Qeveria, me buxhetin e vitit 2018, do të rrisë pensionet dhe pagat. Në mbështetje të shtresave në nevojë, edhe për këtë vit qeveria do të miratojë paketën e solidaritet, nga ku pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike do të përfitojnë shpërblimet e fundvitit.
Relatori i ligjit të buxhetit 2018 në Komisionin e Ekonomisë, deputeti i Partisë Socialiste Anastas Angjeli, në intervistën dhënë gazetës “Panorama”, konfirmoi rritjen e pensioneve për vitin e ardhshëm dhe shpërndarjen e shpërblimeve për këtë kategori në muajin dhjetor. Për rritjen e pagave, deputeti i PS-së Angjeli tha se me buxhetin e ri qeveria do të akordojë fondin 1 miliard lekë.
Përfitues të rritjes së pagave do të jenë mësuesit, mjekët dhe infermierët. Më herët, Komisioni i Ekonomisë miratoi edhe taksën e re të ndërtesës për familjarët dhe biznesin. Deputeti Anastas Angjeli sqaroi se formula e re e taksimit nuk do të rrisë tatimin për shtëpitë dhe biznesin, pasi ndryshimi synon sistemimin e taksës konform një metode bashkëkohore që përdoret edhe në vendet e rajonit.
“Për shtëpinë e parë, qytetarët do të paguajnë më pak, taksa e banesës do të jetë më e vogël dhe një kategorizim i tillë do të jetë edhe me taksën për ndërtesat që përdoren për zhvillim ekonomik. Pensionistët nuk do ta paguajnë taksën e banesës, përfitues do të jenë edhe kategori të tjera si familjet me ndihmë ekonomike.”, deklaroi relatori i ligjit të buxhetit 2018, Anastas Angjeli.
Komisioni i Ekonomisë është në përfundim të diskutimeve për buxhetin e vitit 2018. Çfarë sjell ky buxhet për ekonominë dhe cilat janë impaktet që u përcillen qytetarëve?
Po, tashmë debati dhe diskutimet për Buxhetin e 2018 janë drejt përfundimit dhe do të përmbyllen në 30 nëntor, kur ai do të votohet në Kuvend, dhe nga 1 janari i vitit 2018, vendi do të ketë një buxhet të ri. Duhet theksuar se, buxheti dhe paketa fiskale që e shoqëron atë nuk janë thjesht disa projekte “të ngurta”.
Ato kanë kaluar në një proces të gjatë vlerësimi dhe rivlerësimi, konsultimesh dhe debatesh me grupet e interesit, institucionet dhe qytetarët, duke kërkuar në këtë mënyrë maksimalizim të përshtatshmërisë së nevojave të qeverisë për vazhdimin e reformave, për arritjen e një zhvillimi të mëtejshëm ekonomik, plotësimit të nevojave në të mirë të interesit të qytetarëve apo grupeve të ndryshme të interesit, me qëllim që të kemi më shumë drejtësi ekonomike dhe fiskale.
Në hartimin e buxhetit të 2018, qeveria ka gjetur instrumentet e duhura për të nxitur dhe zhvilluar ata sektorë të ekonomisë, që kanë nevojë për mbështetjen e buxhetit të shtetit, si dhe të zhvillojë me tej planin ambicioz të saj për shtetbërje, punësimit dhe mirëqënie. E them këtë, pasi përmes politikës buxhetore të vitit 2018 do të mbështeten prioritetet tashmë të përcaktuara të zhvillimit të vendit. Buxheti i këtij viti ka një ndryshim shumë të madh në krahasim me buxhetet e tjera.
Tashmë ka qartësisht të përcaktuara 4 prioritete të zhvillimit ekonomik. Në qoftë se për 4 vitet e kaluara prioritetet kryesore ishin konsolidimi fiskal dhe programi i zhvillimit të rilindjes urbane, suksesi i së cilave tashmë është i ditur, në vitet që do pasojnë, siç e theksova, janë 4 prioritete që do të mbështeten nga ky buxhet dhe nga paketa fiskale që e shoqëron atë. Është infrastruktura dhe kryesisht infrastruktura rrugore, por edhe ajo në arsim dhe në shëndetësi.
