Ndonëse dy bosët e inceneratorit të Tiranës Klodian Koto dhe Mirel Mërtiri janë shpallur në kërkim ndërkombëtar me masë “arrest në burg” nga GJKKO, pikërisht për përfshirjen në aferën me impiantet e përpunimit të mbetjeve, Bashkia e kryeqytetit vazhdon rregullisht pagesat për koncesionarin në fushën e mbetjeve në Sharrë, Integrated Energy BV SPV.
Sipas të dhënave zyrtare që News24 disponon nga drejtoria e thesarit në ministrinë e financave, vetëm për vitin 2023 kur Zoto dhe Mërtiri ishin shpallur edhe në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, bashkia e kryeqytetit ka paguar për inceneratorin e Tiranës 12 fatura, me një vlerë totale prej rreth 410 milionë lekësh ose rreth 4,1 milion euro.
Për muajin shkurt ka 3 fatura, për marsin 5 fatura, për majin 2 fatura dhe po kaq për muajin qershor. Faturat kanë përshkrimin ku thuhet se pagesat kryhen për vazhdimin e kontratës koncesionare dhe depozitimin e mbetjeve, ndërsa përmenden dhe situacionet e punimeve çdo muaj.
Sipas shifrave zyrtare në total që nga viti 2018 e deri më tani për inceneratorin e Tiranës janë paguar 239 fatura nga institucionet shtetërore të përfshira në marrëveshje, me një vlerë totale prej rreth 6,5 miliardë lekësh ose rreth 65 milion euro me kursin e sotëm zyrtar.
Duke iu refereruar dosjes së SPAK, për urdhër-arrestit ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, BIRN raportoi se nga dokumentet hetimore të SPAK tregojnë se Veliaj ishte nismëtari i projekti i inceneratorit të Tiranës dhe se propozimi i tij i hapi dritën jeshile koncesionit të inceneratorit të Tiranës.
Në janar të vitit 2016, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dërgoi një propozim qeverisë për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane të kryeqytetit, përmes një kontrate të partneritetit publik-privat, PPP.
Përmes një shkrese të dërguar në adresë të ministrit të atëhershëm të Financave, Shkëlqim Cani, Veliaj e mbështet idenë në një studim fizibiliteti të hartuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, IFC, për PPP dhe një studim të Korporatës Ndërkombëtare Japoneze, JICA, për zgjerimin e venddepozitmit të mbetjeve në Sharrë.
“…kërkohet miratimi i Ministrisë së Financave për këtë nismë, e cila do të sigurojë një shërbim cilësor dhe sipas standardeve europiane për qytetarët dhe mjedisin në Tiranë,” thuhet në shkresën e kryebashkiakut Veliaj.
Gjithsesi, propozimi i Veliajt u prit fillimisht me rrudhje vetullash në qeveri. Hetimet e Prokurorisë tregojnë se fllimisht ministri Shkëlqim Cani dhe më pas Arben Ahmetaj u bënë barrikadë ndaj propozimit të bashkisë së Tiranës, duke sjellë si rezultat përfshirjen e Ministrisë së Mjedisit në procedura. Bashkë me Ministrinë e Mjedisit, në projekt u përfshi edhe Klodian Zoto.
Shkëlqim Cani u largua nga detyra e ministrit të Financave në shkurt të vitit 2016 dhe u zëvendësua nga Arben Ahmetaj. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i dërgon shkresën me propozimin për ndërtimin me PPP të inceneratorit ministrit të ri.
Dosja hetimore zbulon se shkresa ka të njëjtën përmbajtje me atë të janarit, me shtesën e vetme ku thuhet se është dërguar edhe një studim fizibiliteti. Ahmetaj nuk e miraton propozimin pasi sipas tij: “mungon argumentimi nëse projekti i propozuar me PPP ka kosto më të lirë se në rastin se do të bëhej me prokurim publik me fondet e shtetit.”
Negociatat për miratimin e projektit i merr më pas në dorë Ministria e Mjedisit. Një email i datës 2 mars 2016, i sekuestruar nga prokuroria në komjuterin e Klodian Zotos tregon se një punonjës i Ministrisë së Mjedisit, Vladimir Bezhani, i kishte dërguar atij një dokument me titull “Bashkia Tiranë”.
Dokumenti është një shkresë e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka drejtuar Erion Veliajt ku shpreh dakordësinë me propozimin e bashkisë së Tiranës dhe sugjeron ngritjen e një grupi pune të përbashkët. Bezhani i drejtohet Zotos me fjalët: “Shikoje dhe më thuaj nëse je dakord.”
