Problemi i krijuar me azilkërkuesit shqiptarë në Britaninë e Madhe duket se po shkon drejt një zgjidhje afatgjatë me planin e ri 63 milionë paundësh, firmat për të cilin u hodhën ditën e djeshme në Paris nga Suella Braverman dhe Gerald Darmanin.
Britania dhe Franca kanë arritur kështu marrëveshjen historike që parashikon edhe vendosjen e oficerëve nga Londra në pikat kufitare franceze për të ndalur fluksin e emigrantëve, por që mban edhe një planë pune të veçantë për azilkërkuesit nga Shqipëria.
“Një grup i ri pune do të krijohet gjithashtu për të trajtuar rritjen e fundit të numrit të shqiptarëve dhe grupeve të krimit të organizuar që shfrytëzojnë rrugët e paligjshme të migracionit në Evropën Perëndimore”, tha dje një burim qeveritar në Downing Street për DailyMail.
Pavarësisht entuziazmit në rritje për një zgjidhje të krizës në Kanal, një artikull i Financial Times që zbulon arsyet për të cilat shqiptarët zgjedhin të rrezikojnë për të shkuar në Britaninë e Madhe, nxjerr në pah faktin se fluksi i emigrantëve në Kanal pritet të rritet sërish vitin e ardhshëm.
FT zbulon gjithashtu edhe një plan sekret që kryeministri shqiptar Edi Rama ia ka propozuar ndër vite kryeministrave britanikë, si Theresa May dhe Boris Johnson për të goditur bandat shqiptare të trafikut të njerëzve dhe tregtisë së drogës në Londër, por që sipas tij nuk u vlerësua kurrë nga qeveritë e njëpasnjëshme britanike.
Artikulli i Financial Times:
Fatlumi, një elektricist 60-vjeçar që jeton në qarkun e Kukësit në malet e Shqipërisë veriore, është dashamirës për të rinjtë vendas që kanë provuar fatin për të kaluar ilegalisht Kanalin Anglez për një të ardhme të pasigurt në Britaninë e Madhe.
“Ata kanë të afërm atje“, tha ai në një kafene buzë rrugës me pamje nga luginat me tarraca ku ka pak punësim përveç punëve bujqësore të paguara keq.
“Ata shkojnë për punë të ndershme. Vetëm ata me familje jo të mira mund të përfundojnë me bandat e drogës”.
Ka një mungesë të dukshme të burrave 20-vjeçarë në Kukës dhe pothuajse të gjithë në rajon duket se kanë të afërm mes rreth 150,000 shqiptarëve që vlerësohet se jetojnë në Angli, ndërsa eksodi kombëtar është rritur këtë vit. Sipas shifrave të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, numri i shqiptarëve që mbërrinin ilegalisht përmes Kanalit u rrit me 43% midis majit dhe shtatorit të këtij viti.
Suella Braverman, sekretarja e Brendshme, e quajti valën një “pushtim” dhe i përshkroi shumë prej emigrantëve si “kriminelë“, duke sjellë dhe një përgjigje të zemëruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
Të ndodhur në një udhëkryq mes grekëve, turqve dhe sllavëve, shqiptarët kanë një traditë të emigrimit që daton shekuj më parë. Kohët e fundit, një brez të rinjsh mori rrugën e largimit nga vendi në vitet 1990 pas dekadash varfërie ekstreme dhe izolimi nën regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Kjo u pasua nga një tjetër eksod që ikën nga vështirësitë ekonomike, pastaj një tjetër, kësaj here ishin shqiptarët që iknin nga lufta në Kosovën fqinje rreth vitit 2000. Sipas Instat, rreth një e treta — ose 1.7 milion — e të gjithë shqiptarëve tani jetojnë në diasporë.
Për ata që mbeten në vend, paga mesatare mujore është 60 mijë lekë ose 450 paund në muaj. Megjithatë, në zonat e thella rurale si Kukësi, pagat mund të jenë dukshëm më të ulëta por shumë njerëz ia dalin mbanë përmes punëve shtesë.
Fatlumi, i cili nuk pranoi të jepte emrin e tij të plotë, mbijeton duke u kujdesur për shtëpitë e tre vëllezërve të tij që punojnë në Londër – dy si elektricistë dhe një si shofer autobusi.
“Kontrasti midis mundësive ekonomike të disponueshme në luginat e largëta si Kukësi dhe Mbretërisë së Bashkuar është i madh“, tha Edval Zoto, një konsulent i pavarur që po drejton një program të ri të financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në rajon.
Ai shtoi se të rinjtë e rajonit tundohen nga një botë me para të lehta të portretizuara nga trafikantët duke përdorur imazhe dhe video në një fushatë të sofistikuar të mediave sociale në Instagram dhe TikTok.
