Koordinatorja e Programit për të Drejtat e Njeriut në Qendrën për Edukim Qytetar (CGO) në Mal të Zi, Tamara Milash, tha fakti qëndron se askush nuk është mbajtur ende përgjegjës për vrasjen e njerëzve në Kaluxherski Laz (fshat në Mal të Zi) në vitin 1999, gjë që, thotë ajo, detyron Prokurorinë Speciale të Shtetit (PSSH) që në mënyrë adekuate të zhvillojë një hetim dhe të vërtetojë të gjitha faktet e këtij krimi.
CGO e bëri të ditur këtë me rastin e 18 prillit, ditën kur në valën e parë në Kaluxherski Laz në vitin 1999 u vranë gjashtë persona dhe pesë u plagosën dhe më vonë u vranë 11 të tjerë, raporton televizioni publik malazez RTCG.
“Me rastin e 24 vjetorit të krimit të luftës në Kaluxherski Laz, Qendra për Edukim Qytetar shfrytëzon rastin që të ftojë Prokurorinë Speciale të Shtetit që në përputhje me obligimet nga Strategjia për Hetimin e Krimeve të Luftës, por edhe qasjen e miratuar të shqyrtimit të shumë lëndëve nga periudha paraprake, të merret në shqyrtim dhe ky rast, dhe në mënyrë që përfundimisht të konstatohen të gjitha rrethanat dhe faktet dhe të arrihet deri te aktakuza dhe aktgjykime të qëndrueshme të fajësisë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se koloneli në pension Predrag Strugar dhe pjesëtarët e ish-Ushtrisë Jugosllave u liruan nga akuzat për krime lufte kundër popullatës civile, të cilat, sipas aktakuzës, ishin kryer në Kaluxherski Laz në pranverën e vitit 1999. Ata akuzoheshin për shkelje të rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe trajtim çnjerëzor të popullatës civile të kombësisë shqiptare.
Milash thekson se “në aktakuzën e ngritur më 30 korrik 2008, prokuroria ka deklaruar se më 18 prill 1999 në vendin e quajtur Kaluxherski Laz janë vrarë gjashtë persona dhe pesë janë plagosur, ndërsa në raste të tjera që kanë ndodhur nga 18 prilli deri më 21 maj 1999, 11 persona të tjerë u vranë në të tjera lokacione”.
“Të gjitha viktimat ishin të nacionalitetit shqiptar dhe në mesin e tyre kishte edhe të mitur, gra dhe të moshuar. Prokuroria e cilësoi këtë si krim lufte dhe për këtë akuzoi tetë persona”, tha Milash.
Ajo po ashtu rikujton se pas shtatë vitesh procedurë dhe refuzimit të një pjese të aktakuzës, të gjithë të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm.
“Ka ende shumë paqartësi rreth këtij krimi, sepse para, gjatë dhe pas procedurës janë shfaqur informacione të ndryshme për numrin e viktimave, kohën e vrasjeve dhe lëvizjen e paligjshme të kufomave të viktimave”, shton Milash.
Siç thotë ajo, edhe pse në PSSH janë bërë disa ndryshime, fatkeqësisht, kur bëhet fjalë për krimet e luftës, mbeten praktika të vjetra të këqija, të shoqëruara me mungesë vullneti për t’i trajtuar këto raste siç duhet dhe deri në fund.
“CGO tregon se ndjekja penale e duhur e krimeve të luftës është një nga detyrimet kryesore nga kapitulli 23 i negociatave (Gjyqësori dhe të drejtat themelore), domethënë se Komisioni Evropian gjithashtu e vlerëson këtë në negociatat e anëtarësimit midis Malit të Zi dhe BE-së”, tha Milash.
“Megjithatë, duke qenë se krimet e luftës nuk skadojnë, ka ende mundësi që PSSH të tregojë vendosmëri dhe, përmes aktakuzave konkrete, të fillojë të vendosë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës, por edhe për shoqërinë malazeze”, potencoi Milash.
Në mars 2007, Zyra e Prokurorit të Lartë të Malit të Zi filloi një hetim kundër oficerit të Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ) Pavle Strugar dhe 11 ish-anëtarëve të UJ-së për pjesëmarrjen e tyre të dyshuar në krime lufte pranë kufirit me Kosovën.
Në gusht të vitit 2008, prokuroria ngriti një aktakuzë kundër Strugarit, komandantëve Momçillo Barjaktaroviq, Petar Labudoviq dhe Aco Knezheviq dhe rezervistëve Branislav Radniq, Boro Novakoviq, Mira Bojoviq dhe Radomir Gjurashkoviq.
Gjatë gjykimit, prokuroria pretendoi se pjesëtarët e UJ-së hapën zjarr ndaj një grupi refugjatësh shqiptarë që kalonin kufirin nga pala kosovare, ndërsa mbrojtja pretendoi se ushtria po mbronte kufirin nga sulmet e mundshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në dhjetor 2013, Gjykata e Lartë në Bijelo Polje liroi të akuzuarit për krime lufte kundër popullatës civile, me shpjegimin se prokurorët nuk dhanë prova të mjaftueshme se ata ishin fajtorë.
Një vit më vonë, Gjykata e Apelit e Malit të Zi konfirmoi vendimin e Gjykatës së Lartë.
Organizata joqeveritare Aksioni për të Drejtat e Njeriut i bëri thirrje gjithashtu prokurorisë të martën që të rihapë hetimin për rastin Kaluxherski Laz, duke pretenduar se hetimi i mëparshëm ishte zhvilluar keq.
“Prandaj duhet të hapet sërish hetimi, por edhe përgjegjësia e mundshme e eprorëve për një lloj bashkëpunimi apo në bazë të përgjegjësisë komanduese”, thuhet në njoftimin e Nismës.
Si pjesë e Jugosllavisë, Mali i Zi mori pjesë në luftërat e viteve 1990, megjithëse nuk u zhvillua asnjë luftë në territorin e tij. Që nga pavarësia e Malit të Zi në vitin 2006, janë mbajtur vetëm tetë gjykime për krime lufte të kryera në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Por vetëm shkelësit e nivelit të ulët u gjykuan.
Në raportin e tij mbi përparimin e Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE për vitin 2022, Komisioni Evropian deklaroi se prokuroria arriti rezultate të kufizuara në zbatimin e Strategjisë së saj për Hetimin e Krimeve të Luftës, por gjithashtu vuri në dukje se vendi po kërkon të bëjë ndryshime në ligj me qëllim përmirësimin e mënyrës se si zbardhen këto krime.