Duket se Lulzim Bashën dhe tentativën e tij për t’u rikthyer në krye të Partisë Demokratike po e braktisin një nga një të gjithë.
Gazment Bardhi ka konfirmuar pas mbledhjes se grupi parlamentar i PD-së nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të thirrur nga PD e vulës. Në reagimin e tij, Bardhi deklaron se vendimi për mbledhjen e Këshillit është në kundërshtim me statutin, pasi sipas tij njoftimi i mbledhjes së Këshillit, organizimi, drejtimi dhe mbajtja e protokollit janë komptencë e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj force politike.
“Për fat të keq, vendimi i Kryesisë së PD shkel Statutin dhe cënon legjitimitetin e. Për këtë arsye, pas konsultimit me kolegët brenda grupit parlamentar, u vendos mospjesëmarrja në mbledhjen e nesërme të organizuar në kundërshtim me Statutin”, shkruan ai.
Më tej, Bardhi shkruan se PD ka nevojë për t’u forcuar, jo për t’u zvogluar, ka nevojë për të dëgjuar mendimin ndryshe dhe jo për përjashtime të reja.
Njoftimi i plotë:
Të dashur anëtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Të nderuar qytetarë!
Pas zgjedhjeve të 14 majit, menduam se të gjithë faktorët e rëndësishëm brenda nesh do të reflektojnë dhe do t’i shërbenin interesit më të mirë të demokratëve, të shqiptarëve dhe të vendit. Në fund të fundit, Një opozitë e dobët i shërben vetëm pushtetit.
Në funksion të ringritjes së Partisë Demokratike, propozuam një platformë për ringritjen Partisë e Demokratike në qelizë/në bazën e partisë. Një proces gjithëpërfshirës, jopërjashtues, që i shërben bashkimit dhe jo ndarjes.
Siç jeni në dijeni, një pjesë e kryesisë së Partisë Demokratike, e rrëzoi platformën e ringritjes nga baza në qender, duke i hapur rrugë zgjedhjes së menjëhershme të Kryetarit të Partisë. Vendimet e marra dëshmojnë fatkeqësisht nxitim, pasiguri dhe shkelje të rënda të Statutit, që nuk e zgjidhin situatën që po kalon prej kohësh Partia Demokratike.
Edhe sot, jemi të bindur se kjo është rruga e gabuar, që nuk i shërben demokratëve dhe forcimit të partisë. Megjithatë, si Sekretar i Përgjithshëm, kam detyrimin, t’i nënshtrohem vullnetit të shumicës dhe tregova vullnet të plotë për zbatimin e vendimit.
Por, Nn kemi detyrimin t’i bëjmë publike aktet në shkelje flagrante të statutit dhe rregullave që garantojnë së pari, bashkëjetësën brenda forcës sonë politike; së dyti, garantojnë kushte të barabarta të garës politike.
Këmbëngulja për të zbatuar disa rregulla që godasin frymën e Statutit dhe nuk e shërojnë shtëpinë e demokratëve nuk i shërbejnë askujt. As atyre demokratëve që mendojnë se nxitimi për të zgjedhur një kryetar është shpëtimi i Partisë Demokratike. Kjo thjesht do të nxirrte në sipërfaqe një të vërtetë të ndryshme nga ajo që kemi thënë në këto muaj, që në Partinë Demokratike, po veprohet, sërish, sipas interesit personal dhe jo sipas interesit të demokratëve.
Si Sekretar i Përgjithshëm, këto shqetësime i kam ngritur disa ditë më parë, veçanërisht, kur pashë se një pjesë e kryesisë shpërndau në degët e partisë vendime për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së Kryetarit pa thirrur më parë mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Ky është një përcaktim i panegociueshëm i statutit. Pas kërkesës sime zyrtare për kryesinë, dhe refuzimit të pashpjegueshëm disa ditorë, të enjten u deklarua mbledhja e Këshillit Kombëtar më datë 20. E përshëndeta dhe mbështeta këtë vendim pa u njohur me përmbajtjen konkrete të tij. Por, pasi u njoha zyrtarisht më këtë vendim, jam këtu për t’ju deklaruar me përgjegjësi të plotë se vendimi bie ndesh me Statutin e Partisë dhe me vetë vendimet e Këshillit Kombëtar.
Vendimi kryesisë ia jep kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm dhe të Sekretariatit të Këshillit, zyrtarëve që nuk kanë asnjë përgjegjësi për organizimin e partisë apo për organizimin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar.
Sipas Statutit të Partisë organizimi i partisë dhe organeve të saj është përgjegjësi e Sekretarit të Përgjithshëm.
