Deputetja e PD-së, Ina Zhupa deklaroi se PD e vërtetë është ajo që ka si kryetar Sali Berishën ndërsa palës së Alibeajt e Bashës sipas saj i mungojnë demokratët dhe strukturat për të qenë Partia Demokratike.
Zhupa e ftuar në rubrikën “Opinion” shtoi se nuk mund të ketë një parti pa kryetar, duke thënë se nuk mundet që përgjegjësitë e kryetarit të partisë të delegohen ashtu si pretendohet nga pala tjetër, ndërsa tha se kjo gjë ka krijuar një ngërç ligjor ku KQZ ka kërkuar një deklaratë me shkrim nga Basha.
“Vetë fakti që kërkohet ende të ngjallet Basha si kryetar i PD-së tregon absurditetin ku po jetojmë. Realiteti është Partia Demokratike me strukturat e saj, me Primaret dhe kryetarin e saj Sali Berisha. Kemi dhe palën tjetër me Alibeajn dhe Bashën të cilës i mungojnë demokratët dhe strukturat.
Në momentin që Celibashi detyrohet nga Rama t’ia japë Alibeajt krijohet një tjetër ngërç ligjor. Nuk ka parti pa kryetar, kur ikën një kryetar organet zgjedhin menjëherë zëvendësin e tij. Është vullneti i Ramës për të krijuar këtë ngërç ligjor dhe të mos lejojë kandidatët e Primareve të kandidojnë. Frika e Ramës ka krijuar këto artifica ku Celibashi kërkon deklaratën e Bashës. Është si t’i kërkojmë një personi të delegojë votën. Kjo nuk lejohet, apo të delegosh dhëndrin në një martesë. Tjetër është kompetenca dhe tjetër është përgjegjësia.
Kur ka vetëm një PD nuk mund të ketë dy palë në gjykatë sepse do të nënkuptonte dy parti. Problemi është ai që i përdor ata në palën tjetër. Nuk besoj se kanë fuqi Basha apo Alibeaj të çojnë çështjen në Apel dhe të bëjnë atë që ndodhën, atë forcë e ka Rama’, shprehet Zhupa.
Zhupa tha gjithashtu se kandidatët e dalë nga Primaret nuk do dalin në siglat e partive të tjera, por do bëjnë gjithçka që ata të garojnë nën logon e PD-së, ndërsa tha se nëse kryeministri Rama nuk do e lejojë këtë gjë, atëherë do vijohet me koalicionin.
“Ne jemi të hapur për bashkëpunim, cilido deputet që e sheh zgjidhjen te bashkimi është i mirëpritur të vijë dhe të bëjë fushatë për ne. Alibeaj nuk ka parti, nuk ka struktura, nuk e njeh as KQZ si kryetar. Realiteti është ai që njeh çdo shqiptar, këta kanë nxjerrë kandidatët e tyre dhe tani thonë të nxjerrim në zgjedhje kandidatët e Primareve. Edhe një demokrat që nuk e ndjen veten mirë me zotin Berisha është i mirëpritur. Më mirë demokratë pa vulë se sa vulë pa demokratë.
Ne nuk do dalim me siglën e asnjë partie tjetër. Kandidatët tanë do i nxjerrim me siglën që u takon. Nëse Rama e mban peng atë për interesat e veta ne do i nxjerrim në siglën e një koalicioni opozitar siç është vendosur nga Këshilli. Vendimi ishte që nuk tërhiqemi nga zgjedhjet dhe se kandidatët e Primareve do jenë kandidatët e opozitës së bashkuar. Do kemi listat tona dhe do përballemi për të siguruar kryebashkiakë të denjë për qytetarët.
Keni të drejtë kur thoni që kemi përballë një ushtri aktivistësh dhe patronazhistësh. Administrata është në shërbim të fushatës së mazhorancës, por kundrejt tyre dhe prasë së krimit ne kemi vendosur kandidatët më të mirë që përfaqësojnë interesat e qytetarëve. Ne kemi vënë emra me integritet dhe që askush nuk ka ku i kap. Kanë një program dhe janë zgjedhur nga demokratët. Kur të gjithë e shesin sapunin për djathë vjen momenti që kur ka djathë cilësor të gjithë mendojnë se është sapun. Këta që janë tani në bashki janë sapun, nuk kemi çfarë u shoshim më.
Ne sot ishim për procesin e regjistrimit dhe do ndjekim të gjitha procedurat për të vijuar me regjistrimin tonë edhe nëse Rama na pengon do vijojmë me koalicionin.
Edhe sikur të na jepnin logon e PD ashtu si na takon do vijonim me koalicionin. Rama ka koalicion me krimin e oligarkët, nga ana tjetër ne do ndërtojmë një koalicion të pastër me partitë e tjera opozitare dhe qytetarët. Vështirësia më e madhe në Shqipëri janë truket që kanë përdorur me votën ku mijëra vota janë shpallur të pavlefshme vetëm nga mekanizmat e vendosura”, tha ajo.