I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, qëndroi të enjten në Beograd një ditë pas vizitës në Prishtinë, gjatë së cilës tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin një nismë franko-gjermane për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa nënvizoi se diplomatët evropianë thonë që kjo është çështje javësh.
Nuk u dhanë hollësi për takimin e sotëm me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, por në një komunikatë të presidencës serbe, zoti Escobar citohet të ketë thënë se “pret që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për të gjitha çështjet e hapura dhe normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve do të vazhdojë në mënyrë dinamike dhe konstruktive”.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha në rrjete sociale se pati një bisedë të rëndësishme për të gjitha zhvillimet aktuale dhe çështjet e hapura në dialogun Beograd-Prishtinë, duke ngulur këmbë për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare.
Zoti Escobar tha të mërkurën në një intervistë me televizionin Kanal 10 se çdo propozim nga shtetet evropiane për dialogun, duhet të trajtohet seriozisht duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara e kanë përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe do ta mirëpresin edhe anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane.
Ndonëse Parisi dhe Berlini nuk kanë folur për nismën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ditë më parë tha se Franca dhe Gjermania kanë paraqitur një dokument me të cilin kërkojnë që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj në shkëmbim të integrimit të përshpejtuar të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se po diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare apo vendimtare.
Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur përplasjet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.
Me 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, ndërsa më 31 tetor përfundon afati për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS, por kjo kundërshtohet nga Beogradi.
Zoti Escobar ka thënë se së bashku me diplomatët evropianë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të zgjasin afatin e konvertimit të targave të makinave për dhjetë muaj dhe tashmë janë në pritje të përgjigjes.
Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Zërin e Amerikës tha se i kupton shqetësimet dhe brengat e zotit Escobar pasi siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, thuhet në përgjigje qeveria ka detyrim ndaj sundimit të ligjit, kushtetutshmërisë dhe vendimeve të saj. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën”, thuhet në përgjigje.
Zoti Escobar bëri thirrje edhe për përmbushjen e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ritheksoi qëndrimin amerikan se ai “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës”.
Një ditë pas deklarimeve të tij mediet lokale publikuan një projekt të statutit të këtij asociacioni duke pretenduar se është hartuar nga ekspertë gjermanë dhe i referohet marrëveshjes së vitit 2013 të arritur në bisedimet Kosovë – Serbi në Bruksel. Ambasada gjermane në Prishtinë nuk foli për këtë projekt, ndërsa qeveria e Kosovës tha se “asociacionet që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet jo-shumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim”. Ndërsa sa i përket dokumentit të botuar në media, “përveçse draft, është pa autor. Në anën tjetër ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje të cilat i mbrojmë dhe respektojmë”, thuhet në një reagim të qeverisë.
Asociacioni është pjesa më e diskutueshme në bisedime. Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 me mbështetjen e fuqive kryesore perëndimore, por të dyja palët janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve./TCH