Me vendimin nr. 2, datë 15 janar 2022 Këshilli Kombëtar i PD ka miratuar rregulloren e funksionimit të Këshillit Kombëtar, sipas të cilës:
1. Njoftimi i mbledhje së Këshillit është komptencë e Sekretarit të Përgjithshëm. (pika 3, neni 5)
2. Organizimi dhe drejtimi i mbledhjes është kompetencë e Sekretarit të Përgjithshëm. (neni 4)
3. Mbajtja e protokollit të mbledhjes, listës së anëtarëve të Këshillit, regjistrimi i anëtarëve pjesëmarrës në mbledhje, është kompetencë e Sekretariatit të Këshillit, që kontrollohet dhe drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm. Sekretariati i Këshillit është ngritur me vendimin nr. 6, datë 15.01.2022 të Këshillit Kombëtar dhe është funksional. (neni 11)
Për fat të keq, vendimi i Kryesisë së PD shkel Statutin dhe cënon legjitimitetin e. Për këtë arsye, pas konsultimit me kolegët brenda grupit parlamentar, u vendos mospjesëmarrja në mbledhjen e nesërme të organizuar në kundërshtim me Statutin.
Ne, kemi kërkuar dhe luftuar që PD të shndërrohej nga një parti-individ në një forcë politike reale. Shembull i një force politike që pasi respekton Kushtetutën e saj-Statutin, kërkon votbesimin shqiptarëve për të respektuar e Kushtetutën e Shqipërisë në pushtet.
Respektimi i institucioneve brenda familjes sonë politike është celsi legjitimues jo vetëm për zgjedhjen e Kryetarit, por edhe për jetëgjatësinë e forcës sonë politike. Ky debat i brendshëm na ka mësuar dhe diktuar një rrugë që smund ti ngjasojë proceseve fiktive të së shkurës që kanë dëmtuar PD.
Kur vetë heq dhe shton listat, vetë voton, vetë numëron- kjo është një histori e shëmtuar, e paligjshme, antistatutore që nuk duhet të përsëritet në Partinë Demokratike. Mendoja se ne jemi distancuar të gjithë bashkë nga kjo rrugë. I mbani mend këto qëndrime që kemi përcjell edhe një vit më parë. Dhe ne i qëndrojmë koherent atyre. Nuk ndryshojmë sipas interest personal momental.
Në këtë moment Partia Demokratike e Shqipërisë ka nevojë për maturi, jo konflikt, ka nevojë për reflektim, jo për urrejtje, ka nevojë për t’u forcuar, jo për t’u zvogluar, ka nevojë për të dëgjuar mendimin ndryshe, jo për përjashtime të reja.
Pyetjet tona sot i bën çdo demokrat: Kujt i shërben një tjetër konflikt në PD? Përse duhet të zvoglohet dhe jo të forcohet Partia Demokratike? Përse sajohen provokime dhe devijime nga Statuti që na ndajnë, kur sot ne kemi nevojë më shumë se kurrë për të qenë bashkë dhe për të gjetur zgjidhje?
Kujt i intereson thellimi i ndasive brenda PD?
Ndoshta, shumë njerëz mund të kenë ende paqartesi për përgjigjet e këtyre pyetjeve, por di të them me siguri se është e qartë si drita e diellit se ky nuk është interesi i PD, nuk është interesi i demokratëve, nuk është interesi i Shqipërisë. Një PD e futur në ngërç, ku thellohet përcarja, që zvoglohet dhe humb në debatet e veta të brendshme, i intereson vetëm Edi Ramës dhe regjimit të tij.
Dua të jemi të ndershëm me ju deri në fund.
Ky nuk është një qendrim që më shërben mua personalisht. As kolegëve të mi personalisht. E kundërta është e vërtetë. Do ta kishim shumë të thjeshtë, të mbyllja një sy para shkeljes së statutit, të bënim lojën që na siguronte një mandat deputeti apo një post në parti. E kuptoj që kompromiset në politikë, janë të pashmangshëm. Por dua t’ju siguroj, kompromis për të zhbërë Partinë se Demokratike as nuk kemi bërë, as nuk do të bëjmë kurrë! Nuk mund të ketë kompromis për të prishur themelet e shtëpisë tënde, vetëm që të kesh cati.
Beteja ime, e kolegëve të mi dhe e qindra mijëra demokratëve dhe opozitarëve ka një qëllim- të qendrojmë përballë pushtetit, të bëjmë Partinë Demokratike një forcë të besueshme politike dhe të kthehemi në alternativë qeverisëse!