Sot ishte planifikuar të mbahej një festë tek kampi i muxhahedinëve të MEK në Manzë të Durrësit, por ky event vjetor është anuluar.
Nga raportimet mësohet se policia ka bllokuar një foni dhe një skenë lëvizëze, e cila do t’i shërbente banorëve të kampit për të realizuar festimet. Policia u ka kërkuar drejtuesve të kampit që të shmangin grumbullimet apo manifestime, sikundër ishte paralajmëruar.
Sërisht mëngjesin e sotëm, forca policore nga Drejtoria e Durrësit, mbështetur edhe nga efektivë të FNSH kanë ngritur pika kontrolli jashtë kampit të MEK, ndërsa përveç makinave që hyjnë e dalin, janë kontrolluar edhe persona.
Burime për mediat brenda kampit kanë bërë me dije se nuk kishte shkuar dhe asnjë amerikan i ftuar. Kjo duket si një shenjë e parë e heqjes së mbështetjes për ta nga Washingtoni.
Ndërkohë, vlen të theksohet fakti, se një ditë më parë kryeministri Edi Rama përmendi për herë të parë largimin e tyre nga Shqipëria.
“E kuptojmë inatin kundër regjimit në vendin e tyre. Por vendi ynë të përdoret si llogore në një luftë që nuk është e jona, nuk funksionon! Sigurisht që ata kanë çdo të drejtë të luftojnë për lirinë e tyre, por për ta bërë këtë duhet të largohen nga Shqipëria.” – tha Rama në një intervistë për median gjermane Der Spiegel.
Kujtojmë se më 20 Qershor, me urdhër të SPAK, Policia ndërmori aksionin për kontrolli në kampin Ashraf 3, në Manzë, ku strehohen afro 2500 anëtarë të organizatës MEK, muxhahedinët e popullit Iranian. Kontrollet u ndërmorën për shkak të një hetimi nisur për sulme kibernetike ndaj institucioneve të shtetit Iranian. Gjatë kontrollit policia hasi në rezistencë dhe përballje me anëtarë e MEK. 15 policë u plagosen dhe disa pjesëtarë të kampit ndërsa një 78-vjeçar humbi jetën. Muxhahedinët thanë se vdekja e tij kishte ardhur nga policia, por ajo e mohoi se ka ushtruar dhunë. Prokuroria e Durrësit është në pritje të autopsisë dhe përgjigjes së analizave toksikologjike.
Gjatë kontrollit u gjetën pajisje të shumta kompjuterike në 17 godina të cilat dhe u sekuestruan. Hetimet e SPAK ndaj anëtarëve të organizatës MEK në Shqipëri, kanë nisur prej 18 majit 2023 për veprat penale “provokim i luftës”, “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “keqpërdorim i pajisjeve”.
Aksioni i Policisë së Shtetit u mbështet dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku u deklarua se mysafirët nuk duhet të shkelin ligjet e shtetit ku bëjnë pjesë. Ndërsa ambasadorja Yuri Kim deklaroi se është në të drejtën e Shqipërisë të vendosë nëse do ti largojë apo jo.