Gjykata e Apelit ka vendosur që të lirojë nga burgu shtetasin italian Gabriele Tarron Longinotti, i cili u arrestua në Rinas më 29 mars2021 pasi akuzohej për vjedhje nëpërmjet një skeme mashtrimi në tregtinë e mishit të shumës prej 730.000 euro.
Italiani akuzohej për mashtrim ndërkombëtar ndaj kompanisë “Bruno Presezzi” si dhe për falsifikim dokumentash bankare, ndërsa krahas tij nën hetim u vendos asokohe edhe shoqëria “GALA” me seli në Tiranë, me administrator po Gabriele Tarroni Longinotti.
Gjykata e Tiranës në seancën e 2 marsit të këtij viti e kishte shpallur 50-vjeçarin Longinottin fajtor për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, e parashikuar nga neni 143/3 i K.P dhe në bazë të këtij neni ai u dënua me gjashtë vjet burgim.
“Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit, shtetasit italian me iniciale G. T. L, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”, të parashikuar nga neni 143/3 të K.Penal. Fakti objekt akuze lidhet me kallëzimin e bërë nga shtetasi me iniciale M.P, i autorizuar me prokurë nga shoqëria italiane “Bruno Presezzi” S.P.A, i cili ka akuzuar shtetasin Italian me iniciale G.T.L, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”, si pasojë e bashkëpunimit midis dy palëve për tregtimin e mishit. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 569, datë 02.03.2022 ka vendosur: Deklarimin fajtor te te pandehurit G.T.L per kryerjen e vepres penale të “Mashtrim”, e parashikuar nga neni 143/3 i K.P dhe në bazë të këtij neni, denimin e të pandehurit me 6 (gjashtë) vjet burgim“, thuhej në njoftimin e Gjykatës më 2 Mars.
Ndërkohë çështja shkoi në Apel me kërkesë të avokatit të italianit, ku “u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri G.T.L , i cili kërkoi deklarimin e mungesës së juridiksionit të gjykatave shqiptare ose deklarimin e pafajshëm, pasi nuk u arrit që të provohej fakti se ai ka kryer veprën penale për të cilën ai akuzohet”.
Pasi çështja ka kaluar në “sitë” nga Apeli, është konstatuar se vepra penale është kryer nga një shtetas Italian në territorin e shtetit italian dhe pasojat kanë ardhur në shtetin e Mongolisë, në dëm të interesave të një shtetasi Italian.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Marsela Dervishi dhe anëtarë znj. Valdete Hoxha dhe znj. Ornela Naqellari, me vendimin nr. 1009, datë 24.10.2022 vendosi: Prishjen e vendimit nr.569 date 02.03.2022 te Gjykates se Rrethit Gjyqesor Tirane dhe pushimin ceshtjes penale ne ngarkim te te pandehurit G. T. L per vepren penale “Mashtrimi ” parashikuar nga neni 143/3 i K.Penale per shkak se procedimi penal nuk mund te vazhdoje per mungese te juridiksionit te gjykatave shqiptare. Urdherohet lirimi i menjehershem i te pandehurit G.T.L nese nuk mbahet i arrestuar per ndonje mase tjeter sigurimi apo denim penal tjeter ne fuqi ndaj tij“, thuhet në njoftimin e Apelit.
Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi çështjen vlerësoi se nuk ka juridiksion për këto arsye:
- Sipas nenit 7/1 të K.Penal vepra penale nuk është kryer ne Territorin e Republikës së Shqipërisë.
- Sipas nenit 7/2 të K.Penal, vepra penale është kryer nga shtetasi i huaj dhe nuk është kryer në dëm të interesave të shtetit ose shtetasit shqiptar për ndonjë nga krimet e parashikuara shprehimisht në këtë dispozitë.
- Sipas nenit 7/a, nuk rezulton që i pandehuri të ketë kryer ndonjë nga veprat penale të parashikuara në ketë dispozitë, për të cilat është i zbatueshëm ligji penal shqiptar për shtetasin e huaj që ndodhet në Shqipëri dhe nuk është ekstraduar, kur veprën e ka kryer jashtë shteti.
- Nuk plotësohen as kushtet e parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 7/a të K.Penal për zbatueshmërinë e ligjit shqiptar.