” ka hartuar, si çdo vit, renditjen e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, bazuar në listën me emra nga Tatimet dhe xhirot e deklaruara nga subjektet, në bilancet e dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe të dhënave nga vetë kompanitë, të cilat nuk e kanë dorëzuar ende bilancin në QKB.
Në numër mbizotërojnë subjektet me aktivitet në fushën e tregtisë, të ndjekura nga ndërtimi, financa, nafta, industria përpunuese.
10 KOMPANITË MË TË MËDHA NË VEND
1.“Kastrati Group”
Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë, “Kastrati Group”, është ngjitur në vendin e parë në listën e “Monitor 200”, që i rendit sipërmarrjet sipas të ardhurave vjetore. Shoqëria raportoi 93.2 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rritje të fortë prej 50.7%, në vitin 2022, duke u bërë e para që i afrohet një kufiri prej gati 100 miliardë lekësh (rreth 1 miliard euro).
Por, ky zgjerim ka ardhur si rrjedhojë e shtrenjtimit të çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare, nga mesatarisht 170-180 lekë në 2021, në 220-230 lekë në vitin 2022 (çmimi i tregtimit me pakicë).
Vitet e fundit, grupi “Kastrati” është diversifikuar edhe në ndërtim e hoteleri, si dhe me një seri projektesh në infrastrukturë (port, aeroport dhe autostrada).
2.“OSHEE Group”
Nga viti 2020, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), kompania më e madhe në vend, në pronësi publike, u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare, duke pasur në pronësi tri shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).
Të tria kompanitë kanë filluar të operojnë si të veçanta nga 1 janari 2020, pas ndarjes së funksioneve.
Të tria shoqëritë figurojnë në listën e 10 më të mëdhave sipas qarkullimit vjetor, por xhiro e tyre është e dubluar, për shkak të veprimeve me njëra-tjetrën.
Sipas të dhënave zyrtare të “OSHEE Group”, qarkullimi vjetor i të tria kompanive, duke netuar vlerat e të ardhurave nga aktiviteti i shoqërive brenda grupit ishte 73.3 miliardë lekë në vitin 2022, duke u renditur në sipërmarrjen e dytë më të madhe në vend, me rritje 14% në raport me vitin e mëparshëm.
Administratori i OSHEE Group, zoti Enea Karakaçi, pohon se “të dhënat e deritanishme flasin për një performancë pozitive, të paktën në treguesit bazë, siç janë niveli i arkëtimeve dhe reduktimi i humbjeve. Janë këto zëra që matin punën tonë, pa anashkaluar indikatorët e tjerë si ata të cilësisë e furnizimit me energji elektrike apo të faturimit të energjisë.
Humbjet kanë vijuar trendin rënës, duke zbritur në 19%, kjo falë mirëorganizimit të grupeve në terren, luftës pa kompromis kundër abuzuesve të energjisë elektrike, duke sjellë, nga ana tjetër, rritje të faturimit”.
Z.Karakaçi shton se edhe 2023 ka pasur ecuri pozitive. OSHEE Grup parashikon të mbyllë vitin financiar 2023 me një fitim mbi 2.5 miliardë lekë.
Ndikim kanë dhënë disa faktorë, veç uljes së humbjeve apo arkëtimeve në rritje, por edhe zëra si: ulja e “shpenzimeve operative” me 20%, reduktimi i shpenzimeve për blerje energjie, etj.
3.GSA
GSA, me aktivitet në tregtimin e energjisë dhe të ferrokromit, është renditur për të dytin vit radhazi në renditjen e 10 më të mëdhave të “Monitor 200”, duke u ngjitur në vend të tretë.
Të ardhurat e kompanisë u rritën me 126%, duke arritur në gati 50 miliardë lekë në vitin 2022, sipas të dhënave nga Tatimet, teksa kompania nuk e ka dorëzuar ende bilancin e vitit 2022.
Sipas raportit të aktivitetit të vitit 2021, shoqëria është e fokusuar në tregtimin e energjisë elektrike, që sjell pjesën më të madhe të të ardhurave, si dhe në shitjen e ferrokromit.
Rritja e lartë e vitit 2022 është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.
4.“Kurum International”
“Kurum International”, me aktivitet në prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit dhe energji vijoi rritjen në vitin 2022, e ndikuar nga koniunktura e favorshme e çmimeve ndërkombëtare, duke u renditur e katërta, një pozicion më poshtë se vitin e kaluar.
