Ekzekutimi i Ardian Nikulajt në mesditën e 19 prillit brenda lokalit “Coral” në Shëngjin, mund të jetë kryer nga një shkodran. Autori që hyri në lokalin në pronësi të tij e që mbante një maskë kirurgjikale, skafandër dhe jelek fosforeshent dyshohet se është nga Shkodra, por ende nuk është zbardhur plotësisht roli i tij në ngjarje.
Pamjet filmike të marra nga kamera të ndryshme sigurie, në data e orë të ndryshme pikasin një person që lëviz i veshur me rroba policie në Kryebushat të Shkodrës. Pamja e tij është identike me atë të personit që shfaqej në videon që tregonte ekzekutimin e Nikulajt. Një tjetër detaj që e përforcon këtë pistë është edhe fakti që ai lëviz me motor, njësoj si autori i ngjarjes.
Sipas të dhënave jo zyrtare, Panorama shkruan se policia e Lezhës në bashkëpunim me atë të Shkodrës kanë nisur verifikimet e lëvizjeve të një personi që dyshohet i përfshirë në një nga atentatet më të bujshme të ndodhura në qytetin verior, më shumë se një dekadë më parë. Detajet në lidhje me këtë person, i cili doli i pastër nga akuzat që iu bënë për vrasjen e asokohshme, nuk janë bërë publike për shkak të hetimeve.
Ndërkohë, pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e hakmarrjes për shkak të konflikteve që Nikulaj ka pasur, edhe pse zyrtarisht ai nuk ka qenë ndonjëherë i hetuar apo i akuzuar për vrasje.
Policia e Lezhës, për tri ditë me radhë kërkoi të binte në gjurmë të ndonjë personi të familjes Lekstakaj në dy fshatra të Lezhës, por në fakt ata rezultojnë që nuk kanë hyrë në Shqipëri prej shumë e shumë vitesh, e për më tepër dy vëllezërit Elton e Klodian Lestakaj në një intervistë për EuroneësAlbania mohuan që te kenë lidhje me ngjarjen, apo se kanë menduar të marrim hak ndaj 50-vjeçarit.
Edhe pse e kanë akuzuar publikisht Nikulajn se u ka vrarë dy familjarët Lauren dhe Gëzim Lestakaj, ata thanë se drejtësinë e kërkojnë vetëm nga shtetit.
“Nuk kemi çfarë themi më shumë nga ajo ç’ka kemi kërkuar 7 vite më parë, aq më tepër që s’duam të ngjallim emocione negative në këtë rast të freskët. Edhe pse ngjarja ka ndodhur e nuk kemi përgjegjësi, ne sërish do kërkojmë sërish hetim të ngjarjes deri në fund. Nëse shteti shqiptar na garanton jetën me status dëshmitarësh, ne vijmë e përballemi në gjykata. S’kemi dashur kurrë gjak, as nuk duam, duam drejtësi në dosje. Nëse shteti shqiptar na thërrret për hetim ne vijmë menjëherë”, deklaruan ata.
Po ashtu edhe një familje tjetër, me mbiemër Kolndreu, që u tha se ishin konfliktuar fizikisht me Nikulajt, refuzuan të ishin pjesë e kësaj ngjarjeje dhe madje kërkuan që t‘i përgjigjen edhe sipas Kanunit familjes së viktimës.
Teksa priten dëshmi të tjera nga ana e familjarëve të afërt të viktimës, por edhe të miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij, mbetet i rëndësishëm në zbardhjen e kësaj ngjarje kriminale, roli i makinës “Land Rover Discoveri”.
Sipas TCH, mjeti dyshohet se është përdorur jo vetëm për te larguar autorin e vrasjes së Ardian Nikulajt në Shëngjin, por edhe për të vëzhguar objektivin e sulmit gjatë qëndrimit të tij pranë ambienteve të lokalit.
Policia e Lezhës ka mundur të gjejë mjetin “Land Rover Discovery” në pronësi të një italiani që dyshohet se transportoi ekzekutorin së bashku me motorin nga fshati Kukel në drejtim të Velipojës.
Kamerat e kanë makinën kapur dy ditët e fundit para krimit, në datat 17 dhe 18 prill, duke patrulluar në zonën e Shëngjinit dhe pranë lokalit “Coral” ku ndodhi atentati. Në pamje, duken një burrë dhe një grua, të cilët janë shoqëruar në Komisariat dhe pritet të merren në pyetje.
Sakaq, mësohet se makina rezulton në pronësi të një shtetasi italian, ndërsa policia është në pritje të të dhënave nga përtej Adriatikut për të parë nëse mjeti është i vjedhur dhe për të verifikuar italianin që rezulton pronar.
Policia ka dyshime se si informator ka shërbyer shtetasi anglez, i cili është prezantuar si turist dhe ka qëndruar në Shëngjin nga data 14 deri ne 19 prill. Një grup ekspertesh po vëzhgojnë kamerat e aeroportit të Rinasit për të parë lëvizjet dhe se me kë shoqërohej anglezi i dyshuar.
LEXO EDHE:
Vrasja e Nikulajt/ Merret në pyetje “anglezi” që e vëzhgoi, zbulohet itinerari i “Defenderit”