Ministria e Mjedisit dërgon sërish në Ministrinë e Financave një argument se pse varianti PPP do të ishte më i lirë sesa prokurimi me fondet e shtetit, por refuzohet sërish. Sipas SPAK, argumenti u shkrua nga Klodian Zoto.
Drejtorja e Përgjithsme e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi argumentoi se projekt-vendimi kishte karakter individual dhe si i tillë ishte jashtë fushës së përgjegjësisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit.” Të njëjtin argumentim në refuzim përdori dhe ministri Ahmetaj në përgjigjen që i dërgon Ministrisë së Mjedisit.
Ahmetaj refuzon disa herë të tjera dhënien e miratimit si ministri përgjegjëse për tavanet buxhetore dhe implikimet financiare të projekteve në partneritet publik- privat me argumentin se nuk është e qartë se kush do të bëjë pagesat, me çfarë fondesh do të bëhet shpronësimi i tokës për zgjerimin e landfillit dhe se norma e kthimit të përhershëm të investimit (IRR) është llogaritur gabim 5%, kur në fakt rezulton të jetë 8%.
Ahmetaj refuzon ta miratojë derisa Ministria e Mjedisit ia dërgon me email shkresën e dhënies së miratimit nga Erion Veliaj. Ai më pas i hap rrugë procedurës duke u shprehur “pa komente”. Përgjigjja dërgohet 16 minuta më vonë nga Alba Thoma në adresën e emailit të Klodian Zotos. Sipas hetimit të SPAK, “Ahmetaj nuk e pengon këtë procedurë pavarësisht problemeve që ajo paraqiste”.
Zoto dhe Mërtiri pas inceneratorit të Tiranës
Dokumentat hetimore të Prokurorisë së Posaçme sugjerojnë se e gjithë procedura për marrjen e koncesionit të inceneratorit të Tiranës është drejtuar dhe koordinuar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri dhe se pas premtimit të marrë nga zyrtarët, ata kanë nisur kërkimet për gjetjen e kompanive “prestigjoze” në fushën e menaxhimit të mbetjeve.
Gjatë administrimit të materialeve të gjetura në kompjuterin e Klodian Zotos, hetuesit kanë hasur një dokument të krijuar në datën 15 qershor 2016 me autor Vladimir Bezhanin, punonjës i Ministrisë së Mjedisit. Bëhet fjalë për një letër në gjuhën angleze, që pasi e kishte punuar Bezhani, Zoto e kishte modifikuar.
“Letra iu drejtohej Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ku parashtrohej se shoqëritë Energy Recuperator S.p.a; Demare S.r.l; Arcadis S.r.l; Paul Wurth S.a dhe ITS sh.p.k, të specializuara në ndërtimin e landfilleve, ndërtimin e inceneratorëve etj., paraqesin letër interesi për menaxhimin e integruar të mbetjeve të bashkisë Tiranë,” thuhet në dosje.
Dosja tregon se Zoto nuk hartoi vetëm letrën e interesit në emër të kompanive, por edhe kriteret që do të vendoseshin në garë, edhe pse oferta e pakërkuar kishte marrë pikë bonus. Në një email drejtuar Alba Thomës në prill 2017, Zoto shkruan: “Kam lënë disa komente, sepse duhet të plotësohen nga ju. S’kanë të bëjnë me kriteret.” Më pas Zoto angazhohet në gjetjen e kompanisë që do të mbushë kriteret e tenderit dhe ia dërgon miqve të tij të huaj.
Sipas SPAK, kompania koncesionare “Integrated Energy BV SPV ka ortak të vetëm kompaninë hollandeze “Integrated Energy BV” dhe në vitin 2017, drejtues kryesorë të saj ishin Klodian Zoto dhe Giuseppe Ciaffaglione, ky i fundit i shpallur në kërkim na drejtësia për aferën e inceneratorit të Fierit.
Oferta e kompanisë Integrated Energy BV SPV u klasifikua nga komisioni i Vlerësimit të Ofertave me 100 pikë nga 100 të mundshmet.
Dosja tregon rrugën se si Klodian Zoto dërgonte me email nenet e kontratës dhe përditësonte ish-sekretarin e Përgjithshëm, Alqi Bllako me vendime që merrte Këshilli Bashkiak Tiranë për kontratën.
Më 21 shtator 2017, në emailin e Zotos mbërrin një email me materiale nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
“Në brendësi ndodhej një shkresë – draft e Këshillit Bashkiak Tiranë, që autorizon kreun e bashkisë së Tiranës të firmosë angazhimet e njësive vendore të qarkut Tiranë konfrom kontratës së koncesionit të firmosur nga ministri i Mjedisit,” thuhet në dosje.