Marrëveshja e imigracionit e shpallur nga Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau synon të mbyllë një proces që ka mundësuar dhjetëra mijëra emigrantë nga e gjithë bota të lëvizin midis të dy vendeve dhe të ndjekin rastet e azilit pa kaluar nëpër një vendkalim kufitar zyrtar.
Të dy udhëheqësit publikuan hollësitë të premten në Otavë. Emigrantët përdorën një rrugë të largët jashtë Champlain-it në Nju Jork, për vite me radhë për të arritur në tokën kanadeze, dhe më pas u lejuan të qëndronin ndërsa çështjet e azilit ishin në pritje. Kalimet drejt jugut gjithashtu janë rritur ndjeshëm. Autoritetet nga të dyja palët kanë qenë të motivuar për t’i dhënë fund procesit.
Politika e re thotë se çdo azilkërkues që nuk ka nënshtetësi amerikane ose kanadeze dhe kapet brenda 14 ditëve nga kalimi do të kthehet përtej kufirit. Ai ishte vendosur të hynte në fuqi një minutë pas mesnatës të së shtunës, një zbatim i shpejtë që synon të shmangë një rritje të pretenduesve refugjatë që përpiqen të kalojnë, sipas zyrtarëve kanadezë që folën në kushte anonimiteti për të diskutuar paraprakisht marrëveshjen.
“Ne po zgjerojmë Marrëveshjen e Vendit të Tretë të Sigurt që të zbatohet jo vetëm në portet e përcaktuara të hyrjes, por në të gjithë kufirin tokësor, duke përfshirë rrugët e brendshme , duke siguruar drejtësi dhe migrim më të rregullt midis dy vendeve tona”, thuhet në njoftimin e Kanadasë.
Kanadaja gjithashtu ra dakord të lejojë 15,000 migrantë të aplikojnë “në baza humanitare nga hemisfera perëndimore gjatë vitit, me një rrugë drejt mundësive ekonomike për të adresuar zhvendosjen e detyruar, si një alternativë ndaj migrimit të parregullt”.
Disa nga emigrantët e fundit që arritën të kalonin ishin rreth tetë persona në dy familje – njëra nga Haiti, tjetra nga Afganistani. Gerson Solay, 28 vjeç, e çoi vajzën e tij Bianca deri në kufi. Ai tha se nuk kishte dokumentet e duhura për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara.
“Kjo është arsyeja pse Kanadaja është destinacioni im i fundit,” tha ai përpara se të merrej në paraburgim për përpunim dokumentacioni.
Marrëveshja vjen pasi Patrulla Kufitare Amerikane gjithashtu i përgjigjet një rritjeje të madhe të kalimeve të paligjshme drejt jugut përgjatë kufirit të hapur kanadez. Pothuajse të gjitha ndodhin në veri të Nju Jorkut dhe Vermontit përgjatë kufirit më të afërt me dy qytetet më të mëdha të Kanadasë, Toronto dhe Montrealit.
Ndërsa shifrat janë ende të vogla në krahasim me kufirin SHBA-Meksikë, kalimet po ndodhin kaq shpesh tani sa Patrulla Kufitare rriti personelin e saj në rajon dhe ka filluar të lirojë disa emigrantë në Vermont që kanë një datë të ardhshme për t’u paraqitur para autoriteteve të imigracionit.
Zyrtarët kanadezë kanë luftuar për ta përballuar këtë që nga fillimi i vitit 2017. Shumë migrantë të nisur nga veriu thanë se po iknin sepse kishin frikë se politikat e imigracionit të Presidentit Donald Trump ishin armiqësore ndaj pranisë së tyre në Shtetet e Bashkuara. Procesi vazhdoi që kur presidenti Biden mori detyrën.
Agjentët e Patrullës Kufitare të SHBA-së ndaluan emigrantët që hynin ilegalisht nga Kanadaja 628 herë në shkurt, më shumë se pesë herë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këto shifra janë të ulta në krahasim me emigrantët që hyjnë nga Meksika – ku ata u ndaluan më shumë se 220,000 herë vetëm në dhjetor./VOA