Çmimet e larta të energjisë po japin efektet e para negative në ecurinë e aktivitetit të ndërmarrjeve prodhuese, pasi energjia zë deri në 70% të kostove prodhuese. Pas kompanisë “Kurum”, që mbylli përkohësisht prodhimin e çelikut, rrezikohen edhe ndërmarrjet e çimentos. Për shkak të shtrenjtimit të energjisë 7 herë më të lartë se vjet, nga 1 tetori rrezikon falimentimin edhe kompania e përpunimit të qumështit “Erzeni”. Aktorë të tjerë të tregut parashikojnë se nëse bizneset prodhuese të lidhura me tension të mesëm iu rritet çmimi pas 31 dhjetorit, 90% e tyre do të falimentojnë.
Fabrika e përpunimit të qumështit “Erzeni”, e ngritur në fshatin Samaticë të Beratit, nga 1 janari 2022 paguan mesatarisht faturë mujore për energjinë elektrike 10 mln lekë, nga 2 deri në 3 mln lekë vitin e kaluar.
Kompania “Erzeni” është pjesë e grupit prej mbi 90 subjekte të lidhura në tensionin e lartë 35 kilovolt, të cilat, sipas ligjit, prej vitit 2018 e sigurojnë energjinë nga një furnizues privat, duke u shkëputur nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
(Të gjitha çmimet e shprehura të energjisë në këtë shkrim nuk e përfshijnë TVSH). Para vitit 2021, çmimi i energjisë elektrike për këtë kompani ishte 8 lekë për kWh. Më pas, nga 1 korriku 2021, çmimi u rrit 62,5%, duke arritur në 13 lekë. Në 1 janar 2022 çmimi i energjisë u rrit serish, duke arritur në 34 lekë për kWh.
Prej disa ditësh, fabrika është njoftuar nga kompania private e furnizimit të energjisë se tarifa e shërbimit për periudhën 3-mujore, nga 1 tetori 2022 deri më 31 dhjetor 2022, do të jetë 59,5 për kWh.
Krahasuar me vjet, rritja e çmimit është rreth 7 herë më e lartë, ndërsa në raport me çmimin e ndryshuar të muajit janar 2022, rritja është 75%. Konsumi mujor i kompanisë arrin 200,000-250,000 kWh. Me çmimin e ri, fatura mujore për këtë fabrikë do të jetë 17,8 mln lekë (e llogaritur me konsumin 250,000 kWh x 59,5 çmimi i ri i energjisë + 20% TVSH).
Përfaqësuesi i fabrikës, Saimir Begaj, pohon për “Monitor” se rritja e çmimit do të jetë katastrofike dhe rrezikon falimentimin për kompaninë, në një kohë kur sektori prej muajsh vuan shtimin e kostove nga shtrenjtimi i qumështit të fermerit, të naftës për transport, të dyfishimit të plastikës dhe qelqit.
Në këtë situatë, z. Begaj thotë se është e nevojshme të merren masa me qëllim që kompania të mos diskriminohet, por të përcaktohet çmim i njëjtë, si për kompanitë e tjera përpunuese të qumështit. Në vitin 2018, kur nisi procesi i liberalizimit të tregut, për shkak të linjave të amortizuara të transmetimit të energjisë në një terren malor të Beratit, drejtuesit e fabrikës “Erzeni” u përballën me pamundësinë për të vënë në punë makineritë e teknologjisë moderne.
Kjo i detyroi ata të kalonin si subjekt i lidhur në tensionin e lartë 35 kilovolt, për të garantuar furnizimin e sigurt me energji. Z. Begaj shton se prej 4 vitesh në treg të lirë, procesi i liberalizimit ka pasur edhe anë pozitive, sepse humbjet e energjisë janë më të ulëta, por favorizimi nga ky proces është 2 deri në 3%, sipas tij, pasi gropa e humbjeve është e madhe, duke qenë në kushte jo të barabarta me kompanitë e tjera që furnizohen me çmime preferenciale.
Ekspertë të sektorit pohojnë se bizneset përpunuese të produkteve ushqimore nuk mund të përballojnë rritje çmimi më të lartë se 20% dhe nëse qeveria nuk merr masa për amortizimin e shtrenjtimit të çmimit, fabrikat përpunuese do të falimentojnë zinxhir.
Nikolla Tone, përfaqësuesi i kompanisë së përpunimit të mishit “Tone”, njëkohësisht dhe njohës i industrisë përpunuese ushqimore në Shqipëri, thotë se një kompani me rritje të çmimit 7 herë më shumë rrezikon falimentimin.
