Biseda e bërë në polici mes dy vëllezërve, Ermir e Miklar Tola, pas arrestimit të këtij të fundit, ka zbuluar pjesëtarët e tjerë të grupit kriminal që morën pjesë në atentatin e përgatitur ndaj aktorit Mishel Prela. Përgjimi u krye me urdhër të prokurorit të çështjes. Në përgjimin e bisedave ambjentale midis Miklarit, i cili thirret ndryshe edhe me emrin “Koli” dhe vëllait të tij, Ermirit, zbulohet personi që kishte marrë përsipër vrasjen e 31-vjeçarit. Miklari i thotë të vëllait se paratë nuk kishin shkuar në shtëpi dhe se ai duhet të gjente e të takonte Xenin (Shkëlzenin) që t’ja dërgonte dhe t’i gjente avokatin më të mirë për ta nxjerrë nga biruca, ose në të kundërt do të tregonte gjithçka që dinte, pasi sipas tij, ai nuk kishte bërë gjë me dorën e vet.
Miklar Tola, i pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit po zhvillohen hetimet, ka deklaruar se njihej me shtetasit Ervin Zallumi dhe Shkelzen Buci. Ai ka treguar se rreth një muaj e gjysmë më parë e ka takuar Shkëlzenin dhe ky i fundit i kishte thënë se Ervin Zallumi i kishte ofruar shumën e 50 mujë eurove në dorë që të vriste Prelën dhe pas realizimit do t’i jepte edhe 30 mijë euro të tjera. Po ashtu, Ervini është shprehur se nëse do të kishte problem dhe do të zbulohej vrasja, ai do ta ndihmonte. Miklari ka treguar më tej se Shkëlzeni i kishte kërkuar ndihmë për vrasjen dhe të mbante nën vëzhgim Mishelin, dhe si shpërblim do të merrte 25 mijë euro pasi të realizohej vrasja. Shkëlzeni i kishte dhënë Miklarit një aparat Nokia me të cilin do të bisedonin vetëm me sms. Sipas tij, ditën e ngjarjes kishte shkuar me makinën e bashkëshortes së tij përballë gjimnazit “Partizani” dhe kishte parë Shkëlzenin në trotuar. Pasi i ka folur, Shkëlzeni kishte hipur në makinë dhe teksa po bisedonin, aty kishte kaluar Misheli me biçikletë. Të dy kanë zbritur nga makina dhe Shkëlzeni i ka folur “O Mishel” dhe më pas Miklari ka dëgjuar disa krisma. Nga frika, ai ka thënë se ka ikur me vrap drejt sheshit “Avni Rustemi” dhe makinën e kishte e kishte lënë atje. Ai ka rrëfyer se i ka dërguar sms Shkëlzenit, por duke qenë se ky nuk i kishte kthyer përgjigjie e kishte thyer kartën e telefonit. Pasi kishte qëndruar tek stacioni i autobusit, ka shkuar Shkëlzeni pas 5 minutash me një taksi dhe i ka bërë shenjë që të shkonte edhe ai. Kanë shkuar deri tek shkolla “Bajram Curri” dhe kanë zbritur. Shkëlzeni i ka dhënë 50 mijë lekë të vjetra dhe është larguar për në banesë, ndërsa Miklari ka pirë një kafe, ka marrë ilaçet e bashkëshortes dhe me një taksi ka shkuar në banesën e tij. Miklari ka rrëfyer edhe për telefonin që kishte komunikuar dhe që i kishte thyer kartën e kishte lënë në xhepin e derës nga krahu i djathtë në taksinë që kishte marrë pas ngjarjes dhe se taksistin e njihte Shkëlzeni. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë dosjen e plotë të përgjimeve të bëra nga organi i akuzës.
Ermir Tola: Garancia që më dha Shkëlzeni për vëllain
Ermir Tola ka rrëfyer për hetuesit e çështjes takimin që kishte zhvilluar me Shkëlzenin, pasi kishte biseduar me të vëllain, Miklarin. Ai ka deklaruar se në datën 21.07.2017, rreth orës 16:30, i ka çuar një SMS shtetasit Shkëlzen Buci, me të cilin kishte lënë takim te Medreseja. Pasi ishte takuar me të, ai i ka thënë Shkëlzenit se vëllai i tij ishte futur në birucë për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë dhe e ka pyetur se çfarë kishte ndodhur, pasi vëllai i tij nuk i kishte treguar gjë, por Shkëlzeni i ishte përgjigjur se “nuk ka gjë”. Ai ka rrëfyer më tej, se i ka thënë Shkëlzenit se “më tha vëllai për ato lekët”, por Shkëlzeni i është përgjigjur që nuk është personi që t’i marrë lekët. Pasi e ka pyetur se çfarë do të bëhej me vëllain e tij, Shkëlzeni ka thënë që “lekët do t’i ketë të paguara, shpenzimet do t’i ketë të hequra”. Po ashtu, Ermiri ka deklaruar se gjatë bisedës së zhvilluar me vëllain e tij (Miklarin) në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, Miklari i ka thënë se ndodhej aty për shkak të ngjarjes së ndodhur te gjimnazi “Partizani”, ku ishte plagosur një person, dhe se Miklari i kishte kërkuar të shkonte të takonte Shkëlzenin dhe t’i thoshte “Për ato që ishin 25 apo 30 mijë euro”.
GSH.al