Këshilltarët e LSI -së kanë filluar dhe po shkojnë tek tepsia e pushtetit lokal.
Ndërkohë që në qendër, kryetarja e LSI –së, Monika Kryemadhi, trumbeton dhe lëshon “vrer”, ndaj Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, nga ana tjetër tinëzisht, në rrethe ajo bën lëvizjet nën mëngë kundër Partisë Demokratike.
Katër përfaqësues të LSI –së, në Këshillin Bashkiak të Durrësit, janë bashkuar me këshilltarët e Partisë socialiste për votuar Buxhetin 2018.
Paraprakisht, grupi i këshilltarëve të LSI-së kishte vendosur t’i bënte bllokadë Socialistëve duke bojkotuar mbledhjen e këshillit bashkiak që kishte në rendin e ditës edhe miratimin e buxhetit të vitit 2018, por çuditërisht katër këshilltarë janë paraqitur në mbledhje duke votuar pro buxhetit me vlerë 48 miliard lekë, si edhe disa pika të tjera që ishin në rendin e ditës.
Këshilltarët Sanije Deda, Iris Gruda, Adriana Hatellari dhe Skënder Korriku kanë bërë të mundur që edhe bashkia e Durrësit të ketë një buxhet të miratuar.
E njëjta situatë ka ndodhur më herët Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe të Korçës.
Në Tiranë, gjatë mbledhjes për miratimin e propozimit për rritjen e çmimit të ujit, 27 korrik të këtij viti, dy këshilltarë të LSI Genta Mezini dhe Agim Kraja bashkuan votat me PS, çka bëri të mundur edhe miratimin e propozimit të kreut të Bashkisë.
Bashkë me Genta Mezinin e Agim Krajën, votat me socialistët i kanë bashkuar së fundmi edhe Bora Panajoti dhe Naim Halili nga LSI-ja.
Edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të qytetit të Korçës, 4 këshilltarë të LSI-së kanë votuar pro buxhetit të paraqitur nga kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo.
Ashtu siç paralajmëroi City News, e ashtuquajtura kryetare e LSI –së, Monika Kryemadhi, në këto rrethana i ngjan më shumë gjeneralit të “ushtrisë së vdekur” se sa drejtuesit të një partie.
“Ushtria” i ka dalë jashtë kontrollit, në kërkim të pjesëve në tepsinë lokale, ndërkohë që vetë Kryemadhi “zvarritet” nëpër studio telelevizive, e lëshuar nga nervat dhe ç’akorduar totalisht, duke harruar se deri dje kishte qenë në krye të pushtetit me ata që i akuzon sot për krim dhe korrupsion.