Një gjykatë britanike dënoi tre persona, dy kinezë dhe një shqiptar për pastrim parash. Fation Koka, 30 vjeç, në bashkëpunim me dy kinezë, akuzohen se kanë pastruar rreth 1.8 milionë paund në bankat britanike brenda 2 javësh.
Fen Chen, 32 vjeçe dhe Ying Lin, 27 vjeç, kanë pastruar shifra të jashtëzakonshme parash midis 30 Korrikut dhe 15 Gushtit të vitit 2016.
Policia i arrestoi ata në momentin që shqiptari po u dorëzonte kinezëve një çantë me 300,000 paund. Ata u arrestuan në parkingun e një supermarketi më 15 Gusht 2016, moment ky që mund ta shihni edhe në videon. 180,000 paund të tjera dhe një makinë që shërbente për numërimin e parave u sekuestruan në shtëpinë e Fen Chen. Oficerët zbuluan edhe mesazhe që Koka dhe Fen Chen kishin shkëmbyer me njëri-tjetrin, për një shkëmbim që kishte ndodhur në të njëjtin parking më 31 Korrik 2016.
Fen Chen u dënua këtë të mërkurë me 6 vite e 3 muaj burg, ndërsa Li me 14 muaj. Fation Koka pranoi akuzat për pastrim parash dhe u dënua me 21 muaj burg. Ai do të dëbohet drejt Shqipërisë menjëherë pas përfundimit të dënimit.
Sipas mediave britanike, zyrtarë anglezë janë shprehur se persona si Chen dhe Li përdoren zakonisht nga bandat kriminale shqiptare për të pastruar paratë e përfituara nga aktivitetet e tyre të jashtëligjshme. Ata arrijnë të përfitojnë shuma të konsiderueshme nga pastrimi i parave të këtyre grupeve.