Në vitin 2022, qarkullimi vjetor arriti në 46.2 miliardë lekë, me zgjerim 10.5%, i ndihmuar si nga rikuperimi i fortë i kërkesës, edhe nga rritja e çmimeve të metaleve në tregjet ndërkombëtare, por edhe nga shtrenjtimi i energjisë elektrike.
Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria, gjatë vitit 2022 ka vijuar aktivitetin në të gjithë sektorët e prodhimit, përfshirë prodhimin e prokateve të çelikut në fabrikën e çelikut (224,541 tonë prokate çeliku), prodhimin e shufrave të çelikut në fabrikën e petëzimit (243,095 tonë shufra çeliku), prodhimin e gëlqeres në fabrikën e gëlqeres, si dhe prodhimin e energjisë elektrike në 4 HEC-et në pronësi të saj.
HEC-et kanë prodhuar rreth 350 milionë KW, nga të cilat, rreth 195 milionë KW shkuan për shitje dhe pjesa tjetër për përdorim në fabrikën e Elbasanit.
Sipas të dhënave në bilanc, gati 70% e të ardhurave ishin nga aktiviteti kryesor (nga shitja e hekurit dhe nënprodukteve të tij) dhe pjesa tjetër, nga prodhimi i energjisë e aktivitetet e tjera.
Në 30 qershor 2017, Shoqëria u bë pjesë e një plani riorganizimi 7-vjeçar, sipas të cilit u riskedulua dhe miratua plani i pagesave ndaj kreditorëve.
Sipas vlerësimeve të bëra, në total janë shlyer rreth 75 milionë euro në principale dhe rreth 4 milionë euro interesa ndaj kreditorëve.
5.“Gega Oil Group”
“Gega Oil Group” (ish-“Genklaudis SH.A.”) u rendit në vitin 2022, si operatori i dytë më i madh i naftës në vend, pas “Kastrati Group” për të pestin vit radhazi.
Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 44.3 miliardë lekësh, me rritje me 23% me bazë vjetore, e ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve të naftës e derivativave të saj, ndërsa sasitë e tregtuara janë ulur.
Sipas raportit të aktivitetit, “gjatë vitit 2022, shoqëria ‘Gega Oil Group SHA’ ka ulur aktivitetin e vet në tregtimin me shumicë të produktit diesel dhe benzinë, për shkak edhe të rritjeve të çmimeve të karburanteve në bursë dhe të kërkesave më të pakta të klientëve, për shkak të kësaj krize në rritje. Shitjet për vitin 2022 gjithsej janë:
Diesel në sasinë 296.5 milionë litra dhe benzinë, në sasinë 28 milionë litra.
Shoqëria ka kryer investime në zonën energjetike Porto Romano, Durrës, dhe ka shtuar kapacitetin depozitues ekzistues për produktet që tregton. Gjatë vitit 2022, numri mesatar i klientëve aktivë ka qenë rreth 1,500, ndërsa numri i furnitorëve, rreth 70”.
6.“Ener Trade”
“Ener Trade”, pjesë e “Gjonaj Group Holdings”, me aktivitet në fushën e tregtimit privat të energjisë elektrike, ka hyrë për herë të parë në listën e 10 më të mëdhave në vend, sipas të ardhurave.
Kompania deklaroi një xhiro prej 42.7 miliardë lekësh, me rritje të fortë prej 145%, e ndikuar nga shtrenjtimi në bursa i çmimeve të energjisë.
Të ardhurat e kompanisë reflektojnë aktivitetin e saj në Shqipëri dhe në vende të tjera të rajonit.
Marin Gjonaj, themeluesi i “Gjonaj Group”, pohon se “Ener Trade” nuk ka aktivitet vetëm në Shqipëri, por është kthyer në një tregtues të mirëfilltë të energjisë elektrike në Europën Lindore, duke marrë statusin e një tregtuesi rajonal të energjisë elektrike me shumicë, me prani në të gjitha bursat e energjisë elektrike, nga Hungaria deri në Greqi.
7.KESH
“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a. KESH)” renditet për të dytin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhave. Në vitin 2022, të ardhurat u rritën me 256%, në 35.6 miliardë lekë, sipas të dhënave ende të paaudituara, të raportuara nga vetë KESH.
