Rasti i një 16-vjeçari i cili shkoi në një gjendje mjaft të rënduar në spital u bë lajm i ditës, duke shkaktuar edhe një farë paniku nëse bëhet fjalë për një virus që do të shoqërohet edhe me të infektuar të tjerë. 16-vjeçari ishte me temperaturë të lartë, dhimbje koke të forta, kollë dhe kur ka mbërritur në spital është futur menjëherë në intubim mekanik. Nga mjekët në fillim u konstatua se ishte një situatë gripi, por analizat e bëra nga ISHP treguan se shkaku i gjendjes së rënduar të tij ishte virusi RSV.
Mjeku Ilir Alimehmeti, për Tv Klan, ka treguar se çfarë është ky virus. Ai ka thënë se bëhet fjalë për një virus i cili ka qenë gjithnjë i pranishëm e secili prej nesh është prekur të paktën një herë në jetë nga ky virus. Sipas tij rasti i 16-vjeçarit është një rast i rrallë dhe se nuk ka vend për panik, pasi raste kur virusi sjell të tilla komplikacione janë tepër të rralla.
Kjo është një pjesë e kësaj gjendje sociale që është shkaktuar që çdo bakter ka një ndjeshmëri të lartë. RSV është një virus që e njohim shumë mirë prej kohës dhe i prek të gjithë nga i pari te i fundit, prek çdo fëmijë brenda moshës 2 vjeç. Të gjithë jemi prekur të paktën një herë gjatë jetës nga ky virus. Një virus i cili ka simptoma të ngjashme me gripin, por te mosha 0.5 ka mundësi edhe të komplikohet në atë që quhet bronkolit. Në shumicën e rasteve kalon vetë. Rastet që paraqiten në spital janë shumë pak. Fatmirësisht humbjet e jetës te fëmijët janë vërtetë minimale, rreth 0.2 në vit. Janë të infektuar një numër shumë i madh, por ky është një virus i gjithëkundndodhur”, tha doktor Ilir Alimehmeti.
I pyetur për rastin e 16-vjeçarit i cili ka përfunduar në intubim, doktori ka thënë se rasti një fjalë është një rast shumë i veçantë e që nuk duhet të shkaktoj panik.
“Është e mundur që të ndodhi, ka raste që mund të shkojnë keq por zakonisht nuk priten në atë moshë, zakonisht e kanë kaluar në moshën 0-2 vjeç. Do marrim parasysh diçka, ky virus qarkullon çdo dimër pasivisht dhe na infekton edhe ne që e kemi kaluar më parë. Një sistem i mirë imunitar e kalon pa probleme. Problemin e kemi kur kemi njerëz me sistem imunitar më të ulët. Për rastin në fjalë duhen pyetur mjekët kurues nëse ka ndonjë situatë të ngjashme, por kjo zakonisht ndodh te njerëz me probleme të forta të sistemit imunitar, ose te të moshuarit. Është njësoj si gripi. Nga simptomat nuk e dallon dot. Ne kemi qindra raste me këtë virus. Raste ka qindra, mijëra në Ballkan përfshirë vendin tonë. Janë shumë të pakta rastet që komplikohen. Që të përfundojë në intubim një djalë 16 vjeçar bie shumë në sy, por nuk duhet të përgjithësojmë. Nuk duhet të biem te gracka e përgjithësimit. Ky është më shumë një rast unik se i rrallë. Nuk ka pse të ketë panik kombëtar”, tha doktori Ilir Alimehmeti duke theksuar se përqindja e rasteve që komplikohen janë shumë të rralla. Po ashtu ai ka thënë se ky virus nuk ka simptoma specifike dhe nuk dallohet nga gripi, ndërsa ngjashmëria është shumë e madhe.