Një vit e gjysmë hetime, 50 kontrolle, sasi të konsiderueshme kokaine të sekuestruara, 150 forca policie të Trevizos, Brescias, Barit, Brindisit dhe Venezias të angazhuara për të finalizuar operacionin e koduar “ZZ”, në kuadër të së cilit u lëshuan 6 urdhër arreste për atë që cilësohet një organizatë droge nga Shqipëria drejt Italisë, e cila trafikonte kryesisht kokainë.
Në kuadër të hetimeve në pranga ka përfunduar edhe një ish-futbollist i serie B Giuliano Camporese nga Vittorio Veneto. Në pranga kanë përfunduar edhe Ermir Kola 31 vjeç, Claudjan Koka 28 vjeç.
Në kërkim janë gjithashtu edhe vëllezërit e “bossit” shqiptar të grupit Selim Osmanit, Florian dhe Shkelzen, përkatësisht 26 dhe 36 vjeç.
Operacioni i policisë nisi që në 2015-ën dhe përgjatë këtyre viteve, shumë pjesëtare të bandës janë arrestuar.
Ndërsa hetimet kanë zbuluar se 6 personat e sipërpërmendur kishin rolet e tyre, ndërsa bazën e kishin në Villorba, vend nga i cili ndiqnin shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës në provincën e Trevizos.
Një nga bosët e grupit të trafikut mësohet të jetë Selim Osmani, një ish-punëtor që një vit më parë kishte blerë edhe një mobiljeri të cilën e kishte kthyer në bazë për fshehjen e drogës. (I arrestuar më herët, pasi iu gjetën 300 gramë kokainë në fabrikë)
Rolin e transportuesve mësohet se e kanë pasur vëllezërit Babasi, të arrestuar në 2014-ën pasi në shtëpitë e tyre iu gjet më shumë se një kilogramë kokainë.
Po ashtu edhe ish-futbollisti, siç bën me dije Corriere della Sera, kishte rolin e shpërndarësit të kokainës.
Gjatë operacionit u arrestua edhe Steven Trentin, që u kap me 20 gramë kokainë, si dhe Artan Ginaj.
SI U ARRESTUA KREU I BANDËS NJË VIT MË PARË
Prej dy muajsh ai kishte blerë aksione dhe kishte marrë detyrën e administratorit të fabrikës së mobiljeve “Carma Cucine” në Colle Umberto, aty ku kohë më parë kishte qenë një punëtor i thjeshtë. ndërsa shumica e punëtorëve shpresonin se do ta nxirrte nga falimenti, shpresat e tyre u shuan shpejt, kur nga 15 punëtorë mbetën vetëm 10-të.
Po flasim për shqiptarin Selim Osmani, të cilësuar si trurin e një organizate që merrej kryesisht me transportin dhe shitjen e kokainës nga Shqipëria në Itali. Si bazë për grumbullimin e pluhurit të bardhë ai përdori fabrikën, por policia e Trevizos arriti ta kapte, kur i gjeti brenda fabrikës 10 gram kokaninë të pastër, gati për shitje.