Në Europë pritet të mësyjnë edhe 6 milionë emigrantë. Të paktën kështu raporton gazeta gjermane “Bild” që referon një raport të klasifikuar të qeverisë gjermane.
Sipas këtij dokumenti, Mesdheu është i populluar nga një aradhë e re refugjatësh që pritet të kapërcjenë drejt kontinentit të vjetër. 1 milionë janë vetëm në Libi, një milionë të tjerë janë stacionuar në Egjipt, 720 000 në Jordani, 430 000 në Algjeri, 160 000 në Tunizi dhe 50 000 në Marok. 3 milionë të tjerë janë në Turqi dhe po frenohen aty nga qeveria e Erdogan, në bazë të një marrëveshjeje të arritiur mes Ankarasë dhe Berlinit zyrtar.
Situata përkeqësohet edhe më tej, nisur nga raportimet se një tjetër valë emigrantësh janë duke u shtyrë nga Afrika drejt brigjeve të Mesdheut, gjithnjë me synimin për të mbërritur në Europë. Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani citohet të jetë shprehur se “Europa po e nënvlerëson shkallën dhe peshën e krizës migratore dhe se miliona afrikanë do të përmbysin kontinentin në dy vitet e ardhshme nëse nuk merren masa ugjente”.
Sipas tij eksodi do të jetë i përmasave biblike dhe Europa do të jetë e paaftë të bëjë diçka nëse nuk adreson problemet urgjentisht. Arsyet e këtij mobilizimi masiv janë rritja e popullsisë, ndryshimet klimaterike, zgjerimi i shkretëtirës, luftërat, uria në Somali dhe në Sudan.
Tajani ka rekomanduar edhe një Plan Marshall për Afrikën që do të duhet të akordonte një fond prej 40 miliardë eurosh për të rritur cilësinë e arsimit dhe shtuar mundësitë e punësimit në Afrikë, një kontinent ku parashikohet që deri në vitin 2050 popullsia të shkojë në 2.5 miliardë – raporton Respublica.
Më tepër mund të lexoni duke klikuar KËTU
/dita