Ditën e djeshme salla e Kuvendit të Shqipërisë u përfshi nga një situatë tensioni menjëherë pas votimit të Kryeprokurores së re. Votat për zgjedhjen e Kryeprokurores së re të përkohshme u dhanë vetëm nga mazhoranca pasi opozita e bojkotoi këtë votim.
Për ta kundërshtuar këtë vendim opozita shkaktoi trazira të shumta. Menjëherë pas këtyre incidenteve kryeministri Rama u largua për në Bruksel ku mori pjesë në një takim së bashku me krerët e Ballkanit Perëndimor me Përfaqësuesen e Lartë për Çështjet e Jashtme në BE, Federica Mogherini.
Pas këtij takimi kryeminsitri Rama foli për mediat ku theksin kryesor e vuri tek reforma në drejtësi dhe integrimi i vendit në BE.
I pyetur mbi zhvillimet e djeshme në Kuvend, kryeministri Rama tha se është përpjekur që gjatë takimit në Bruksel ta kapërcejë “atë moment vështirësie të krijuar nga sjellja e opozitës”.
A keni diskutuar për situatën në Shqipëri, ku opozita është duke kundërshtuar veprimet në Parlament, ndërkohë që reforma në drejtësi, implementimi i saj është kusht për të avancuar në rrugën europiane?
Rama: “Unë kur flas në gjuhë të huaj, flas për Shqipërinë, nuk flas për palët. Kështu që edhe sot, edhe njëherë kam folur për Shqipërinë, dhe sigurisht, që këtu jam munduar që të kapërcej atë moment vështirësie të krijuar nga sjellja e opozitës, por, sigurisht jo duke fajësuar opozitën, por duke u fokusuar tek Shqipëria, tek shqiptarët, sepse negociatat nuk hapen për një parti, hapen për Shqipërinë, hapen për të gjithë shqiptarët pa dallim”.