Një marrëveshje e re me Shqipërinë që do të përfshijë stacionimin e oficerëve të Home Office në Aeroportin e Tiranës, është ajo çka parashikon pakti me 5 pika e Rishi Sunak për të ndalur fluksin e emigrantëve që kalojnë kanalin e “La Manshit” me gomone për të mbërritur në Britaninë e Madhe.
Sipas fjalës së kryeministrit britanik në “Westminster” ku po zhvillohet një debat i ashpër me opozitën dhe ish-kryeministrin Theresa May, e cila fajësohet për ligjin e Aktit të Skllavërisë Moderne, një nga pikat parashikon “vendosjen e udhëzimit të ri që përcakton Shqipërinë si një vend të sigurt”.
Një rritje e numrit të kërkesave që dikush duhet të plotësojë për t’u kualifikuar si viktimë e skllavërisë moderne dhe një garanci nga Shqipëria se do të mbrojnë viktimat e vërteta që u rrezikohet jeta, është gjithashtu pjesë e planit anti-emigrantë të qeverisë britanike.
Një vendim tjetër i rëndësishëm është plani për të ngritur një njësi të re të dedikuar për përpunimin e kërkesave për azil të shqiptarëve me më shumë se 400 specialistë, në mënyrë që deportimi i tyre të realizohet në kohë rekord..
Katër pikat e tjera përfshijnë një komandë të re operacionale, të unifikuar që do të parandalojë afrimin e fragmentuar të varkave të vogla në përpjekje për të trajtuar kalimet në Kanal.
Gjithashtu do të ketë financime shtesë që do të akordohen për të rritur numrin e bastisjeve të kryera nga oficerët e emigracionit.
Plani përfshin gjithashtu vende të reja, duke përfshirë parqet e pushimeve të pafrekuentuara, ish-sallat e studentëve dhe objektet ushtarake jashtë funksionit që do të përdoren për të strehuar azilkërkuesit.
Është përllogaritur sipas Sunak se janë gati 10,000 hapësira të identifikuara, që do të shkurtojnë gjysmën e shumës që po shpenzohet tani nga qeveria britanike për të financuar qëndrimin e tyre në hotele.
Edhe numri i punonjësve të çështjeve të azilit do të dyfishohet dhe sistemi do të ri-inxhinierohet për të shkurtuar sasinë e kohës që duhet për të përpunuar kërkesat për azil, me premtimin për të hequr ngarkesën e mbetur deri në fund të vitit të ardhshëm.