Është hera e tretë që “Revista Mapo” shpall njeriun që ka influencuar më shumë në ngjarjet e vitit. Zgjedhja e 2017-ës, sigurisht do të duhej të kalonte nëpër disa kulme të forta, si ato të protestës së opozitës në çadër, marrëveshjes Rama-Basha, presidencës së Ilir Metës, zgjedhjeve të qershorit dhe fitores së socialistëve, apo skandalit “Tahiri” që në nisje të mandatit të dytë.
Por dinamika e ngjarjeve dhe e protagonistëve kryesorë në to shënjohet nga ulje-ngritje, të cilat në fund të vitit e kanë zbehur ndikimin e tyre në përditshmërinë e shqiptarëve.
Marrëveshja e 18 Majit që ndali bojkotin e opozitës ishte një kandidaturë e konsiderueshme për vendin e parë në kalendarin e 2017-ës, por retushimi i atij suksesi ia bëri jetën e shkurtër dhe kryesorja, dy personazhet e saj, sot janë më larg se ç’ishin para natës së “qepallimit”.
Goditje të rëndë ka marrë dhe fitorja e Ramës në zgjedhjet e qershorit. Qysh në fillim të mandatit të dytë, dosja e trafikut të drogës dhe e dyshimeve për implikim të ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri ka ngritur mjegull mbi pastërtinë e 71 mandateve.
Luhatjet e Metës mes bojkotit, vijimit të aleancës me Ramën dhe pranimin e postit të Presidentit, e kthyen aktin në një llogari të thjeshtë politike.
Ajo që për ne mbeti deri në fund qendra e zhvillimeve të vitit është debati i Reformës në Drejtësi dhe “motori” i saj, ambasadori amerikan Donald Lu.
Angazhimi i fortë tre-vjeçar i përfaqësuesit të SHBA-ve në Tiranë, për të ndryshuar sistemin gjyqësor edhe këtë vit ishte e vetmja përpjekje reale që shtyu përpara reformën përballë pengesave nga të gjitha kahet e politikës vendëse, gjykatësit apo prokurorët.
Negociatat dhe presioni i Donald Lu pas çdo ngecjeje në Kuvend, padie në Kushtetuese apo mungese besimi të shoqërisë civile, për t’u bërë pjesë e reformës, mbetën njësoj vendimtare po aq sa në korrik 2016, kur 140 deputetët ngritën kartonin jeshil pro shkëputjes së lidhjeve të politikës nga drejtësia.
Paralelisht me reformën, qëndrimet e forta të ambasadorit për “baronët e drogës”, denoncimet me emra të politikanëve të lidhur me krimin, familjet dhe klanet mafioze që drejtojnë të lirë operacionet kriminale ishin “shkundja” e radhës, për të nxitur reagimin e policisë dhe të Prokurorisë.
Për zgjedhjen e Donald Lu si “Njeriu i Vitit”, e sigurt është që kampet politike do të ndahen. Por përtej debatit dhe kontestimeve që shoqërojnë qëndrimet e forta të tij, Donald Lu ia ka dalë të krijojë aleancë me pjesën më të madhe të shqiptarëve.
Në intervistën ekskluzive të kryeredaktorit Arion Sulo, që shoqëron këtë zgjedhje të revistës “Mapo”, ambasadori Lu përcjell mesazhe të forta mbi çështjet që shënjojnë mandatin e tij në Shqipëri, si: debati për largimin e Adriatik Llallës, raportet e tensionuara me opozitën, qëndrimet për qeverinë apo çështjen “Tahiri”.
I pyetur për çështjen “Tahiri” dhe për faktin nëse është treguar më i butë se ç’duhet me mazhorancën, Lu thotë: “Edi Rama ankohet fort se sa i padrejtë kam qenë ndaj tij dhe socialistëve, por e bën këtë privatisht.
Opozitës i pëlqen të tregojë publikisht se disa herë janë të pakënaqur me pozicionet e Qeverisë së SHBA. Është e drejta e tyre. Akuzat specifike kundër Saimir Tahirit janë shumë serioze dhe meritojnë një hetim tërësor dhe, nëse provohen, ndjekje penale të shpejtë.
Kemi nxitur Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme dhe kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që ta çojnë këtë çështje përpara, pa anshmëri politike apo si përgjigje të presionit politik”. (Burimi:Mapo)