Nga ky muaj e në vazhdim 2500 punonjës të policisë do të paguhen 5500 lekë të rinj më pak.
Kështu, në pagën mujore të tyre do t`u hiqen 5500 lekë të rinj. Më të prekurit janë efektivët e repartit RENEA. Me ligjin e ri kjo ulje vjen si shkak i heqjes së gradës “Kryeinspektor” nga struktura e gradave në Policinë e Shtetit dhe pothuajse të gjithë policët e lartë të shtetit, RENEA, e kishin këtë gradë. Ndaj, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke paraqitur një kërkesë padi duke përfshirë edhe dhjetëra akte të tjera nënligjore që nuk janë shpallur nga Qeveria. Kryetari i Sindikatës, Sadedin Fishta, tregon arsyet se përse kanë paditur në Kushtetuese, Kryeministrinë, Ministrinë e Brendshme dhe Kuvendin e Shqipërisë.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Fishta tregon aktet që kanë prekur drejtpërdrejt financat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Ju i jeni drejtuar Gjykatës Kushtetuese me padi kundër Kryeministrisë, Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme.
Cila është arsyeja?
Arsyeja është mbrojtja e të gjitha interesave të anëtarëve të Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit. Interesa sociale, ekonomike, financiare, profesionale etj. Në këtë kuadër, duke parë që ligji i Policisë së Shtetit, me hyrjen në fuqi ishte një ligj nul, pasi një pjesë e mirë e akteve nënligjore që parashikon ligji nuk kishin dalë,pjesa më e madhe e të cilave janë akte sipas të cilave punonjësit e Policisë përfitojnë nga ana financiare, pas kërkesave që iu drejtuan Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ministrit të Brendshëm, e Avokatit të Popullit, ne iu drejtuam edhe Gjykatës Kushtetuese. Kjo me qëllim që të detyrohet Qeveria të nxjerrë aktet, pasi është një shkelje kushtetuese. Pas miratimit të ligjit, kishin kohë që të përgatiteshin për nxjerrjen e akteve dhe për të marrë parasysh faturat financiare. Sot që ne flasim, për mendimin tonë, ky ligj është nul. Duhet të kishin lënë në fuqi ligjin e vjetër deri në nxjerrjen e akteve, në qoftë se Qeveria nuk do të kishte mundësinë financiare për t’i zbatuar. Edhe në Gjykatë këtë kemi kërkuar që të lihet në fuqi ligji i vjetër deri në nxjerrjen e akteve.
Për cilat akte konkretisht i jeni drejtuar?
Akte të posaçme kanë të bëjnë duke nisur që nga rasti më specifik, ai i gradës. Që nga data 1 mars e këtij viti, një pjesë e mirë e punonjësve të Policisë e lanë gradën “Kryeinspektor” dhe janë mbi 2 mijë, thuajse 2500 punonjës Policie që kanë rënë në gradë, duke marrë gradën “Inspektor”. Me heqjen e kësaj grade, aktualisht duhet të kishte dalë vendimi i Qeverisë ku bëhet njehsimi i funksionit me gradën dhe paga për çdo vend pune. Mirëpo, duke mos dalë ky vendim, nuk mund të zbatohet ligji për uljen në gradë, pra rrjedhimisht edhe në pagë të punonjësve të Policisë. Ky vendim nuk është vetëm për të trajtuar pagën e punonjësve të Policisë, por është njëkohësisht për të trajtuar edhe dy grada të tjera madhore që sot për sot nuk janë të njësuara.
Sa para më pak marrin këta punonjës policie që janë ulur në gradë?
Nga përllogaritja që është bërë, pra siç ju thashë, thuajse 2500 punonjës Policie marrin 5500 lekë të rinj më pak. Për këto që u hiqen nga buxheti familjar. Kjo tashmë ka hyrë në fuqi. Më datë 3 prill, tani që vjen, datë kur ata marrin rrogën, do të marrin 5500 lekë më pak nga çfarë kishin marrë më përpara. Pra, duke ulur pagat, ata kanë ulur edhe performancën e punonjësve të Policisë.
Cili sektor në Policinë e Shtetit është prekur më shumë nga ulja e pagës për këtë kategori?
Në veçanti është prekur reparti special RENEA. Ky repart, pothuajse të gjithë punonjësit i ka me gradën “Kryeinspektor”, që tashmë kanë marrë gradën “Inspektor”. Duke u prekur reparti RENEA, llogariteni se si preket siguria, rendi dhe shumë elementë të tjerë.
Tjetër akt përveç uljes në gradë?
Tjetër është edhe vjetërsia në punë. Kjo i takon çdo punonjësi policie për çdo vit vjetërsie që ka në punë. Për shembull, një punonjës Policie, që ka 25 vjet në Policinë e Shtetit, duhet të marrë 25 për qind shtesë mbi pagë. Në rast se do të merrte këtë shtesë page, nuk do të kishte probleme me rënien në pagë, pas implementimit të gradës “Kryeinspektor” në “Inspektor”. Por duke mos nxjerrë as këtë, edhe vendimin tjetër për njësimin e funksionit me gradën dhe pagat për çdo funksion, aktualisht punonjësit e Policisë kanë humbur shumë nga ana financiare.