Situata në Veri të Kosovës nuk paraqitet aspak e qetë, teksa tensioni ka arritur pikën kulmore mbremjen e djeshme, me serbët që kanë ngritur barrikada në 4 komunat e banuara prej tyre dhe kanë sulmuar me koktej Molotov dhe armë patrulla të EULEX-it, gazetarë dhe policinë e Kosovës.
Thirrje për vetëpërmbajtje dhe shmangie të përplasjeve janë bërë nga thuajse të gjitha vendet e BE-së dhe SHBA, ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti me bindje të plotë është shprehur se do të mbrohet sovraniteti i vendit dhe se kriminelët serbë në Veri duhet të heqin dorë nga presioni.
Për çështjen në fjalë ka reaguar edhe profesori i njohur dhe analisti i çështjeve ballkanike, Stefano Bottoni me anë të një “cicërime” në Twitter, ku deklaron se situata në veri të Kosovës është e nxehtë.
Sipas tij ndërhyrja nga ndërkombëtarët duhet të jetë shumë e shpejtë me qëllim për të ndaluar një luftë të përgjakshme.
Por, ajo çka bie në sy në postimin e Bottonit është lidhja që ai i bën grupeve të serbëve jo vendas në Veri që me maska kanë bllokuar rrugët me Ushtrinë “Wagner” të Rusisë.
Sipas Bottonit në Veri duket se po qarkullojnë mercenarët rusë të grupit ‘Wagner’, të cilët vetëm pak ditë më parë hapën një zyrë në Beograd, dhe që drejtohet nga njëri prej serbëve që kërkohet në Kosovë.
“Jo “serbë vendas”, por me shumë gjasa, burra të maskuar të mbështetur nga Rusia (si Wagner-at?)… Do ishte mirë të ndalojmë këtë situatë menjëherë përpara se ajo të përshkallëzohet në një luftë të plotë e të përgjakshme: Grupi Wagner hapi “qendrën informative dhe kulturore” në Beograd”, shkruan në profesori i njohur i historisë së Europës dhe Ballkanit.
Not “local Serbs” but most probably Russian-backed (Wagner-like?) masked little grey men…we’d better stop this immediately before it escalates into a full-blown war. Btw: Wagner group opened “info and cultural center” in Belgrade. https://t.co/U0ZEWlPUeF
— Stefano Bottoni (@stefanobottoni1) December 10, 2022