Gjykata e Tiranës ka dënuar me 25 vjet burgim Bledar Mnerin, i dyshuar për pengmarrjen dhe vrasjen e biznesmenit të ndërtimit Vasil Biba.
Ngjarja ka ndodhur në nëntor të vitit 2015, ndërsa viktima u gjet në Priskë i groposur në një zonë të pyllëzuar. Vendimi i Gjykatës së Tiranës për vrasjen e bujshme është dhënë më 12 tetor 2017, ndërkohë që autori është ende i lirë dhe i fshihet drejtësisë.
Bledar Mneri në vitin 2015 ka mbajtur peng biznesmenin e ndërtimit Vasil Biba, pasi i kishte dhënë 25 mijë euro për një dyqan që nuk e mori kurrë. Pasi e mbajti disa ditë peng, ai e vrau dhe trupin e groposi në Priskë të Tiranës.
Pas vrasjes, i pandehuri u largua në Gjermani, ku kërkoi edhe azil politik. Hetimet për gjetjen e autorit të vrasjes së biznesmenit ishin të vështira, pasi ai kishte marrë shumë kërcënime nga persona të ndryshëm, të cilëve u kishte marrë para borxh dhe nuk ua kishte kthyer.
GJETJA E TRUPIT
Trupi i biznesmenit të vrarë është gjetur më 14 shkurt të vitit 2016 në fshatin Priskë të Dajtit, rreth dy muaj e gjysmë nga zhdukja e tij. Ka qenë një bari i zonës që ka njoftuar Policinë për trupin. Në deklarimet e tij në Polici, bariu me inicialet M.P. ka thënë se ishte qeni i tij që ra në gjurmët e kufomës.
Pasi ka këqyrur kufomën, Policia ka konstatuar se ai është ekzekutuar me një plumb në kraharor, në anën e zemrës. Gjithashtu, ai është qëlluar me armë edhe në kokë. Nga verifikimet që bëri Policia asokohe, rezultoi se ndaj biznesmenit kishte edhe një vendim nga Gjykata e Tiranës në mungesë, me 1 vit burgim për fshehje të të ardhurave. Gjithashtu, familjarët e tij kishin denoncuar zhdukjen që në nëntor 2015.
Për rastin është marrë në pyetje e shoqja e viktimës, e cila ka thënë në Polici se bashkëshorti i saj ushtronte një aktivitet privat në fushën e ndërtimit, ku kishte punësuar disa punëtorë që merreshin me shtrimin e pllakave në pallate të rinj. Ajo ka deklaruar se viktima merrte shuma të ndryshme parash borxh dhe se në atë kohë kishte herë pas herë presione dhe kërcënime të vazhdueshme nëpërmjet telefonit.
KONFLIKTI PËR 25 MIJË EURO
Përcaktuese për zbulimin e autorit të ngjarjes ka qenë dëshmia e mikut të viktimës, shtetasit A.B. Ai është pyetur nga Prokuroria, ku ka deklaruar se me viktimën kishte lidhje të ngushta shoqërore. Sipas tij, para vrasjes, ai i kishte prezantuar disa miq të tij Vasil Bibës, të cilët i kanë dhënë shuma parash në këmbim të disa hyrjeve dhe dyqaneve në disa pallate të rinj që po ndërtoheshin në Tiranë.
Sipas mikut të viktimës, kanë qenë dy persona që i kanë dhënë para viktimës, një shtetas me inicialet A.K., i cili i ka dhënë 34 mijë euro në këmbim të një apartamenti në zonën e Unazës së Re, dhe i pandehuri Bledar Mneri, i cili i kishte dhënë 25 mijë euro në këmbim të një dyqani në zonën e Porcelanit.
Sipas dëshmitarit, ditën e zhdukjes së viktimës, më datë 30.11.2015, ai është takuar me të dhe autorin e krimit, Bledar Mnerin. Ky i fundit ishte personi që kishte thirrur takimin, për t’i kërkuar shumën që i kishte dhënë viktimës për dyqanin. Sipas dëshmitarit, të tre kanë shkuar te zona e “Unazës së Re” ku Vasili do të merrte një sasi hekuri për të vazhduar punën në një pallat.
Pasi kanë pirë atje, ata janë kthyer në zonën e Porcelanit, ku supozohej se do të merrte dyqanin i pandehuri. Dëshmitari tregon se i pandehuri i ka kërkuar që të zbresë nga makina dhe të ikte në shtë- pi, duke insistuar që viktima të qëndronte në makinë dhe të vazhdonte rrugën me të.
Miku i viktimës ka zbritur dhe ka vazhduar për në shtëpi. Rreth orës 18:30, ai ka marrë një telefonatë nga shtetasi A.K., i cili i kishte dhënë viktimës 35 mijë euro për një apartament. A.K. i tha dëshmitarit se donte ta takonte viktimat pasi kërkonte paratë mbrapsht. Pas kësaj, dëshmitari ka shkuar në lokalin në pronësi të autorit të krimit dhe e ka pyetur këtë të fundit për Vasilin. I pandehuri ka thënë se nuk e dinte vendndodhjen e viktimës dhe se ai e kishte zbritur nga mjeti në zonën e Oxhakut.
KËRCËNIMET DHE TELEFONATA E FUNDIT
Në dëshminë e tij, miku i viktimës ka thënë se para zhdukjes, kishte dëgjuar disa herë të pandehurin që ta kërcënonte Vasil Binën në telefon me fjalë të ndryshme si: “Do të të qëroj”; “Nuk e ke jetën të gjatë po s’më dhe paratë”; “ Më jep paratë mos më bëj që të t’i lë fëmijët rrugëve”; “Do të të bëj me vrima”.
Po kështu, dëshmitari ka sqaruar se disa ditë pas zhdukjes, viktima e kishte marrë në telefon i shqetë- suar dhe i trembur duke iu lutur dhe kërkuar që ta gjente dhe ta merrte me vete.
“Hajde dhe ti të jesh këtu, se më ka marrë Bledi me nja dy çuna peng dhe po më mbajnë në makinë”. Dëshmitari i ka kërkuar viktimës që të fliste me të pandehurit dhe më pas ata janë takuar në banesën e këtij të fundit. Ky kishte qenë edhe takimi i fundit me viktimën para vrasjes