Pensionistët kryefamiljarë në të gjithë vendin që jetojnë vetëm, familjet me ndihmë ekonomike dhe familjet që kanë në pronësi shtëpi muze, nuk do të paguajnë taksën e re të shtëpive. Komisioni i Ekonomisë miratoi dje përjashtimin nga taksa për këto 3 kategori. Opozita nuk mori pjesë në votimin e projektligjit.
Nënkryetarja e Komisionit, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, kërkoi përjashtimin nga taksa të të gjithë pensionistëve në vend. Komisioni i Ekonomisë miratoi që për familjarët, taksa do të jetë 0,05 për qind e vlerës së shtëpisë me çmimet e tregut, ndërsa për biznesin 0,2 për qind.
KATEGORITË QË PËRJASHTOHEN
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, pas dakordësisë më herët edhe me qeverinë, kërkoi që nga taksa e pronës të përjashtohen të gjithë pensionistët kryefamiljarë që jetojnë vetëm, familjet që marrin ndihmë ekonomike dhe qytetarët që kanë në pronësi shtëpi muze.
“Përjashtohen nga taksa ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve, që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat ose në qytet kur familja përbëhet vetëm nga pensionisti. Ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike. Pas kërkesës nga një grup qytetarësh shkodranë të vjetër që zotërojnë ndërtesa që janë shpallur apo gëzojnë statusin e monumentit të kulturës, propozojmë edhe germën g, që ndërtesat kulturore në mbrojtje të përkohshme ose të përhershme për kohën në të cilën deklarohet mbrojtja, të përjashtohen nga taksa e ndërtesës. Bëhet fjalë për të gjitha ndërtesat private në vend, që zotërojnë statusin e monumentit të kulturës”, u shpreh Braçe.
Ndryshimet e propozuara u miratuan vetëm me votat e maxhorancës, pasi opozita nuk mori pjesë në votimin e projektligjit. Nënkryetarja e Komisionit, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, kërkoi përjashtimin nga taksa të të gjithë pensionistëve dhe tatimi mos rritet për familjarët.
“Kur përjashtoni hotele të mëdha me 5 yje, duhet të përjashtoni të gjithë pensionistët, të gjithë familjarët, të gjithë familjet me ndihmë ekonomike. Të ishte për ne, nuk do të ishte rritur fare taksa e pronës. Ishin kategori të përjashtuara që me ligjin e mëparshëm, ju keni shtuar 3 grupe. Taksa për pronën ka qenë me një vlerë të papërfillshme për pensionistët. Tani që po e 3-fishoni në vlerë, tani po bëhet e papërballueshme. Taksa e truallit që shpikët vjet, dështoi, edhe kjo taksë e re për ndërtesat që nuk janë legalizuar, për të gjitha ndërtesat që janë në proces e sipër dhe për shtresat sociale, nuk ka për të funksionuar. Taksa e pronës është taksa që mblidhet më pak në nivel lokal”, u shpreh Tabaku.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, tha se taksa fikse e ndërtesës nuk bënte diferencime, kurse me taksën e re, të gjitha shtresat nuk do të paguajnë njësoj. “Taksa që ka qenë për ndërtesën, nuk bënte diferencim mes meje që jam deputet dhe nënës sime që është pensioniste, dhe paguanim njësoj”, tha Braçe.