Nga Boldnews.al
Në muajin mars 2023, BoldNews.al publikoi ekskluzivisht një investigim për akomodimin e mjekëve të Spitalit Memorial në Fier. Ne e quajtëm “çmenduri”, pasi në një kohë që mjekët shqiptarë po largohen nga vendi për shkak të rrogave, shteti shqiptar hapi tender 1.2 milionë euro vetëm për fjetjen e mjekëve turq në Spitalit “Memorial të Fierit”, një “dhuratë” e Erdoganit për Ramën në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Pas këtij publikimi, opozita e denoncoi këtë tender tepër të fryrë, pasi për të njëjtin objekt një vit më parë ishin paguar rreth 350 mijë euro. Ndërkohë, vetëm disa muaj më pas, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka urdhëruar vartësit e saj të Spitalit “Memorial” që të anulojnë këtë procedurë. Në fakt, ministres i është “tërhequr veshi” dhe i vetmi që mund t’ia bëjë këtë është padyshim kryeministri Edi Rama. Ajo ka bërë një “mea culpa” dhe ka urdhëruar që procedura të bëhet nga e para.
Sipas dokumenteve që disponon redaksia, Spitali Rajonal Memorial i Fierit ka hapur një tjetër procedurë të ngjashme me atë që shpalli në muajin mars 2023. Kësaj here objekti i procedurës së prokurimit është “shërbim akomodimi personeli turk”, teksa autoriteti kontraktues është Spitali Rajonal “Memorial” Fier. Fondi limit i kësaj procedure është 39.592.000 lekë, ose e koncertuar në euro në rreth 400 mijë.
Kjo shumë e re është sa 1\3 e tenderit të mëparshëm, i cili ishte plot 1.2 milionë euro. Një shifër e fryrë, e cila u anulua për shkak se u bë publike. Në mars, BoldNews.al publikoi dokumentet e tenderit të hapur nga i njëjti institucion, drejtuesit e të cilit janë emëruar nga Tirana, konkretisht nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Në atë kohë, tenderi ishte me objekt “shërbim hotelerie – akomodimi”. Fondi limit i kësaj procedure ishte 121.453.283 lekë, ose plot 1.2 milionë euro. “Me kaq para’, mund të bëhej dhe ndërtohej një hotel në afërsi të atij spitali. Megjithatë, tashmë të shpresojmë që të paktën të rritet cilësia në shërbime në atë spital, të cilit i kanë munguar një mori ekzaminimesh apo edhe medikamentesh” shkruante redaksia jonë në atë kohë.
“Çmenduria”, 1.2 mln € për dhomat e hoteleve të mjekëve turq të Spitalit të Fierit
Në foto: Investigimi i BoldNews.al, i datës 8 mars 2023, ku Spitali Memorial Fier hapi tenderin 1.2 milionë euro
Titulli i investigimit ishte “Çmenduria, 1.2 mln € për dhomat e hoteleve të mjekëve turq të Spitalit të Fierit”. Megjithëse u konsiderua “dhuratë” nga Erdogani dhe se në atë spital do të punonin edhe personel nga Turqia, shpenzimet për të gjithë benefitet e tyre po përballohen nga buxheti i varfër i shtetit shqiptar. “Vit pas viti, faturat e hoteleve për turqit po shtrenjtohen, ku nga një krahasim me vitin 2022 rezulton se çmimi është dhjetëfishuar. Krahas hoteleve, mjekët turq marrin edhe rroga pesë apo dhjetëfish më të mëdha se shqiptarët, duke detyruar edhe këta të fundit që të emigrojnë në Gjermani. Por atje, nuk ua paguan shteti gjerman hotelin dhe ngrënien, por nga rroga e tyre” vijonte investigimi,
BoldNews.al ka denoncuar edhe në vitin 2022 një procedurë të ngjashme. Në atë kohë, redaksia investigoi një procedurë prokurimi, ku personeli turk do të akomodohej në një hotel me kushte të forta sigurie. Në vitin 2022, Spitali Memorial i Fierit finalizoi tenderin me objekt “shërbim i akomodimit të personelit turk”, me fondin limit 32.247.180 lekë pa TVSH. Në atë procedurë mori pjesë firma “ERAL” me ofertë 17.483.800 lekë pa TVSH dhe firma “HAXHI SHAHU” me ofertë 32.239.200 lekë pa TVSH. Oferta e dytë është rreth 50 përqind më shumë se vlera e ofertës së parë, e cila u shpall edhe fituese.