“Detyra e drejtores së re është që të cojë aty ku e kanë vendin ata që kanë luajtur bishtin e institucionit për interesat e tyre!”.
Me këtë fjali sa kërcënuese, aq edhe paralajmëruese për ata që deri më 11 Mars nuk I ishin bindur Artan Lames si drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Edi Rama prezantoi në krye të institucionit, Dallëndyshe Bicin.
Pa shumë devijime dhe me fraza të zgjedhura mirë, kreu i qeverisë i kërkoi Dallëndyshes që “dora e saj e hekurt” të niste një reprezalje brenda institucionit, duke bashkëpunuar edhe me SPAK për të “prerë” ata që i cilësoi “bishta të shtrembër” brenda ASHK-së.
“Sot kemi një bazë nga e cila mund të shkojmë me shpejtësi më tutje. Në këtë fazë na duhen hapa të shpejtë, është koha të mbyllim rrugët e kontakteve të drejtpërdrejta. Kadastra është banka më e rëndësishme e vendit, është banka e pasurive të paluajtshme, kërkon që të sillet dhe funksionojë si e tillë. Duhet të merren masa serioze në lidhje me bishtat e së keqes në institucion, detyra e drejtores së re është që të çojë aty ku e kanë vendin ata që kanë luajtur bishtin e institucionit për interesat e tyre. Duhet bashkëpunim me Prokurorinë Speciale”, tha kryeministri.
Mesazhin e prerë të Ramës teksa përcillte Lamen dhe i besonte detyrën, duket se e ka marrë shumë seriozisht Bici, e cila në më pak se një muaj nga ceremonia në Kryeministri, ka nisur një operacion “fshesa” brenda institucionit.
Këtë të hënë, Bici ka firmosur shkarkimin e Xheni Agollit si drejtoreshë e Kadastrës së Durrësit, vetëm katër muaj pasi u emërua në këtë detyrë, pas dorëheqjes së Risena Xhajës.
Drejtuesi i komanduar i ASHK Durrës do të jetë Ilir Gjinali, i cili punon prej vitesh tashmë pranë këtij institucioni.
Por, Bici nuk është treguar kaq e butë sa në rastin e Durrësit me Vlorën, pasi ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Posaçme, kreun aktual të ASHK-së në qytetin bregdetar, Erdet Mandi dhe ish-drejtorin Bilbil Aliaj.
Përveç tyre janë kallëzuar me akuzën “për shpërdorim detyre” në SPAK edhe gjashtë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Kadastrës së Vlorës.
Sipas kallëzimit të depozituar, rezulton se pas verifikimeve të kryera, janë evidentuar shkelje të rënda në dhënien e lejes së legalizimit dhe titullit të pronësisë në cenim të truallit të Komunitetit Mysliman.
“Pas gjetjes së shkeljeve të rënda, kam firmosur kallëzimin në SPAK me akuzën “Shpërdorim detyre” për tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të ASHK Vlorë. Kemi filluar dhe do të bëjmë verifikime të hollësishme në të gjitha drejtoritë vendore, nisur nga indicie të qytetarëve, apo raporte zyrtare. Ne jemi në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Kush nga punonjësit e ASHK i ka kuptuar ndryshe politikat e qeverisjes sonë, do të përballet me ligjin dhe drejtësinë”, thuhet në deklaratën e Drejtoreshës së ASHK-së.
TË KALLËZUARIT:
Erdet Mandi – Drejtori i ASHK-së Vlorë
Bilbil Aliaj – Ish-drejtor i ASHK-së Vlorë
Renato Beshaj – Ish-përgjegjës i sektorit të legalizimeve i ASHK-së Vlorë
Denis Metaj – Ish-përgjegjës i Sektorit të Hartografisë
Dorjana Ferati – Ish-përgjegjës i sektorit të çështjeve të pronësisë, aktualisht përgjegjëse e arshivë-protokollit ASHK Vlorë
Anisa Golemi – Specialiste e ASHK-së Vlorë
Bojkena Bani – Ish-specialiste e ASHK-së Vlorë
Teuta Meço – Specialiste e ASHK-së Vlorë
LEXO EDHE:
Nis operacioni “fshesa”/ Dallëndyshe Bici shkarkon shefen e Kadastrës së Durrësit
“Ata që luajnë bishtin do…”/ Rama përcjell Lamen, i kërkon Dallëndyshes arrestime në “Kadastër”