Prioritete do të jenë edhe zhvillimi energjetik, bujqësia dhe turizmi. Pikërisht, mbështetja e këtyre prioriteteve dhe reformave përbën karakteristikën themelore të këtij buxheti. Kjo nuk do të thotë se ky buxhet nuk do të mbështesë degët dhe drejtimet e tjera të funksionimit të shtetit dhe zhvillimit të vendit.
Buxheti i ri suporton vazhdimin e zbatimit të reformave të ndërmarra, si ajo në drejtësi, reforma e ujit, reforma e decentralizimit të pushtetit vendor, reforma në arsim, shëndetësi, ajo e fiskalitetit, dixhitalizimit për të çuar më tej luftën e përhershme kundër informalitetit.
Si kontribuon konkretisht buxheti i vitit 2018 në angazhimin e qeverisë për më shumë zhvillim ekonomik?
Pas konsolidimit fiskal të arritur dhe rritjes gati 3-fish në fund të mandatit të kaluar, ky buxhet dëshmon se ekonomia e vendit do të vazhdojë të rritet më tej në periudhën afatmesme duke treguar performancën e qeverisjes. Rritja ekonomike, sipas vlerësimeve, parashikohet që në vitin 2018 të jetë 4.2 për qind, në vitin 2019 të jetë 4.3 për qind dhe në vitin 2020 të jetë 4.4 për qind.
Gjithashtu, vitin që vjen kuadri makroekonomik do të vazhdojë të konsolidohet përmes ruajtjes së deficitit buxhetor në masën 2%, uljes së bilancit primar në 0.6%, vazhdimin e trajektores ulëse të borxhit publik në 68.7% etj. Këta janë tregues që dëshmojnë njëherësh edhe për përgjegjshmërinë fiskale të qeverisë, sepse qëllimi i këtij buxheti është të krijojë më shumë hapësira për të investuar në ekonomi.
Ky zhvillim ekonomik, në vitin që vjen, do të mbështetet nga programet dhe investimet private dhe të huaja, në mbështetje të bujqësisë, energjisë dhe infrastrukturës. Investime këto, të cilat në buxhetin e 2018 zënë 5.2% të PBB. Ndërkohë që këto investime do të mbështeten dhe nga një projekt i njohur tashmë për publikun që është projekti “1 miliard euro investime”, i cili do të zbatohet sipas partneritetit publik privat.
Po kjo paketë e partneritetit publik-privat duket se ka ngjallur edhe një debat publik maxhorancë-opozitë. Opozita ka shkuar edhe më tej, duke e konsideruar atë si një pastrim parash, sa qëndrojnë këto akuza?
Pa dyshim, si një projekt kaq i madh, i cili do të drejtohet në mbështetje të një prej prioriteteve kryesore që është infrastruktura dhe kryesisht ajo rrugore si dhe infrastruktura në arsim dhe në shëndetësi, pa dyshim që do të ngjallë debat, por njëherësh, ky projekt duhet parë si një instrument, si një politikë për ta nxjerrë si kryefjalë zhvillimin e ekonomisë. Pra, debatet janë të natyrshme, kur janë me sens pozitiv, ato ndihmojnë. Zhvillimi i projekteve të infrastrukturës, sipas partneritetit publik-privat, nuk është një model shqiptar.
Nuk është shpikje as e Kryeministrit, as e qeverisë. Në 20 vitet e fundit, vende të zhvilluara të Bashkimit Europian, edhe shtete të tjera, e kanë nxjerrë në rend të ditës skemën e partneritetit publik privat për të suportuar investime, sidomos strategjike dhe për t’i arritur ato në kohë. Kjo ka ardhur për shkak të fenomeneve tronditëse të financave publike në gjithë vendet, ku mungesa e fondeve dhe mosplotësimi në kohë i deficiteve buxhetore i ka detyruar ekspertët e ekonomisë të orientohen në një instrument të ri, që është partneriteti publik-privat.
