Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka zgjedhur të urojë mësuesit dhe pedagogët për 7 marsin duke evidentuar disa nga problematikat me të cilat haset sot arsimi shqiptar.
Në një deklaratë për mediat, Xhixho tha se sot janë mijëra mësues që udhëtojnë me kilometra të tëra dhe që punojnë në shkolla me dy turne e pa kushtet më minimale.
Sipas deputetes së PL-së, mësuesit shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon.
Xhixho ëështë shprehur se është emergjente që të rritet buxheti për arsimin, aktualisht më i ulëti në rajon, vetëm 2.2%PBB, kur mesatarja europiane është 5% e PBB.
Arsimi duhet të bëhet prioritet kombëtar dhe mësuesit e pedagogët aleatët më të fortë në luftën kundër shpopullimit të vendit shprehet Xhixho.
Deklarata e deputetes Erisa Xhixho:
Të nderuar mësues e nxënës, në këtë ditë të shënuar për mijëra mësues, pedagogë dhe edukatorë të brezit të ri, shprehim mirënjohjen e thellë për secilin prej tyre.
Janë me mijëra mësuesit e këtij vendi, të cilët punojnë në kushte të vështira, ndaj 7 Marsi nuk mjafton për t’u shprehur atyre falënderimin për punën e përkushtuar
Janë me mijëra mësuesit shqiptarë që udhëtojnë çdo ditë për kilometra të tëra, për ta çuar dijen te fëmijët, janë me mijëra të tjerë që punojnë në shkolla me dy turne, pa ngrohje dhe pa laboratorë, qindra të tjerë që punojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara, duke u bërë njëkohësisht kujdestarë dhe edukues.
Të nderuar mësues,
E di që brenga më e madhe e një mësimdhënësi është një klasë pa nxënës. Fatkeqësisht, vitet e fundit i keni parë gjithnjë e më shumë klasat të tkurren e shkollat të mbyllen, duke ju vënë edhe ju përpara vështirësive të reja.
Emigrimi masiv i familjeve shqiptare i ka lënë shumë prej jush pa punë, ndërsa të tjerë janë të detyruar të japin mësim në klasa kolektive. Kjo e ka vështirësuar misionin tuaj për të përgatitur brezin e ri.
Ne kemi nevojë për të rinj me mendim kritik, qytetarë të angazhuar që njohin të drejtat e detyrimet, që mbrojnë bindjet e kauzat e tyre duke ditur vlerat e demokracisë e shtetit të së drejtës, ndaj fuqizimi I rolit të mësuesit është sot domosdoshmëri jetike për vendin.
Fatkeqësisht, sot jemi shumë larg vlerësimit financiar që meritojnë ata. Mësuesit shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon. Puna e tyre nuk shpërblehet aq sa vlen financiarisht. Vështirësitë që hasin përditë janë të mëdha.
Është emergjente që ne të rrisim buxhetin për arsimin, aktualisht më i ulëti në rajon, vetëm 2.2%PBB, kur mesatarja europiane është 5% e PBB.
Me bindjen e padiskutueshme se duke mbështetur arsimin do të mund të luftojmë shpopullimin me ritme të frikshme që po i ndodh vendit, kemi kërkuar rritjen e pagave të mësuesve në 12% dhe kemi mbështetur kërkesën e pedagogëve për rritjen e pagave në nivele të krahasueshme me ato të Kosovës dhe rritjen e financimit per kerkimin shkencor i cili sot eshte 0.04% PBB kur standarti i BE eshte 1 %PBB.
Fatkeqësisht, amendamentet tona për buxhetin e vitit 2023 u refuzuan pa argument, duke lënë në fuqi rritje vetëm rritjen 6% për mësuesit dhe 15% për pedagogët, e pamjaftueshme për krizën e çmimeve me të cilën po përballen familjet shqiptare dhe ku mësuesit nuk përjashtohen.
Nëse nuk i vlerësojmë për punën e jashtëzakonshme që bëjnë, do të thotë se nuk e kemi kuptuar rolin e jashtëzakonshëm që ata luajnë
Nuk ka bindje politike kur vjen puna për edukimin e një kombi, por ka interes kombëtar.
Do të na kushtojë shumë shtrenjtë emigrimi i shumë prej mësuesve e pedagogëve, e bashkë me ta edhe i nxënësve e studentëve që ata kanë përgatitur.
Arsimi duhet të bëhet prioritet kombëtar dhe mësuesit e pedagogët aleatët më të fortë në luftën kundër shpopullimit të vendit.
Ndaj ky 7 Mars nuk mund të jetë kurrsesi një arsye për të festuar, por një moment reflektimi për atë që mund të bëjmë për të ndryshuar të ardhmen.
Edukimi është arma më e fuqishme që mund të përdorim për të ndryshuar botën. Kjo thënie e pakohë e Nelson Mandelës merr sot vlerë më shumë se kurrë.
Duhet ta fuqizojmë këtë armë për të ndryshuar Shqipërinë.