Ministria e Financave u “shkund” ditën e djeshme nga tre arrestime që policia bëri, duke çuar pas hekurave vetë Sekretarin e Përgjithshëm të këtij dikasteri, Arlind Gjokutaj.
Në pranga përfunduan edhe Fatmir Hoxha, Drejtor i Shërbimeve mbështetëse dhe çështjeve ligjore në MF dhe Alban Ruli përmbarues gjyqësor privat.
Të tre zyrtarët në fjalë akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe gjithçka lidhet me një hetim nga i cili rezulton se ata do t’i shkaktonin shtetit një dëm financiar që përllogaritet në 1.2 milionë euro.
https://youtu.be/Vtgiccpea-8
Hetimet lidhen me ato të dosjes në ngarkim të Ilir Thanës, i cili u kompensua për privatizimin e një magazine shtetërore dhe trualli, pavarësisht se ishte paguar dhe një herë tjetër për këto prona.
Gjokutaj, Hoxha dhe Ruli akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë firmosur shkresa për ti kaluar 1.2 milionë euro Ilir Thanës, duke e trajtuar si ish-pronar, edhe pse nuk e gëzonte statusin. Deri në momentin e arrestimit Ilir Thana kishte arritur të merrte 400 mijë euro nga procedura në fjalë, ndërsa ryshfeti për tre zyrtarët ishte 82 milionë lekë.
Prokuroria e Tiranës ka arritur në konkluzionin se Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave ishte në dijeni se pagesa e detyrimit ishte kryer e plotë, por vijoi me ekzekutimin për një vendim të ekzekutuar tashmë dhe në kundërshtim me ligjin.
Sipas detajeve që kanë rrjedhur nga dosja hetimore, rezulton se Ilir Thana ka rënë në sy të bankës nga e cila edhe fillimisht erdhi konstatimi problematik që nxiti hetimet, pasi bënte tërheqje thuajse çdo ditë nga llogaria e motrës së tij.
“Ilir Thana ka bërë tërheqje të shumta nga llogaria e motrës së tij, i pajisur me prokurë të posaçme duke bërë tërheqje thuajse çdo ditë të shumave që variojnë deri në 1 milion lekë të reja. Tërheqjet nga ky shtetas rezulton se janë kryer për periudhën 11.10.2022 deri në 14.12.2022. Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit të Ministrisë së Financave dhe personave të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga buxheti i shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur”, thuhet në fashikullin hetimor.
Më 16 shtator 2022, ka dalë sërish një urdhër i brendshëm për bllokimin e fondeve buxhetore në shumën 145.583.781 lekë nënshtruar nga Elmira Feto, kryetare e Degës së Thesarit Tiranë, ndërsa më 7 tetor 2022, Ilir Thana i kërkon përmbaruesit Alban Ruli që çdo shumë që do të kreditohet, t’i dhurohet motrës së tij Shpresa Prifti.
Thana rezulton se më datë 2 dhjetor 2015 me anë të kontratës ka shitur të njëjtin objekt për të cilin më tej ka kërkuar vënien në ekzekutim dhe është bërë vlerësimi në rreth 150.000.000 lekë.
Organi procedues ka konstatuar se funksionarë të Ministrisë së Financave kanë shpërdoruar detyrën pasi kanë bërë të mundur kalimin deri në këtë moment të shumës prej 48.118.366 lekë në llogarinë e Ilir Thanës dhe Shpresa Priftit.
Sakaq, në vitin 2015 nga ana e përmbaruesit gjyqësor Suela Ndreca i është kërkuar Ministrisë së Financave vënia në ekzekutim e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë me nr.16 datë 14.07.2000.