Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla me anë të një deklarate të shpërndarë nga zyra e shtypit të PS-së, akuzon prokurorinë se po përpiqet të mbyllë dosjen e skandalit “CEZ”, e konsideruar nga ai si një një nga dosjet më të qarta të korrupsionit të 27 vite.
Duke e paralelizuar rastin në fjalë me atë të Saimir Tahirit, për të cilin prokurorët kërkuan direkt arrestimin, Balla thotë se prokurorët po sillen si “tregtarë qëniesh njerëzore”.
DEKLARATA E PLOTË
Prokuroria po përpiqet të mbyllë një prej dosjeve më të qarta të korrupsionit në këto 27 vite, skandalit “CEZ”. Pa kryer asnjë hetim minimal, pa marrë në pyetje asnjë të akuzuar, asnjë dëshmitar, asnjë person në dijeni, pa marrë në konsideratë asnjë prej gjetjeve të Raportit përfundimtar të Komisionit hetimor parlamentar, Prokuroria që u ngrit brenda ditës për të arrestuar një deputet mbi bazën e një materiali të botuar në media me përgjimet e dy krimineleve, jo vetëm nuk e vë ujin në zjarr për një material të shkruar me fakte kompromentuese e me emra peshqish të mëdhenj e të vegjël, të dyshuar për krim ekonomik e korrupsion me përmasa tronditëse, po na e paska dërguar dosjen në Gjykatë duke kërkuar mbylljen e saj!!!
Kush janë këta prokurorë? Kush u ka dhënë këtyre prokurorëve pushtetin që të sillen me drejtësinë si tregtarë qëniesh të gjalla dhe ta trajtojnë popullin shqiptar si mish për top? Kush është pas këtyre kukullave të këtij teatri të neveritshëm me drejtësinë si mjet për të sulmuar dhe për të mbrojtur, në emër të interesave politike e korruptive që fyejnë Shqipërinë, popullin, drejtësine?!
Prokuroria po bën pazare që vijnë erë të keqe me kilometra larg! Prokuroria po shfaqet hapur si vegël e politikës dhe padrejtësisë! Prokuroria po provon me veprimet e mosveprimet e saj, një kalbëzim të tmerrshëm!
Por prokuroria nuk ka për ta ndalur dot orën e drejtësisë që po vjen dhe që ka tmerruar politikanë, prokurorë e gjykatës të korruptuar! Kurrë nuk do ta ndalojë dot edhe sikur të gjejë në gjykatë, njerëz të tredhur e të korruptuar njësoj si ata që e kanë cuar dosjen e CEZ-it për ta varrosur, pa asnjë lloj procesi minimal hetimor!