Ata kërkojnë jo vetëm para. Ata marrin cdo gjë në këmbim të një shërbimi, që më së paku është një gjobë e padëshiruar, një automjet i sekuestruar, një notë kaluese, një shërbim në spital, deri tek tendera sipas një gare të pabarabartë, shmangie nga hetimi apo vendim i ndikuar. Por midis të dy anëve që ushtrojnë korrupsion aktiv dhe pasiv, në gjykatën e posacme vërehet një trend në rritje edhe i personave që ushtrojnë ndikim të paligjshëm.
Nga monitorimi i Qendrës FOL, rezulton se në 6 mujorin e parë të vitit 2023 në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë rregjistruar 12 raste për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Përgjimet tregojnë se deri në cfarë pike arrijnë të korruptuarit.
Për vitin 2022, gjykata antikorrupsion mbylli nëntë procese me shtetas, ndaj të cilëve SPAK ngriti akuzë se ndikuan tek funksionarët. Më i fundit është një oficer i policisë gjyqësore pranë prokurorisë, i cili u shpall në kërkim, për 50 mijë lekë, të cilat sipas tij, do ja paguante një prokurori për një shtetas të arrestuar.
Lirian Taragjini: Hë mo, ba e takove atë?
Zenel Taragjin: Po e takova, po dëgjo tani, ai nesër në mëngjes do kafen, atë kafen që thamë ‘pesëçen”.
Lirian Taragjini: Ore ashtu më thonë të gjithë mua, ta nxjerr unë ta nxjerr unë…
Zenel Taragjini: E mirë mirë, ai nuk ngopet. Ai nuk fryhet, sa makina me dru do ai ti premtojnë, sa dhi e sa keca dhe sa djathë do.. më mirë tia falim makinën…
Përgjimet e prokurorisë së Elbasanit mes tyre , tregojnë se si për një automjet të bllokuar, të cilin familja po përpiqej ta rimerrte, atyre ju zhvat cdo gjë. Monitorimi i Qendrës FOL tregon se hetimet nisën më 7 dhjetor të vitit të kaluar, kur prokuroria e Elbasanit rregjistroi procedimin penal numër 1558 për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” në ngarkim të shtetasit Zenel Taragjini. Ai u ndalua në flagrancë për një turrë drush, njëkohësisht nisi odisenë me drejtësinë shqiptare. I ndaluar me mjetin Mitsubishi, tip fuoristradë me targa AA 724 XO, të mbushur me një sasi dru zjarri. Automjeti bashkë me lëndën drusore u sekuestrua nga oficeri i policisë gjyqësore Çelnik Toska. Për të rimarë sërish mjetin, babë e bir Lirian e Zenel Tragjini, kërkuan mbështetjen e personave të njohur që në këmbim të shumave monetare dhe në një rast të një sasie mishi, të korruptonin oficerë të policisë gjyqësore dhe prokurorin e çështjes.
“Ndodhur në këto rrethana, dyshohet se personat në hetim Lirian Targjini dhe Zenel Taragjini, janë përpjekur që me veprime korruptive të bënin të mundur kthimin e automjetit të llojit fuoristradë, model Mitsubishi, me targa AA 724 XO, që figuron në emër të personit në hetim Zenel Taragjini. Personi nën hetim Zenel Taragjini ka kontaktuar personin në hetim Çelik Toska, me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Gramsh dhe dyshohet që ti ketë dhënë një sasi materiali ushqimor në një thes, në datën 08.12.2022, në këmbim të bërjes së mundur të kthimit të sendit të sekuestruar. Nga ana tjetër, dyshohet se personi në hetim, Lirian Taragjini, i ka dhënë shumën një sasi prej 100.000( njëqind mijë) lekësh të reja personit nën hetim Lulzim Hasa me qëllim që ky i fundit të ushtronte ndikim të paligjshëm tek prokurori i çështjes për kthimin e sendit të sekuestruar. Ky fakt është bërë i ditur edhe personit nën hetim Sefer Shuka, me detyrë oficer i policisë në sektorin e krimit ekonomik në drejtorinë Vendore në Policinë Elbasan, i cili më pas këtë fakt dyshohet tia ketë bërë të ditur eprorit të tij të drejtpërdrejtë”, përmendet në dosjen hetimore të siguruar nga Qendra FOL.
