Mëngjesi i 1 Majit e mbushi bulevardin “Elez Isufi” të Peshkopisë në verilindje të Shqipërisë me makina Retro, tinguj muzike dhe qindra banorë të qytetit dhe fshatrave përreth në një festë të pazakontë për njërën nga zonat më të varfra të vendit.
Koleksioni i makinave Retro – një projekt i sponsorizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor – u mikprit nga kryetari i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu, i cili garon për një mandat të plotë për llogari të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit.
Në panairin e makinave, Spahiu ishte i shoqëruar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe kreu i Drejtorisë së Transporteve, Blendi Gonxhe. Në një stendë të ngritur në bulevard, qytetarët mund të blinin targa me emërtime sipas dëshirës për 1500 lekë.
Përdorimi i aseteve publike në favor të fushatës elektorale është një nga problemet kryesore të zgjedhjeve në Shqipëri, por organizatorët pretendojnë se shfaqja në qendër të Peshkopisë nuk ka lidhje me fushatën.
“Ka qenë e planifikuar prej dy muajsh, është njoftuar KQZ, nuk ka asnjë prononcim direkt politik,” tha Gonxhe për BIRN, ndërsa shtoi se Spahiu ishte i ftuar në cilësinë e kryetarit të Bashkisë.
Pak metra larg stendës, kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Ismail Uka, e cilësoi këtë aktivitet “një shfaqje të shëmtuar të arrogancës së pushtetit dhe tregues i një garë të pabarabartë”.
“Ky është një organizim i hapur elektoral duke përdorur asetet publike,” tha Uka për BIRN. “Në ditë të zakonshme në këtë bulevard nuk ka jetë pas orës 13:00,” shtoi ai.
Uka, një avokat me profesion dhe banor i fshatit Laqes, sfidon në këto zgjedhje Rahim Spahiun, që u zgjodh kryetar i bashkisë së Dibrës në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2022.
Ai pretendon se po bën fushatë përballë një makinerie shtetërore të organizuar.
“Të gjithë drejtorët e administratës, Postës, Tatimeve, Rrugëve, etj. janë angazhuar fuqishëm në fushatë” tha Uka, ndërsa shtoi se “njerëzit kanë frikë edhe të vijnë në takimet tona elektorale”.
Në garë për kryebashkiak të Peshkopisë është edhe Naim Gazidede, kandidat i Partisë Demokratike zyrtare.
Kandidati socialist, Rahim Spahiu, nuk ishte i lirë për intervistë të hënën dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi. Edhe kandidati i PD, Gazidede nuk iu përgjigj një kërkese për intervistë.
‘Punësime elektorale’
Bashkia e Dibrës ka një elektorat në rritje dhe pjesëmarrje pothuajse të qëndrueshme, ndërsa zgjedhjet parlamentare të së shkuarës kanë favorizuar me marzhe të mëdha Partinë Demokratike në opozitë.
Megjithatë, bashkia është nën kontrollin e socialistëve që nga viti 2015, pasi u fitua fillimisht nga koalicioni PS+LSI si dhe u rifitua me më shumë vota, por me një shkallë blerjesh masive të dokumentuara në përgjime të prokurorisë në vitin 2016.
Në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, PDIU, e njohur ndryshe si parti e çamëve, ia doli nga hiçi të ngjitej si forcë e tretë në Dibër, duke mbështetur kandidaturën e Reme Lalës.
Por aleanca lokale mes PS dhe PDIU përfundoi me konflikte për vendet e punës në bashki dhe gjatë kësaj fushate elektorale, ‘elementi çam’ ka pothuajse zero aktivitet politik në qark, edhe pse ka fituar të drejtën e një numëruesi në Grupet e Numërimit të Votave.
Në vitin 2019, socialistët arritën ta mbajnë pushtetin falë zgjedhjeve pa garë, duke ruajtur votat që kanë pasur tradicionalisht në këtë qark. Por Dionis Imeraj la postin e kryebashkiakut në vitin 2021 për të kandiduar si deputet, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2022.
Vendet e punës në bashki duket se do të luajnë një rol edhe në zgjedhjet e 14 majit, pasi kandidati i koalicionit opozitar, Ismail Uka denoncon ato që ai i quan punësime elektorale.
Në një vendim të datës 10 janar për miratimin e strukturës organike të bashkisë së Dibrës identifikohen 80 punonjës të rinj ‘sezonalë”. I njëjti dokument gjendet në faqen zyrtare të bashkisë, por i mungojnë faqet e fundit të organikës së punonjësve.
Punësimet e reja zënë gati 10 për qind të numrit total të punonjësve që paguhen nga bashkia, që sipas organikës së burimeve njerëzore ka shkuar në 905 persona.
I pyetur për shtimin e organikës në prag të zgjedhjeve vendore, kryebashkiaku Spahiu nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Të zhgënjyer nga politika
Dalip Aliu, fermer nga fshati Fushë-Ali, ndodhej në Peshkopi më 1 Maj me kërkesë të organizatorëve të Retro-s për të reklamuar “Benzin” e tij të vjetër të prodhuar në vitin 1985.
Ai prezantohet si anëtar i strukturave të Partisë Demokratike të udhëhequr nga Alibeaj dhe thotë se kandidati i tyre, Naim Gazidede, nuk po bën fushatë aktive.
“Ne nuk kemi as zyra, se godina që kishim i doli pronari e është kthyer në lokal,” tha Aliu.
Ndryshe nga banorët e tjerë që hezitojnë të flasin për fushatën, Aliu thotë se problemet me të cilat përballen dibranët janë aq të mëdha, sa u ka humbur shpresa se politika do zgjidhte ndonjë gjë.
“Kjo festa e makinave s’do mend që është fushatë, po çfarë po na ofrojnë me këtë?” pyet ai me zhgënjim.
Sipas Aliut, dibranët shqetësohen për ndërtimin e Skavicës, punësimin, shpopullimin dhe nevojën për mbështetjen e fermerëve. “Ne jetojmë nga fëmijët që kemi në emigrim,” shtoi ai.
Mosbesimi tek politika është më i dukshëm tek të rinjtë.
Redon Saraqi dhe Hasan Drizi janë 23-vjeçarë që jetojnë mes qytetit të tyre të lindjes dhe Greqisë, ku emigrojnë për punësim sezonal.
“Çfarë pune do bësh këtu, ky qytet nuk të ofron asgjë,” thotë Redoni, i cili ka lënë gjimnazin pa mbaruar për të emigruar për arsye ekonomike. “Vota ime nuk ka sjellë ndryshim,” thotë ai, por shton se gjithsesi do të votojë më 14 maj.
Ndërsa shoku i tij, Hasani thotë se nuk do të votojë sepse nuk i intereson asnjë parti. “Skam besim që politika do të më ndryshojë jetën dhe të më ofrojnë ndonjë mundësi që të qëndroj në vendin tim,” përfundon ai.
/BIRN/