Ndonëse të ardhurat u rritën ndjeshëm, aktiviteti i ekonominë nuk ka qenë aq pozitiv, me humbjet që arritën gati 27 miliardë lekë, teksa operatori shtetëror i prodhimit të energjisë u detyrua ta blinte shtrenjtë energjinë në bursa, për të kompensuar rënien e prodhimit nga moti i pafavorshëm dhe mbulimin e humbjeve.
Ergys Verdho, Administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, pohon se “viti 2022, paraqiti një vit të vështirë në aspektin hidrik, i cili, i shoqëruar me situatën atipike të tregjeve të energjisë, për shkak të faktorëve gjeopolitikë në Europë, solli për KESH sh.a. rrezikun e ekspozimit të menjëhershëm në kosto të shtuara dhe të paparashikueshme”.
Sasia e energjisë e importuar në vitin 2022 ishte 1,467,734 MWh, me çmim mesatar importi 305.48 euro/MWh.
“Sfidat e vitit 2022 ishin të lidhura me njëra-tjetrën dhe kryesisht u përmblodhën në atë të sigurimit të energjisë elektrike me kosto optimale, për të realizuar furnizimin me energji brenda vendit, pa ndikuar në prekjen e çmimit fundor për konsumatorët”, shton z. Verdho.
8. “INFO-Telecom”
“INFO-Telecom”, pjesë e “Gjonaj Group Holdings”, që ofron shërbime dhe aplikacione telekomunikacioni ndërkombëtare me shumicë te më shumë se 350 operatorë celularë në shtete të ndryshme në të gjithë botën, raportoi të ardhura prej 28.4 miliardë lekësh, me zgjerim prej 41% në krahasim me vitin e mëparshëm. (nga të ardhurat është zbritur autofaturimi).
Sipas raportit vjetor, 66% e të ardhurave ishte nga shitja e shërbimeve të komunikimeve elektronike jashtë Shqipërisë (eksport), ndërsa 33% erdhi nga aktiviteti i shitblerjes së energjisë elektrike.
Marin Gjonaj, themeluesi i “Gjonaj Group”, këtë vit me dy hyrje në 10 më të mëdhatë, pohon se “INFO-Telecom” është diversifikuar, duke shtuar shërbimet në operatorët celularë në botë, si SS7 Roaming and Hubbing, Sisteme Omnichannel/Firewalls, dhe shërbimet e terminimit të thirrjeve apo SMS konfirmuese midis shumë shteteve të botës.
Këto shërbime dhe aplikacione zhvillohen nga programues ekskluzivisht në Shqipëri dhe shiten jashtë. 99% e blerjeve apo të shitjeve janë vetëm me Operatorë Celularë në botë.
9.“Bankers Petroleum”
“Bankers Petroleum”, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos-Marinzën, raportoi të ardhura rreth 26.8 miliardë lekë, me rritje prej 19.1% me bazë vjetore, sipas burimeve të saj zyrtare (bilanci në QKB nuk është dorëzuar ende).
Huanqin Xiao, CEO i “Bankers Petroleum Albania”, pohon se në vitin 2022, industria e naftës shënoi ecuri të luhatshme. Te “Bankers Petroleum”, prodhimi mesatar i naftës arriti në 9,267.1 fuçi naftë në ditë.
“Në fund të tremujorit të katërt, kishim 400 puse prodhimi të naftës në fushën e naftës së Patos-Marinzës.
Në total, ‘Bankers’ prodhoi 540 mijë tonë në vitin 2022”.
10.“Big Market”
“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, për herë të katërt është klasifikuar ndër 10 më të mëdhatë, sipas qarkullimit vjetor të konsoliduar për të gjithë rrjetin.
Të ardhurat e kompanisë, sipas të dhënave zyrtare, ishin 24.5 miliardë lekë, me rritje prej 16% në krahasim me vitin e kaluar.
Burime zyrtare nga kompania thanë se në vitin 2022 “Big Market” hapi 13 dyqane të reja, ndërsa në fokus ka nxitjen e ekonomisë lokale dhe mbështetjen e prodhimit vendas.
Investimet në rrjet janë të orientuar në mënyrë strategjike drejt zgjerimit dhe përshtatjes së teknologjisë së fundit.
/Monitor.al/