Në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 Qershorit, shërbimet inteligjente të disa shteteve partnere në NATO, sinjalizuan autoritetet më të larta të vendit tonë mbi disa negociata të dyshimta ndërmjet GAZPROM-it rus dhe kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol me mbështetjen e Ministrisë së Energjisë.Historia nis në verën e vitit 2016, kur kompania ‘JURIMEX’ në pronësi të biznesmenit rus Robert Nowikovsky, kërkoi të merrte me koncension disa blloqe naftëmbajtëse në jug të vendit.
Pas një korrespondence disa mujore me rusët, drejtori i Albpetrol-it Endri Puka, në dhjetor 2016 i kërkoi ministrit Gjiknuri që të niste negociatat zyrtare me kompaninë JURIMEX për arritjen e një marrëveshje koncensionare.
Hashtag.al ka siguruar të plotë shkresën që drejtori Endri Puka i dërgoi Ministrit Gjiknuri dhe ish-kreut të AKBN-së.
Për katër muaj me radhë ministri Gjiknuri nuk e adresoi kërkesën e Endri Pukës, vartësit të tij besnik.
Deri kur, në Prill-2017 ish-drejtori i AKBN-së Viktor Tusha ndërhyri zyrtarisht dhe nëpërmjet një shkrese i kërkonte Albpetrol-it dhe Ministrisë së Energjisë që të verifikonin kompaninë ‘JURIMEX’ dhe biznesmenin rus Nowikovsky pasi marrëveshja me këtë biznesmen mund të cenonte sigurinë kombëtare.
Një muaj pasi Tusha dërgoi shkresën paralajmëruese, ministri Damian Gjiknuri e pezulloi atë nga detyra.
Ky ishte momenti kur disa shërbime inteligjente të vendeve partnere sinjalizuan me shqetësim shërbimet shqiptare si dhe personalitetet më të larta të vendit mbi situatën.
Një burim diplomatik informoi Hashtag.al se sinjali i mbërritur nga shërbimet partnere sugjeronte se ministri Gjiknuri dhe drejtori i Albpetrol-it Endri Puka ishin në favor të realizimit të marrëveshjes koncensionare me rusët, ndërsa Gjiknuri dyshohej se kishte kontaktuar në mënyrë informale jashtë vendit dhe përfaqësues të kompanisë ruse JURIMEX.
Ministria e Energjisë dhe Albpetroli po tentonin të lidhnin marrëveshje zyrtare me një biznesmen rus, emri dhe roli i të cilit njihet si pararoja e interesave të GAZPROM-it në Evropë.
Robert Nowikovsky
Robert Nowikovsky është hebre me origjinë ruse, i cili dyshohet se ka kontrabanduar me Moskën që nga koha e BRSS. Emri i Robert Nowikovsky-it nga kërkimi i hapësirës publike është evident, duke u bazuar në dokumentat e Senatit Amerikan, Komisionit Energjitik të BE dhe mediave prestigjoze ndërkombëtare. Disa media moskovite kanë raportuar se Nowikovsky është person i besuar dhe partner në biznes, i ish-drejtorit të GAZPROMBANK, Andrei Akimov.
Skema e lidhjes së kompanive të Robert Nowikovskyt me GSZPROM-in
Janë disa kompani në pronësi, në përqindje të ndryshme të zotit Robert Nowikovsky, (si psh. Centrex Group, Jurimex Commerce Transit GMBH, CEEGAG, GHGAS, ZAOAB etj), të cilat shërbejnë si urë për marrjen e koncensioneve të ndryshme, në krijimin e shoqërive të caktuara dhe pastaj për blerjen 100% të këtyre aksioneve nga GAZPROM.
Grupi Centrex dhe Robert Nowikovsky është cilësuar në një seance dëgjimore të Senatit Amerikan(2008), drejtuar nga Joe Biden, si grupi kryesor i lëvivzjes së kapitaleve të GAZPROM-it në Evropë.
Në një komunikatë të Komisonit Energjitik të BE-së(2011), përmendet në mënyrë nominale zoti Robert Nowikovsky dhe grupi Centrex, si një nyje përfaqësimi direkt i GAZPROM-it në politikat e energjisë dhe ndërtimin të naftësjellësit Nabucco. Nowikovsky dhe rrjeti i kompanive të tij cilësohet në këtë dokument si kërcënim për indipendencën e energjisë të Bashkimit Europian. / Hashtag.al