Mësohet se prokuroria po hetonte prej disa muajsh gjyqtarin Shkëlqim Miri për dyshimet për korrupsion. Sipas grupit të hetimit, gjyqtari i Apelit dyshohet të ketë marrë 20 mijë euro për të ndryshuar kualifikimin e një vrasjeje të ndodhur në Burrel, në vitin 1997.
Dyshohet se gjyqtari ka ndryshuar akuzën nga vrasje, në plagosje të rëndë me dashje. Shtetasi i akuzuar quhet Gentian Doda, i ekstraduar kohë më parë nga Los Anxhelos, në SHBA. Shtetasi Gentian Doda njihet si “kundërshtar” i famijles ‘Dedja’.
NGJARJA
Në korrik të vitit 2016, prokuroria e Matit ka kërkuar dënimin me 20 vjet burgim për Gentian Doda, i ekstraduar nga SHBA në 2012 i akuzuar për vrasjen e Gazmir Dedja dhe Asllan Gjoka, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1997. Autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima
Përpasjet e ashpra ndërmjet dy grupeve rivale janë shtrirë edhe në qytete të tjera.
Në vitin 2010, në Tiranë është vrarë edhe vëllai i viktimës, Halil Dedja, i cili u gjet i vdekur në hyrje të pallatit ku banonte. Ditën e ngjarjes së vitit 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vdekur aksidentalisht Asllan Gjoka. I plagosuri ka mundur të mbijetojë vetëm dy ditë për shkak të plagëve të marra, por ka arritur t’u tregojë familjarëve se kush e kishte qëlluar, duke identifikuar Gentian Dodën.
Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale. Gjyqtari Miri, ka qenë anëtar i KLD-së deri në vitin 2012-të dhe më herët gjyqtar i Apelit në Durrës (para 2010). Ndër çështjet e bujshme që ka gjykuar Miri, është edhe ajo e Gërdecit, ku ai ka qenë pjesë e një prej proceseve gjyqësore.