Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu përgjigj deklaratave të ambasadores Yuri Kim për të dhe Partinë Demokratike gjatë një interviste transmetuar mbrëmjen e djeshme.
Përgjigjja e kryedemokratit erdhi gjatë një konference për mediat këtë të Premte, në përgjigje të interesit të gazetarëve. Berisha tha se demokratët nuk mund të shnatzhohen nga persona që u tregojnë barin me formulat staliniste të Enver Hoxhës.
“Në fakt, asgjë nuk i pengoi demokratët që të zgjedhin udhëheqjen e tyre. Asgjë nuk mashtroi dot demokratët, asnjë kërcënim nga askush nuk i bindi ata që tërhiqen nga rruga e rithemelimit të një opozite të vërtetë. Demokratët, e them këtu me siguri të plotë, janë dhe mbeten njerëz të idealeve demokratike dhe pro-perëndimore. Por ata kurrë nuk mund të shantazhohen, aq më tepër nga persona që u tregojnë barin me formulat staliniste të Enver Hoxhës. Aq më tepër nga diplomatë që kanë dëmtuar shumë rëndë me qëndrimet e tyre, reputacionin e vendit të tyre te shqiptarët”, tha Berisha.
Ai e akuzoi ambasadoren amerikane në Tiranë për lidhje me George Soros dhe shtoi se ajo është përfaqësuese kryesore e ‘woke culture’. Kjo është kultura që neverisin më së shumti shqiptarët se çdo kulturë tjetër, theksoi Berisha.
“Me këtë rast, demokratët dhe shqiptarët kanë kuptuar se Amerika është vendi i vlerave, parimeve dhe lirisë, por ka edhe ajo problemin e saj me mafien e George Soros, e cila nuk njeh parime, nuk njeh vlera dhe as interesa amerikane. Kjo mafie, siç është një rrezik i vërtetë për demokracinë shqiptare, fatmirësisht sot, del gjithnjë e më e qartë se është një rrezik për demokracinë amerikane. Nuk kam ndërmend të komentoj më gjatë për një njeri, që ka dëmtuar me qëndrimet e saj, reputacionin e vendit të vet në Shqipëri. Dhe, për ta mbyllur, një njeri që u bë protagoniste kryesore e asaj që quhet ‘woke culture’. Kjo është kultura që neverisin më së shumti shqiptarët se çdo kulturë tjetër. E neverisin sepse kanë vuajtur më shumë se të tjerët. 45 vite kanë qenë falsifikim dhe mashtrim i historisë. Kështu që shqiptarët e kapin në ajër, tendencën më të vogël të mashtrimit dhe falsifikimit. Mbyllni sytë dhe kujtoni se çfarë u bë në 100-vjetorin e marrëdhënieve mes vendeve tona, se si u përdor teknika e amputimit për t’i mbyllur ato në vitin 1991”, u shpreh Berisha.
Deklarata e Kim
Gjatë intervistës, duke iu përgjigjur komentit të gazetarit se një nga dy partitë kryesore politike është “në duart e së shkuarës”, Kim tha se “shpresa jonë është që Partia Demokratike do të përfaqësojë përsëri të ardhmen”.
“Ky është një vendim që partia dhe mbështetësit e saj, dhe në fund votuesit shqiptarë, duhet të marrin. Nuk mund t’i marrim ne vendimet për ta. Ne e kemi bërë shpalljen (non-grata) në përputhje me interesin tonë kombëtar. Populli shqiptar, udhëheqësit shqiptarë duhet të marrin vendimin e tyre bazuar në atë që është në interesin kombëtar të Shqipërisë. Kemi opinionin tonë dhe e kemi ofruar atë, i cili është që duhet të ecni përpara. Një nga gjërat për të cilat mendoj se të gjithë biem në një mendje është që në një demokraci, roli i opozitës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Duhet të keni opozitë të vërtetë që jo vetëm ka ide dhe udhëheqësi, por që në fakt është e aftë të fitojë zgjedhje. Kështu që, anëtarët e Partisë Demokratike duhet të mendojnë për këtë pyetje dhe do duhet të marrin vendimin e tyre”, tha Kim.
“… dhe që iu thoshte njerëzve të votonin për Partinë Demokratike sepse ata përfaqësojnë të ardhmen. Shpresa jonë është që Partia Demokratike do të përfaqësojë përsëri të ardhmen, do të jetë përsëri forca që do të jetë e aftë ta tërheqë Shqipërinë përpara, ta drejtojë përpara, jo pas”, shtoi ajo.