Nga BoldNews.al
Pak ditë më parë, BoldNews.al publikoi një investigim me titull “Farsa e Erion Veliajt; 430 milionë lekë shtesë për tregun në Farkë që sapo e përuroi”. Behej fjalë për tregun agro-ushqimor në Farkë, i trumbetuar me të madhe për t’u ndërtuar. Në prill 2023, Bashkia e Tiranës do të akordonte plot 430 milionë lekë shtesë, për të ashtuquajturën faza 2. A ishin ato paratë e fundit për atë treg?!
Në një vend normal, aq më tepër për një vepër të përuruar nga vetë kreu i bashkisë po! Por, jo për Veliajn, i cili ka akorduar të tjera para’ për të treg, që gjithkush priste të hapej. Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, Bashkia e Tiranës ka hapur një tjetër procedurë konsulence për fazën 3, ku vlera është plot 3 milionë euro. Pra, më shumë sesa ka shpenzuar deri më tani. Por, le ti marrim me radhë.
Në verën e vitit 2021, Bashkia e Tiranës hapi një tender për ndërtimin e një tregu agro-ushqimor në Farkë. Ndërkohë që kishte një fond limit 235.467.582 lekë pa TVSH. Punimet duhet të kryheshin brenda 6 muajve. Por, a u realizuan?! Në fakt, projekti nuk u realizua në kohë. Ai u zvarrit për muaj me radhë, në pritje të zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023. Veliaj shkoi në datën 18 mars 2023 në atë vend, bashkë me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca. A u hap? Jo, pasi punimet s’kishin përfunduar. Bashkia hapi disa javë më parë procedurën me objekt “ndërtimi i tregut për shitjet me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore (Tirana Agrikulturë) – Faza II”. Autoriteti kontraktues, Bashkia e Tiranës, ka akorduar një shumë prej 43.046.031 lekë. Pra, shpenzon sërish para’ për një treg të përfunduar, që duhet të ishte gati për tregtarët dhe banorët e zonës.
Pra, deri para pak ditësh, Bashkia e Tiranës kishte akorduar rreth 3 milionë euro. A mjaftuan? Për Veliajn nuk mjaftojnë kurrë, pasi ai njihet për fryrjen e procedurave. Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, Lali Eri ka firmosur një tjetër procedurë, kësaj here “ndërtimi i tregut për shitjet me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore (Tirana Agrikulture) – Faza III-të”. Me një fond 6.614.142 lekë dhe me kohëzgjatje 5 muaj. Redaksia jonë hulumtoi dokumentet shoqëruese, ku rezulton se “Bashkia e Tiranës, me fondit 7,936,971.43 lekë (me TVSH) kërkon të realizojë studim projektimin për objektin e tregut, në Njësinë Administrative Farkë me vlerë ndërtim montimi 300.000.000 lekë me TVSH”. Pra plot 3 milionë euro, për veprën që kushtoi po kaq dhe u përurua.
Bashkia e Tiranës thotë se aktualisht është ndërtuar tregu në këtë zonë me 4 godina përkatësisht nga rreth 1500 m2. Dhe është duke u ndërtuar tregu i hapur midis këtyre godinave. “Janë realizuar gjithashtu rrjeti rrugor dhe godinat e shërbimit dhe pritet të realizohen hapësira e parkimit në pjesën lindore të godinave si dhe e gjithë infrastruktura ndihmëse. Ndërtimi i këtij tregu ka qenë i parashikuar të realizohet në tre faza ku Faza e Parë ka përfunduar, Faza e Dytë është duke u realizuar dhe faza e III. Në qendër të volumeve është parashikuar një treg i hapur në të cilën shitësit mund të reklamojnë produktet e tyre dhe blerësit potencial mund të vendosin për produktet” thuhet në këto dokumente të vetë bashkisë që “rrëzojnë” vetë Veliajn. “Objekt i këtij projekti do të jetë ndërtim i fazës së tretë të tregut me të gjithë elementet vazhdimësi e strukturave aktuale, rrjetit rrugor dhe të shërbimeve të realizuar deri më tani, në parashikim me të gjithë kërkesat e zonës” pra do të ribëhen ato që duhet të bëheshin deri tani!