Rezulton se hetimi u transferua në prokurorinë e posaçme dhe mbas një vendimi të gjykatës, përfunduan nën arrest në burg Lulëzim Hasa dhe arrest shtëpie Çelnik Toskën. Ndërsa hetim në gjendje të lirë për Lirian e Zenel Taragjasin si dhe për shtetasin Sefer Shuka. Por më 16 qershor, gjyqtari i apelit të posaçëm Engert Pëllumbi me vendimin numër 21, vendosi lirimin nga qelia për Lulzim Hasën dhe caktimin ndaj tij masën e arrestit shtëpiak, për shkak se duhet të kujdeset për babain e tij të sëmurë. Ndërsa la të pa ndryshuar masat për personat e tjerë të marrë nën hetim.
Edhe pse të dhënat zyrtarë të siguruara nga Qendra FOL, në tre vitet e fundit flasin për 19 të dënuar me vendim të formës së prerë përfshi, ish-gjyqtarë, ish-prokurorë dhe ish-zyrtarë, për juristin Ibrahim Sako, ‘ peshku i madh” nuk kapet përmes atyre që ushtrojnë ndikim të paligjshëm.
“Është për të ardhur keq që organet ligjzbatuese në shumicën e rasteve luftojnë këtë lloj korrupsioni . Dhe para korrupsionit madhor me tendera qindra milionë euro mbyllin sytë apo në rastet kur korrupsioni i tyre bëhet mediatike dhe presioni i opinionit publik është i madh, mundohen ti sfumojnë duke i ngritur akuza qesharake”.
Vetëm qytetarët njohin fuqinë e ligjit
Për juristin Sako, problem ngelet ndëshkueshmëria e korrupsonit në nivele të larta. Ata që përballen me forcën e ashpër të ligjit janë qytetarët e thjeshtë.
“Ne si avokatë përballemi në prokurori dhe gjykatë duke mbrojtur interesat e klientëve tanë të cilët akuzohen për vepra ordinere dhe e ndiejmë ashpërsinë e këtyre organeve që me forcën e ligjit dënojnë maksimalisht këta qytetarë, ku dëmi i shkaktuar, apo rrezikshmëria janë thuajse të papërfillshme”. Megjithatë, hetimet e vazhdueshme ekspozuan sërisht fenomenin e shoqërisë , në të cilin qytetarët përpiqen përballë ryshfetit të sigurojnë shërbime duke nxjerrë në dritë edhe zyrtarë të nivelit të lartë. Zyrtari më i lartë i vënë në përgjegjësi është ish-zëvendës ministrja Rovena Voda, emri i të cilës lakohej përgjatë përgjimeve të vazhdueshme në një cështje droge, si zyrtarja që do të realizonte një punësim. E vecuar nga hetimi i madh , Voda u shpall fajtore, mbasi gjatë vëzhgimit ambiental u konstatua se ju dhurua një arkë peshk. Monitorimi i Qendrës FOL tregon se Voda u dënua njësoj si edhe qytetarja që ushtroi ndikim të paligjshëm tek ajo.
Sipas Sakos, ndryshe ndodh me zyrtarët, politikanët apo njerëz me influence, që ku para tyre ky sistem mbyll sytë edhe gjithmonë gjen teknikalitete ligjore për ti shmangur nga përgjegjësia ligjore.
“Marrim shembull lirimin nga burgu të ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri , i cili lirohet me motivacionin se bashkëshortja e tij nuk është mirë me shëndet për tu kujdesur për fëmijët dhe gjykata e pranon si rrethanë lehtësuese, por nuk e pranon kërkesën e një qytetari që kërkoi nga gjykata zëvendësimin e masës së arrestit me burg në arrest shtëpie, sepse para 5 muajsh i kishte vdekur bashkëshortja dhe nuk ka kush të kujdeset për fëmijët e tij të mitur”, tha Sako. Për cështjen e ish ministrit të brendshëm, rezulton se as Inspektori i Lartë i Drejtësisë( ILD), as Prokuroria e Posacme nuk kanë nisur verifikime apo hetime për akt ekspertizat të mjekësisë ligjore, qëndrimin e prokurorit të cështjes dhe nëse ka apo jo afera të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
/Ermal Vija/Qendra FOL