Nga Boldnews.al
Ndërkohë që Erion Veliaj, shpalli me bujë të madhe se mbolli pemën e njëmiliontë të “Pyllit Orbital” të kryeqytetit, të dhënat e specializuara dëshmojnë se grimcat e pluhurave në Tiranë janë tre herë më të larta se sa normat standarte të Bashkimit Europian.
Po ashtu, edhe të gjithë parametrat e tjerë të cilësisë së ajrit në kryeqytetin e betonizuar shqiptar janë shumë më keq sesa standartet e qyteteve normale në Europë.
Të dhënat janë publikuar nga një projekt i organizatës “Milieukontakt Albania”, e cila ka kryer një monitorim të pavarur të parametrave të ajrit në Tiranë.
Organizata ka kryer verifikimet e saj gjatë muajit shtator 2022 dhe rezulatet janë publikuar në fillim të vitit 2023.
Matjet periodike janë kryer në 400 pika të ndryshme të Bashkisë së Tiranës.
Detajet janë teknike, por shifrat krahasuese janë të mjaftueshme për të kuptuar se banorët e kryeqytetit “janë të ekspozuar dhe të rrezikuar nga niveli i lartë i pluhurave të evidentuara”, thuhet në konkluzinin e raportit të monitorimit.
– Standarti i BE-së, për parametrin e dioksidit të karbonit (CO2) është 350 ppm/m3, ndërsa matjet e realizuara nga aktivistët në 400 stacionet e monitorimit tregojnë që vlera mesatare është 418,74 ppm/m3, pra kemi një tejkalim të standarteve të lejuara.
– Pë parametrin NO2 standarti i BE-së është 40 µg/m3, ndërsa matjet e realizuara nga aktivistët në 400 stacionet e monitorimit tregojnë që vlera mesatare është 82,96 µg/m3, pra kemi një tejkalim të standarteve të lejuara.
– Për grimcat e pluhurave PM10 µg/m3 standarti i BE-së është 40 µg/m3, ndërsa matjet e realizuara nga aktivistët në 400 stacionet e monitorimit tregojnë që vlera mesatare është 124.68 µg/m3, pra kemi një tejkalim të standarteve të lejuara.
– Për grimcat e pluhurave 2.5 µg/m3 standarti i BE-së është 25 µg/m3, ndërsa matjet e realizuara nga aktivistët në 400 stacionet e monitorimit tregojnë që vlera mesatare është 65.25 µg/m3, pra kemi një tejkalim të standarteve të lejuara.
Organizata “Milieukontakt Albania” deklaron se “Projekti “Ajër i pastër, jetë e shëndetshme” zhvillohet në kuadër të Green-AL, një projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fondet e Qeverisë Suedeze, i zbatuar nga Co-PLAN Institute for Habitat Development në bashkëpunim me VIS Albania COSV – Cooperazione per lo Sviluppo CISP Sviluppo dei Popoli”.
Të dhënat e studimit rrëzojnë propagandën zyrtare të kryebashkiakut Erion Veliaj mbi cilësinë e ajrit në Tiranë.
Kryeqyteti shqiptar, gjatë dy mandave të Veliajt, ka njohur një rritje galopante të lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqeve të betonizuara. Ndërkohë, kryebashkiaku rreket të tregojë se ai është miqësor me natyrën dhe shprehet se administrata e tij ka bërë shumë për gjelbërimin e Tiranës.
Në kuadër të propagandës së tij, Veliaj prezantoi pak vite më parë projektin e “Pyllit Orbital”, nëpërmjet të cilit, sipas kryebashkiakut, deri në Mars 2023 janë mbjellë 1 milionë pemë të reja në territorin e Tiranës.
Ky qëndrim i Veliajt rrëzohet lehtësisht nga logjika e thjeshtë.
Mbjellja e një milion pemëve kërkon një hapësirë rreth 40 kilometra katrorë (duke pasur në konsideratë se largësia nga një pemë në tjetrën është të paktën 3 metra).
Ndërkohë, sipërfaqja e qytetit të Tiranës është 41 kilometra katrorë.
Pra, nëse deklarimet e Veliajt do të merreshin seriozisht, atëherë qytetarët e Tiranës do të jetonin në pyll.
Por, e vërteta është që kryeqytetasit, falë politikës së Veliajt, po jetojnë në “pyll betoni”, i cila sjell ndotje dhe rrezik të lartë për jetën e shëndetin e qytetarëve.