Policia kufitare ka arrestuar këtë të Premte një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale në Gjermani.
Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar shtetasin R. S., banues në Kosovë.
“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ëiesbaden, Gjermani, pasi Gjykata e Hanover, Gjermani, me vendimin e datës 12.07.2018, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shkelja e ligjit të narkotikëve”, “Shkelja e ligjit mbi armët” dhe “Vjedhja në kuadër të grupit kriminal”, parashikuar nga legjislacioni penal i Gjermanisë”, thuhet në njoftim.
Ky shtetas dyshohet se gjatë muajve janar dhe shkurt, të vitit 2018, në cilësinë e pjesëtarit të një grupi kriminal, është përfshirë në disa vjedhje në banesa dhe në biznese, në Hanover, Gjermani.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, në vitin 2018, policia gjeti municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kokainë.
Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë.













