Nga Boldnews.al
Gjykata e Lartë refuzoi ekstradimin e shtetasit kinez, Lianbgin Chen, i akuzuar nga vendi i tij për mashtrim qindra milionë euro, me argumentin se ai mund të keqtrajtohet apo të torturohet në sistemin e burgjeve në Kinë.
Më herët, dy gjykatat e niveleve më të ulta kishin pranuar kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e Chen drejt Kinës. Ndaj tij rëndon akuza e mashtrimit me pasoja të rënda.
Sipas autoriteteve të Pekinit, ai ka krijuar një platformë bastesh on-line nga Dubai, nëpërmjet të cilës ka mashtruar rreth 9 milionë shtetas kinezë, për një shumë prej 140 milionë dollarë.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë i gjeti të pabazuara vendimet për lejimin e ekstradimit të tij, duke vendosur përfundimisht se ai nuk duhet t’u dorëzohet autoriteteve kineze.
Vendimi i Kolegjit Penal, i marrë në 25 Prill 2023 dhe i zbardhur së fundmi pritet të shkaktojë rrudhje buzësh nga autoritetet e Pekinit, karshi shtetit shqiptar.
Ndërmjet Tiranës dhe Pekinit ekziston një klimë shumë e mirë bashkëpunimi, ndërkohë që Kina ka një prezencë të rëndësishme në ekonominë shqiptar, duke zënë vendin e tretë si partner i huaj, duke zënë 8 përqind të vëllimit tregtar, sipas faqes zyrtare të Ambasadës Shqiptare në Pekin.
Por, përtej këtij vlerësimi politik të Qeverisë, institucionet shqiptare-në rastin konkret, Gjykata e Lartë- duket se ka një qasje tërësisht të ndryshme lidhur me nivelin e demokracisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut në Kinë.
Vendimi për refuzimin e ekstradimit të Liangbin Chen nuk lidhet me merita apo specifika individuale të biznesmenit kinez. Argumentat e Gjykatës së Lartë lidhen tërësisht me faktin se Kina nuk ofron garanci për trajtimin njerëzor të të burgosurve.
Legjislacioni shqiptar, ashtu si edhe ai i shumicës së vendeve perëndimore, parashikon si një nga ndalesat për realizimin e ekstradimit, rastet kur vendi kërkuar nuk ofron garanci minimale për respektimin e të drejtave të njeriut.
Vendimi i Gjykatës së Lartë, megjithëse i mbështetur në raporte ndërkombëtare, i dha çështjes së “mashtruesit të kumarit” saktësisht atë drejtim që ishte ideuar që në momentin e arrestimit të tij, në korrik 2022, ku eksponentë të rëndësishëm politik dhe financiarë në Shqipëri ishin të interesuar që ai të mos dërgohej “pako postale” drejt Kinës.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët mbi dyshimet për lehtësimin e pozitave të Liangbin Chen, për ndërhyrje aspak normale në sistemin e drejtësisë për lirimin e tij,
Vendimi Gjykatës së Lartë
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se ekstradimi i Liangbin Chen në Kinë, do ta ekspozonte ndaj rrezikut të torturës dhe dënimeve ose trajtimeve jonjerëzore dhe degraduese.
Gjyqtarëve u është krijuar kjo bindje pas leximit të raporteve ndërkombëtare, e kryesisht Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës (CAT).
“Konstatimet e denoncuara në raportet e publikuara të organizmave qeveritare dhe jo qeveritare ndërkombëtare, ….konsiderohen, prej këtij Kolegji, të afta për të konkluduar se masa, me të cilën tortura dhe format e tjera të keqtrajtimit, janë sinjalizuar si të përdorura në strukturat e paraburgimit dhe të burgimit të shtetit kinez, mund të barazohet (të konsiderohet e barazvlefshme) me ekzistencën e një situate të përgjithshme dhune…”, thuhet në vendin e Gjykatës së Lartë
Sipas Kolegjit Penal, kjo situatë prezumon se, në mënyrë të pashmangshme, edhe Liangbin Chen rrezikon të vuajë realisht keqtrajtimin në burgjet kineze.
Po ashtu, në ndihmë të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë për këtë qëndrim ka ardhur edhe një vendim i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (Strasburgut), në nëntor 2022.
Në atë vendim, Strasburgu hodhi poshtë vendimin e autoriteve të Polonisë për ekstradimin e një shtetasi tajvanez, Liu Hong-tao, i akuzuar nga autoritetet e Pekinit për mashtrim, me argumentin e rrezikut të keqtrajtimit.
Në një raportim për atë çështje, “Zëri i Amerikës” deklaronte se vendimi i Strasburgut “mund të bllokoj të gjitha ekstradimet nga Evropa drejt Kinës”.
Rikthim në liri
Gjykata e Lartë, krahas rrëzimit të kërkesës për ekstradim, vendosi edhe shfuqizimin e masës së sigurimit për Lianbgin Chen, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm.
Chen u arrestua në 20 Korrik 2022, sapo zbriti në aeroportin e Rinasit, nga një fluturim i nisur nga Dubai.
Fillimisht, ndaj tij u caktua masa e përkohshme e “arrestit në burg”, për efekt ekstradimi. Dy muaj më pas, gjyqtari i Tiranës, Kujtim Vranici, nëpërmjet një procedure jo shumë normale, vendosi ta zbusi masën e sigurimit “në arrest shtëpie”, nën argumentin se Liangbin Chen kishte probleme shëndetësore dhe i rrezikohej jeta në paraburgim.
Prokuroria e Tiranës e ankimoi këtë vendim, duke kërkuar rikthimin e tij në burg. Prokurorja e Apelit, Arta Marku, vendosi të mos përkrahë ankimin e kolegëve të saj të shkallës së parë, duke hequr dorë.
Në këtë mënyrë, Chen vijoi të qëndrojë në arrest shtëpie, në një ambjent tejet luksoz, në një prej fshatrave turistikë në periferi të Tiranës.
Tashmë Liangbin Chen është tërësisht i lirë, duke shpëtuar nga akuzat për mashtrim qindra milionë dollarë.