“Çfarëdo që të prodhojë një kompani shqiptare, edhe sikur flori të jetë, me këtë çmim energjie, kostoja e prodhimit është tërësisht e papërballueshme. Fundi në këtë rast dihet si do të jetë. Mendoj se shteti duhet të ndërhyjë, duke mos i penalizuar kompanitë e industrisë ushqimore të lidhura me tension të lartë, pra t’i përfshijë për një periudhë të caktuar në çmimet preferenciale, siç po ndodh me bizneset e lidhura në TM”, thotë ai.
Tone thekson se për industrinë e përpunimit të produkteve ushqimore pjesën më të lartë të kostos së prodhimit e zënë lëndët djegëse, si: energjia, gazi dhe karburanti. Fabrika e përpunimit të mishit “Tone” është e lidhur në TM (tensionin e mesëm) prej 20 kilovolt. Çmimi i energjisë për këto kompani është 21 lekë (pa TVSH) nga 8,9 lekë që ishte më parë.
Më herët, Nikolla Tone pohoi se nga rritja e çmimit nga 1 janari 2022 vlera e faturës së energjisë në kompaninë e tij nga 3,2 mln/muaj shkoi në 5,3 mln lekë/muaj, kur 25-40% e konsumit të energjisë për këtë vit është mbuluar nga pasqyrat foltaike (në varësi të kushteve atmosferike).
Në mbrojte të bizneseve nga rritja e çmimeve të energjisë, ERE miratoi çmime preferenciale për 7,740 biznese të lidhur me TM 20, 10 dhe 6 kilovat, që për herë të parë dolën në tregun e lirë nga 1 janari 2022. Fillimisht u përcaktua që këto biznese do të mbrohen deri në qershor 2022 nga rritja e çmimeve, pas këtij afati, situata do të rivlerësohej duke e shtyrë edhe me 6 muaj deri më 31 dhjetor 2022.
Aktorë të tregut thonë se, nëse bizneseve prodhuese të lidhura me tension të mesëm iu rritet çmimi pas 31 dhjetorit 2022, 90% e tyre do të falimentojnë.
Bizneset e tjera që kanë dalë më herët në tregun e lirë po vazhdojnë të furnizohen me çmimet reale që rezultojnë nga ankandet, të cilat janë dukshëm më të larta. Vitin e kaluar, nëntori 2021 rezultoi muaji me tarifat më të shtrenjta, me një tarifë 38.7 lekë/kwh, ndërkohë që në dhjetor pati një ulje të lehtë të çmimit, duke u stabilizuar në 31.7 lekë. Për këtë vit, muajt më të shtrenjtë rezultojnë tetor-nëntor-dhjetor, kur çmimi do të arrijë 59,5 lekë.
Sektori i përpunimit të qumështit dhe ai i mishit po vuajnë edhe kostot e shtrenjtuara të lëndëve të para. Fabrikat e qumështit po përballen prej muajsh me çmime 40 deri në 50% më të larta të furnizimit të qumështit nga fermeri, për shkak të katërfishimit të çmimit të plehrave kimike dhe lëndës ushqyese të kafshëve, të dyfishimit të plastikës dhe shtrenjtimit të karburantit.
Përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, Saimir Begaj, thotë se në këtë situatë, është e domosdoshme të ndërhyhet me uljen e TVSH të shitjes te produktet ushqimore nga 20 në 6%. Në ndihmë të sektorit, përpunuesit kërkojnë edhe më shumë subvencione për fermerin. Aktualisht, skema kombëtare për blegtorinë, mbështet fermerin me subvencione për krerë bagëtie.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës paraqitet me rënie 7,4%, krahasuar me 2020, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhisë ka shënuar rritje përkatësisht me 26,3% dhe 8%.
Ndërsa importet e qumështit në vitin 2021 shfaqen me rritje, rreth 43% më shumë se në vitin 2020. 56% të totalit të qumështit me jashtë e zënë importet nga Italia, 16% e qumështit vjen nga Serbia, 14% nga Bosnjë-Hercegovina dhe pjesa tjetër nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe shtete të tjera të Europës. Në vitin 2021, rritja më e lartë e importeve të qumështit ishte nga Serbia 71% më shumë se në 2020-n.
Çmimi i energjisë shtrenjton koston e prodhimit të çimentos; Kërkesat e industrisë
Që nga prodhuesit e produkteve ushqimore e deri te prodhuesit e klorit, çimentos dhe çelikut, rritja e çmimit të energjisë po i kthen në gati të papërballueshme kostot prodhuese. Vështirësitë janë edhe më të larta për prodhuesit e mëdhenj të materialeve të ndërtimit, që domosdoshmërisht në procesin e prodhimit shpenzojnë energji dhe lëndë të tjera djegëse, në sasi shumë të larta.