Hipotezat që hidhen, që nuk janë transparente e që ndikojnë në rritjen e borxhit apo për pastrim parash, pa dyshim që nuk janë jashtë vëmendjes të askujt, as të qeverisë. Të gjithë e dimë që suksesi i këtij projekti kaq të madh kërkon një eksperiencë të madhe që ne na mungon. Vendet e tjera, në qoftë se kanë 25 vjet që e përdorin, kanë fituar një përvojë, në Shqipëri pa dyshim që nuk ka një përvojë shumë të madhe, por kjo nuk do të thotë se do të mungojë kujdesi për më shumë transparencë, për më shumë garë, për më shumë efektivitet të projekteve.
Për sa i përket pikëpyetjes nëse është borxh apo jo, shifrat atje janë dhe do të auditohen. Askush nuk mund të fshehë kontabilizimin dhe evidencën, mbi të cilën mbahen këto lloj shpenzimesh. Gjithçka do të jetë e evidentuar dhe ne duhet ta menaxhojmë këtë projekt në mënyrën më efektive të mundshme, që ai të jetë transparent, të shërbejë në sektorë strategjikë, që i shërbejnë zhvillimit ekonomik të vendit.
A parashikon buxheti i vitit të ardhshëm rritjen e pagave dhe pensioneve dhe sa do të jenë fondet e rritjes?
Qeveria që prej mandatit të parë ka pasur si prioritet të vetin jo vetëm indeksimin e pagave për shkak të efekteve inflacioniste, por edhe ndryshimin e dukshëm të nivelit të pagave për disa kategori që ishin lënë në diskriminim dhe jashtë reformës së pagave. Arsimi, shëndetësia, rendi, por dhe sektorë të tjerë, njohën rritje të pagave, duke mos u ndjerë më kategori të lëna në harresë, por si segmente të rëndësishme mbi të cilat qeveria investon dhe kujdeset në mënyrë të vazhdueshme.
Për vitin 2018 janë parashikuar 1 miliard lekë për rritjen e pagave të punonjësve të arsimit dhe shëndetësisë. Parashikohen të bëhen gjithashtu edhe korrektimet për nivelin e inflacionit. Gjithashtu, një paketë solidariteti në rritje për shtresat të ndryshme në nevojë gjejnë vend në këtë buxhet. Kini parasysh që rritja e pagave dhe pensioneve nuk duhet të konsiderohen që bëhen menjëherë për tre muaj sapo qeveria merr mandatin.
Llogaritja e rritjes së pagave të sektorit publik në buxhetin afatmesëm është që brenda mandatit rritja të jetë mbi 40%. Kjo do të ndahet në vite të ndryshme, duke u rritur gradualisht nga viti i parë deri në vitin e katërt të mandatit. Ndaj, asnjëherë nuk duhet të kërkohet që një premtim i dhënë të bëhet jashtë mundësive që ditën e parë.
Projektbuxheti është i shoqëruar me një paketë fiskale, ku disa prej taksave kanë shënuar rritje. A synon kjo politikë fiskale rritjen e të ardhurave?
Në radhë të parë do të duhej që të gjithë kur flasim për rritje taksash, të shohim kategoritë që prekin dhe ndikimin qe kanë ato në buxhetin tonë familjar. Nëse marrim një term të shkëputur dhe themi rritje taksash, kjo bie ndesh menjëherë me reformën fiskale, atë rregullatore dhe të përmirësimit të klimës së biznesit që janë ndërmarrë. Vënia e sistemit fiskal në shërbim të zhvillimit të ekonomik të vendit dhe nxitjes së sektorëve të rëndësishëm, kjo është e dukshme dhe e prekshme, si dhe rezultatet e arritura në uljen e ekonomisë informale. Ulja e presionit të administratës tatimore ndaj subjekteve tatimpaguese është e dukshme dhe e prekshme.