“Parë nga veriu i Shqipërisë rurale, Londra është jashtëzakonisht e pasur. . . dhe ata konsumojnë shumë drogë”, tha Zoto, duke shtuar se prindërit në zonë janë të tmerruar se djemtë e tyre do të manipulohen nga bandat e drogës.
Programi i financuar nga Britania e Madhe, me vlerë 8.3 milionë paund gjatë 4 viteve, synon të kundërshtojë fushatat e bandave në mediat sociale, si dhe të ndihmojë të rinjtë vendas të gjejnë një punë domethënëse në bizneset shqiptare.
Kjo përfshin zhvillimin e turizmit lokal, hapjen e një qendre informacioni turistik dhe krijimin e një qendre rinore ku të rinjtë mund të mësojnë gjuhë të huaja dhe aftësi kompjuterike.
Një reklamë e shpërndarë në mediat sociale për kalimin nga Franca në Angli thotë: “Çmimi [për kalimin] 3,000 [£]. Nga nesër kjo linjë do të jetë e mbyllur për disa javë për shkak të motit të keq. Nxito!”.
Ndërsa dimri mund të ngadalësojë migrimin, ekspertët vendas presin që shifrat të rriten përsëri vitin e ardhshëm. Dikur kalimi në Angli ishte një procedurë e shtrenjtë që kushtonte deri në 20,000 £, që përfshinte dokumente të rreme, ryshfete kufitare ose udhëtime me kamionë, por këtë vit kostoja e një udhëtimi në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë në rreth 5,000 £ pasi kontrabandistët përdorin në vend të kësaj operatorët e varkave të vogla.
Në një video të fundit, Alastair King-Smith, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, iu lut shqiptarëve të mos u besonin trafikantëve.
“Ajo që po shfaqet në mediat sociale nuk është realitet. . . Mos shkoni ilegalisht”, tha ai.
Kryeministri i Shqipërisë, i cili kundërshton vlerësimet britanike për numrin e shqiptarëve që kalojnë kanalin, tha në një intervistë me Financial Times se ai ka diskutuar mënyrat për të goditur bandat e drogës me qeveritë e njëpasnjëshme britanike, por propozimet e tij nuk u zbatuan kurrë.
“Kur Boris Johnson ishte Sekretar i Jashtëm, ai (rriti) krimin shqiptar në Londër. I thashë, në rregull. Sillni 6 profesionistë nga agjencitë tuaja në Tiranë. Ne do t’i vendosim ata në një zyrë me gjashtë nga njerëzit tanë, me akses të plotë në të gjitha dosjet tona kriminale”, tha Rama.
Ai shtoi se propozimi i është bërë edhe Theresa May, atëherë kryeministre, dhe Priti Patel, ish-sekretare e brendshme, por grupi i përbashkët i punës nuk u materializua kurrë.
“Me pak njerëz të infiltruar në Kukës, zbulon kush të pret nga ajo anë. Nëse keni britanikët në Shqipëri ju lidhni ‘pikat’. Nuk po flasim për një milion refugjatë. Ky është një komunitet i vogël”, ka thënë Rama.
Megjithatë, gjatë mandatit të Ramës, bandat shqiptare kanë ndërtuar mbi një traditë dekadash të kultivimit dhe eksportit të kanabisit për të krijuar një rrjet të fuqishëm global trafikimi, kjo e gjitha sipas një raporti të Departamentit të Shtetit të SHBA.
“Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të jashtëzakonshëm në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe rrjetet e krimit të organizuar, dhe Shqipëria është një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Sundimi relativisht i dobët i ligjit, korrupsioni dhe niveli i lartë i papunësisë janë shtytësit kryesorë të problemit të kontrollit të drogës në Shqipëri”, thuhet në raport.
Rama i hedh poshtë akuzat, por Partia Demokratike (opozita shqiptare) akuzon kryeministrin se ka ndërtuar një regjim të korruptuar dhe autokratik gjatë nëntë viteve të tij në detyrë, duke i lënë shqiptarët e zakonshëm me pak shanse për të ecur përpara, e zgjedhjen e vetme kanë largimin nga vendi.
Një tubim i thirrur nga PD për të protestuar kundër korrupsionit, varfërisë dhe emigracionit poshtë zyrës së Ramës mblodhi dhjetëra mijëra persona në shesh të shtunën.
Aldo Bumçi, ish-ministri i Jashtëm dhe i Drejtësisë i Partisë Demokratike, akuzoi Perëndimin se ka mbyllur një sy ndaj shkeljeve të Ramës, sepse Shqipëria është një aleate besnike perëndimore në një zonë destabiliteti.
“Rama ka para, është i pamposhtur dhe ndërkombëtarët nuk thonë asgjë. Kjo është arsyeja pse njerëzit po largohen me këto numra biblik”, tha Bumçi.