I ati i Florencit, të riut nga Shkodra që po lufton me vdekjen në spital në Marsejë, Gëzim Beqiraj ende shpreson se i biri mund të rikthehet në jetë.
Ai ka thënë për mediat se ende nuk ja kanë shkëputur aparaturat që po e mbajnë në jetë duke shpresuar se i biri të hapë sytë.
Në një lidhje telefonike për Report Tv ai tha se mjekët e spitalit duan t’i heqin tubat, ndërsa shton se nuk do të firmosë kurrë për të autorizuar mjekët për një veprim të tillë.
“Gjendja e djalit është njësoj, në aparatura. Mjekët thonë se nuk i funksionon truri. Sot thanë që i ka ndaluar edhe zemra, po e mbajmë në jetë me aparatura. Edhe pse është gjallë djali, këta duan ta mbysin. Unë e dua djalin gjallë, dua ta lë ashtu, unë për vete nuk hedh firmë. Unë jetoj në Mal të Zi familjarisht, bashkë me vëllezërit. Kemi ikur për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Djali ka qenë në Francë ku ka kaluar azil ekonomik. E morëm vesh përmes një kushërire të kunatit tim se djalin e kemi brenda në rajon të policisë. Kam folur në telefon dhe më ka thënë se do kthehem për 2-3 ditë. Vonuan 5-6 dhe e morëm në telefon oficerin e policisë dhe na thanë se Florenci është i vdekur dhe e kemi dërguar në spital”, thote ai.
Gëzim Beqiraj thotë gjithashtu se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga autoritetet shqiptare, por i janë gjendur pranë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Francë.
“As ambasadori dhe asnjë zyrtar tjetër nuk ka ardhur të pyesë. Kur jam ulur prej aeroportit në Marsejë kam folur në telefon me ambasadorin, më ka folur si njeri rrugësh. Ai paguhet me taksat e qytetarëve shqiptarë dhe është atje për t’u kujdesur për ne atje. Sot i ka ndodhur djalit tim, por nesër do t’i ndodhë dikujt tjetër”.
I pyetur për hetimet e shkaqeve që çuan në këtë gjendje të të riut, Gëzim Beqiraj tha se është dhunuar në burg. “Kishte shenja në duar dhe në fyt. Eshtë përpjekur të vetëmbrohet”.