Edhe paketa fiskale e vitit 2018 parashikon reduktime të ndjeshme të taksave për turizmin, teknologjinë e informacionit dhe sektorin e peshkimit, por nga ana tjetër kemi rritje për makinat e shtrenjta, si dhe mallrat e luksit, përfshirë cigaret, dhe besoj se ky është një shembull i thjeshtë i trendit të kësaj reforme për tani dhe në të ardhmen. Pra kemi sektorët më të rëndësishëm ku krijohen lehtësira dhe ulja e taksave për këta sektorë do të ndikojë në rritjen e të ardhurave.
Nga ana tjetër, duke qenë se rritja e të ardhurave të përgjithshme është prioritet në këtë buxhet të vitit 2018, si rrjedhojë e rritjes ekonomike dhe e rritjes së formalizimit të ekonomisë, të ardhurat e përgjithshme të buxhetit parashikohen të jenë 26 miliardë lekë më të larta ose 6 pikë përqindje më shumë se buxheti i vitit 2017. Parashikohet që të ardhurat në buxhet të arrijnë nivelin 28 për qind të PBB-së.
Kjo rritje e të ardhurave është tregues i përmirësimit të administrimit fiskal dhe do të çohet më tej përmes fiskalitetit dhe dixhitalizimit. Peshën kryesore në rritjen e të ardhurave për vitin 2018 e kanë të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të cilat rriten me 18 miliardë lekë, ose 6 pikë përqindje më shumë se viti 2017.
Në traditën e saj, qeveria prej vitesh shpërndan shpërblim për pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike me rastin e festave të fundvitit. A parashikohet edhe në buxhetin e këtij viti fond shpërblimesh për këto kategori?
Pa dyshim që politikat mbështetëse në mënyrë të vazhdueshme dhe në fundvit, për shkak jo thjesht të traditës dhe domosdoshmërisë, janë pjesë e politikave të qeverisë dhe do të vazhdojnë. Edhe në këtë fundvit do të ketë shpërblime për pensionistët, ashtu sikurse edhe buxheti i vitit 2018, siç e theksova, sjell një paketë solidariteti në rritje për shtresa të ndryshme në nevojë që po t’i shtohen edhe efektet e rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë që shoqërohet me rritje të punësimit dhe rritje graduale të pagave dhe pensioneve, del në pah një karakteristikë tjetër e këtij buxheti: ajo e ndikimit pozitivisht edhe te qytetari. Buxheti do të mbështesë gjithashtu një përmirësim të përfitimeve për shtresat në nevojë. Dua të theksoj se një tjetër kategori që mbështetet janë ish-pronarët. Për kompensimin e pronave është parashikuar një fond prej 4 miliardë lekësh, i cili do të rritet në vitet e ardhshme, duke arritur nivelin 5.5 miliardë lekë në vitin 2020.
Një debat ka hapur edhe taksa e banesave. Përse duhen rritur taksat e banesave?
Ka një konfuzion rreth këtyre taksave. Së pari, duhet parë nga këndvështrimi që taksë mbi pronën do të ketë, dhe në rastin konkret flasim për ndërtesat, ku klasifikimi është për ndërtesat që përdoren për banim (banesë e parë, banesë e dytë) dhe flitet edhe për ndërtesa që janë për zhvillim ekonomik. Taksa e pronës është një nga taksat universale në të gjitha sistemet financiare fiskale të të gjithë botës. Nuk ka asnjë vend në Europë që nuk ka taksë për ndërtesat.
Taksa e pronës nuk po rritet, përkundrazi, po bëhet një sistemim i taksave sipas një metode të re bashkëkohore. Taksa, krahasuar me vende të rajonit nuk është më e madhe dhe ka, siç e thashë, një klasifikim, duke krijuar kujdes për të përjashtuar nga kjo taksë shtresën e pensionistëve dhe kategoritë sociale, që sipas ligjit të pushtetit vendor i takojnë këtij pushteti t’i përjashtojë apo jo.
Pra pensionistët nuk e paguajnë taksën e banesës, përfitues do të jenë edhe kategori të tjera. Për shtëpinë e parë, qytetarët do të paguajnë më pak dhe kategorizimi i tillë do të jetë. Ashtu sikurse në raport me taksën për ndërtesat që përdoren për zhvillim ekonomik, taksa e banesës do të jetë më e vogël.