Pedagogu Albano Zhapaj ka shpallur sot kandidaturën e tij për të marrë pjesë në procesin e primareve të Partisë Demokratike për bashkinë e Fierit.
Duke folur nga selia Blu Zhapaj u shpreh se është futur në këtë garë me besim për të ja rikthyer bashkinë qytetarëve pasi sipas tij sot në bashkinë e Fierit të rinjtë po largohen pasi nuk ka punë e shpresë.
Zhapaj tha se ka ardhur kohë që bashkia të mos jetë më e qytetarëve tanë dhe të tyre dhe për këtë kërkoi mbështetjen e qytetarëve. Në fund të fjalës së tij ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 12 nëntorit të thirrur nga opozita.
DEKLARATA E PLOTË:
“Të nderuar demokrate dhe demokratë. Të nderuar miq, të nderuar shqiptarë Jam këtu para jush në këtë komunikim publik, që mua dhe shumë të tjerëve, na është ofruar si mundësi nga procesi i ri demokratik i primareve, për të shprehur vullnetin tim për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet vendore në Bashkinë e Fierit. Duhet të pranoj se kjo vendimmarrje nuk ka qenë e lehtë, pasi më parë ka kaluar nëpër një periudhë të gjatë reflektimi personal, konsultimi me miqtë demokratë, dhe diskutimi me kolegët, shokët dhe familjarët e mi.
Natyrisht që më lehtësoi në këtë vendimmarrje procesi i primareve, të cilin e shikoj si një risi për çdo demokrat e demokrate, për çdo simpatizant e simpatizantë të Partisë Demokratike që ndjen se mund të japë kontributin dhe idetë në shoqërinë tonë, shoqëri e cila sot më tepër se kurrë ka nevojë për demokraci, për liri, dhe për të drejta njerëzore e qytetare. Ndjeva se duhet të isha pjesë e kësaj gare për qytetin e Fierit, pasi gjetja e primareve përkon me filozofinë time të punës dhe jetës, ku betejat për demokraci bëhen nga kandidatë të dalë nga vullneti i sovranit, dhe jo nga kandidatë të emëruar, siç jemi mësuar të shikojmë në këto 10 vitet e fundit.
Unë quhem Albano Zhapaj, pedagog në universitet, ish-emigrant ekonomik në Itali nga viti 1992 e deri në vitin 2007, vit kur vendosa vullnetarisht të kthehem dhe të kontribuoj në vendin tim, mbasi u shkollova në Univerisitetin e Padova, në profilin Psikologji-Pedagogji me rezultate ekselente. Karrierën time si pedagog e kam filluar në Universitetet e Padovas dhe Vicenzas, për ta vijuar më tej në vendin tim, si në: Universitetin e Tiranës, ku veç pedagog kam mbajtur edhe detyrën e Drejtorit të Kurrikulave të këtij institucioni, në Universitetin e Durrësit, të Elbasanit, si dhe institucione të tjera të arsimit të lartë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Për tetë vjet kam punuar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në detyra të rëndësishme.
Unë besoj fort se liria dhe dinjiteti i njeriut, janë vlera të patjetërsueshme dhe se askush prej nesh nuk jeton dot pa to. E drejta për të qenë i lirë, e drejta për të jetuar me dinjitet në vendin, e drejta për të ndërtuar jetën dhe lumturinë në tokën ku ke lindur, janë të drejta të dhuruara nga Zoti, nga askush tjetër. Asnjë qeveri apo qeveritar nuk ka të drejtë t’i prekë, t’i cënojë, t’i heqë apo tjetërsojë ato, as sot e as kurrë. Nisur nga këto premisa, vendosa të kandidoj në primaret për Fierin, pasi nuk e pranoj dot që unë dhe bashkëqytetarët e mi të jetojmë në një qytet ku të rinjtë largohen se s’kanë punë, s’ka shpresë, nuk pranoj dot që çdo vit mbyllen shkolla e kopshte, boshatisen lagje e fshatra, nuk pranoj dot që toka të zbrazet e të mos punohet, që të braktisen shtëpitë, që të braktisen varret e të parëve, vetëm e vetëm se një grusht pushtetarësh kanë vendosur të na nxjerrin në treg.
Modeli i një pushteti vendor që kam në mendje është ai model ku qytetari i kërkon llogari pushteti vendor dhe jo e kundërta, ku qytetari të jetë pjesë aktive e jetës dhe vendimmarrjes së qytetit, dhe jo vuajtës i vendimmarrjeve të këqija, atyre klienteliste, korruptive dhe shtypëse…
Unë me ndihmën e Zotit dhe me vullnetin e votës së qytetarëve do të bëj ç’është e mundur nga përvoja dhe dija ime, për ti kthyer vlerat qytetit të Fierit, për ti kthyer Bashkinë Qytetarëve Fierakë. Fieri nuk mund të jetë më bashkia e “qytetarëve tanë dhe qytetarëve të tyre”.
Përfitoj nga zëri që më jep kjo foltore ti bëj thirrje çdo qytetari fierak dhe shqiptar që të marrin në dorë fatet e tyre, të rimarrin të drejtën e jetës, punës dhe dinjitetit, sepse janë të drejta që ua ka fal Zoti, dhe ky pushtet ua ka tjetërsuar, të ngrihen fuqishëm në protesta, sepse ato që na i kanë marrë ma mashtrim e dhunë, duhet të na i kthejnë patjetër. Së fundmi shpreh respektin dhe mirënjohjen për këdo kandidat apo kandidate që do jetë pjesë e kësaj gare demokratike, dhe deklaroj solemnisht se do të pranoj rezultatin e dalë nga vota e anëtarësisë, si dhe që do të punoj njësoj fort, si pjesë e ngushtë e stafit dhe mbështetës i kujtdo kandidati fitues në qytetin e Fierit.
Procesi i primareve në Partinë Demokratike do të përfundojë brenda datës 4 dhjetor, ditë kur do të mbahen votimet. Ditën e djeshme Arjan Hoxha, kryetar i Partisë Demokratike në Kamëz shpalli kandidimin për Primaret e PD. Deri më tani janë bërë publike disa kandidime. Në Tiranë janë 5 emra: Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti dhe ish-deputetët Kujtim Gjuzi e Gert Bogdani. Asllan Dogjani prezantoi kandidaturën e tij për Primaret që do zhvillohen për Bashkinë Kamëz bashkë me Shemsi Prençin dhe Arjan Hoxhën. Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Fisnik Qosja dhe ish-kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja, janë dy emrat që kanë depozituar kandidimin për Kavajën. Bardh Spahia kërkon një mandate të plotë në krye të Shkodrës. Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj ka dorëzuar kandidaturën për primare për Bashkinë e Tropojës. Ditën e sotme dorëzoi kandidaturën e saj për bashkinë e Kurbinit dhe Lindita Toma. Ndërkohë për bashkinë e Fierit deri më tani kanë shpallur kandidaturën Artur Mahmutaj, Edvar Kodheli dhe Albano Zhapaj”, tha Albano Zhapaj.