Edhe pse e rezervuar për të rënë në sy të mediave, Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit, muajt e fundit ka marrë vëmendjen e të gjithë publikut.
Sapo deputetja e re e PD-së iu bashkua politikës, për të vijuar rrugëtimin e lënë përgjysmë të të atit, elektorati e pa jo vetëm si një përfaqësuese të një zone të caktuar në Parlament, por edhe si një zë më shumë për të rinjtë – një qëllim që vetë Rudina ia ka vënë vetes ta çojë deri në fund. Kthimi nga Amerika, vendi në të cilin studioi dhe jetoi për shumë vite, nuk ishte i thjeshtë për Rudinën. Investimi për një kohë mjaft të gjatë në një vend me aspirata të mëdha, në të vërtetë, kishte objektiv Shqipërinë dhe kontributin në vendlindje.
Por kjo periudhë “tranzicioni” nuk qe e thjeshtë edhe për jetën personale. Tashmë që Rudina është angazhuar në jetën politike në Shqipëri, bashkëshorti i saj vazhdon të jetojë në Amerikë.
E ftuar këtë pasdite në “Rudina” për të rrëfyer më shumë për angazhimet e saj të momentit, deputetja e PD-së rrëfeu më shumë edhe për jetën private, për të cilën nuk kishte folur më herët. Njohja me Muçjon Demirajn, në fakt është e hershme: “Për detajet personale nuk është se dihet shumë. Ne jemi njohur kur unë kam qenë vetëm 16 vjeç, ai 18. Unë isha akoma në gjimnaz, ndërsa ai sapo kishte mbaruar”, – tregon Rudina.
E pyetur nëse pati probleme më vonë, ndërsa mendoi të rikthehej përgjithmonë në Shqipëri, Rudina tha se edhe Muçjoni i dinte aspiratat e saj, kështu që erdhi natyrshëm edhe kthimi i saj në Shqipëri.
Ceremoni e martesës e organizuar në New York mori vëmendjen edhe të mediave shqiptare. Në atë kohë Rudina ishte shtatzënë 6 muajshe. Pak muaj pas dasme erdhi në jetë Sihana, vajza që pak ditë më parë ka festuar 2-vjetorin e lindjes. Pas martesës jo, por pas lindjes, natyrisht që jeta ka ndryshuar edhe për Rudinën: “Martesa nuk e ka ndryshuar jetën time, sepse ne jemi si shokë, por të bërit nënë më ka bërë të kem më shumë besim dhe ta shijoj jetën edhe më shumë.” Kur u kthye nga Amerika, Sihana ishte vetëm 18 muajshe, ndërsa tani që është 2 vjeç ka filluar edhe të jetë më argëtuese për prindërit, është rritur dhe ka filluar të flasë. E ka bërë jetën e Rudinës më të bukur.
Ndërsa bashkëshorti vijon të jetë edhe për disa kohë larg familjes: “Bashkëshorti përkohësisht është në New York, ka një kompani me disa miq, kompletojnë dhe organizojnë evente të ndryshme, kanë marrëdhënie me investitorë që duan të ngrenë kompani biznesi. Vjen shpesh dhe shpenzon shumë kohë këtu, por për momentin jemi në fazën që ikën dhe kthehet, besoj se dalëngadalë do të vendoset edhe ai këtu”, – tregon Rudina, e bindur që fati i saj është i vendosur për të kontribuar në vendin e saj, bashkë me familjen e vogël dhe të madhe, amanet nga i ati./Class/