Bizneset e para në tregun e lirë nuk dolën në vitin 2018. Në fakt, hapja e tregut nisi në vitin 2011, kur konsumatorët e lidhur në tensionin e lartë 220 Kv u nxorën nga sistemi dhe iu kërkua që ta siguronin vetë energjinë. Në atë kohë ishin kryesisht kompanitë e çimentos dhe “Kurumi”, të cilat ishin të lidhura në këtë nivel tensioni, të cilat do të kalonin fazën e tranzicionit.
Sot, pas 11 vitesh, kur këto biznese kanë kapërcyer vështirësitë me mënyrën e funksionimit të tregut të liberalizuar të furnizimit të energjisë, janë mjaft të ekspozuara nga rritja e lartë e çmimit, për shkak të konsumit të lartë. Përfaqësues të kompanisë “Antea Cement” thanë për “Monitor” se rritja e çmimit të energjisë në koston e prodhimit të çimentos është sa direkte, aq edhe e konsiderueshme, duke shkaktuar rritje të ndjeshme.
“Çmimi i energjisë elektrike, nëse do ta krahasojmë me gushtin 2021, për muajin gusht të këtij viti është rritur 315%. Ndërsa kostoja e prodhimit të çimentos është rritur 200%, e ndikuar edhe nga rritja e çmimeve të lëndëve të tjera të para. Nëse kjo krizë do të vazhdojë dhe rritjet e pritshme gjatë muajve të dimrit do të materializohen, rreziku është i konsiderueshëm”, pohojnë përfaqësuesit e kompanisë së çimentos.
Në këtë periudhë, kur ka një tendencë globale të rritjeve të çmimeve për lëndët e para, prodhuesit e çimentos rekomandojnë për qeverinë marrjen e disa masave, pa karakter fiskal, të cilat kanë rezultuar me sukses në rast zbatimi të situatave emergjente.
“Lëndët djegëse konvencionale, sikundër dhe lëndët e para të përftuara nga procese ku përdoren lëndë djegëse konvencionale, vijnë gjithashtu me një kosto të shtuar në zinxhirin e prodhimit të çimentos. Thënë këtë, masat e propozuara do të ishin ato të ndërmarra nga vendet fqinje e aq më shumë nga vende ku, importi i çimentos, konkurron me çimenton vendase apo edhe e kundërta, ku çimentoja vendase synon të eksportohet, të cilat kanë aplikuar skema subvencionimi për përballimin e krizës energjetike.
Duke mirëkuptuar nga ana tjetër se koha është e tillë, që ndërhyrje të karakterit fiskal, me qëllim lehtësimin e barrës në koston e prodhimit janë gati të pamundura, për shkak të nevojave të shtetit për të ruajtur nivelin e të ardhurave të pandryshueshëm, propozojmë mundësimin nga qeveria të zgjidhjeve pa kosto për buxhetin e shtetit nga njëra anë, por që kanë provuar të jenë të efektshme për sa i takon përballimit të situatës nga ana tjetër.
Konkretisht propozojmë: 1 – Mundësimin e importimit të lëndëve djegëse alternative (RDF/SRF-mbetje të djegshme), konkretisht sipas kodit 19 12 10 sikurse dhe importimin e Hirit Fluturues (coal fly ash) sipas kodit 10 01 02, përmes amendimit të Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve. 2 – Thjeshtëzimin e procedurave për aplikim dhe licencim të subjekteve industriale, për zbatimin e impianteve fotovoltaike për gjenerimin e energjisë, me qëllim prodhimin për nevoja vetjake përmes amendimit të ligjeve përkatëse dhe akteve ligjore zbatuese”.
Çmimi i energjisë i papërballueshëm, edhe për “Kurum”. Mbyllet përkohësisht prodhimi i çelikut
“Kurum”, kompania e tretë më e madhe në vend nga të ardhurat, pas OSHHE-së dhe “Kastrati Group”, si dhe eksportuesi më i madh, që nga fillimi i gushtit, ka mbyllur përkohësisht fabrikën e çelikut dhe të petëzimit. Fabrika e petëzimit do të fillojë më 1 tetor. Ndërsa fabrika e çelikut do të rifillojë nëse bien çmimet e energjisë, ose çmimi i hekurit rritet mbi 1,100-1,200 euro, nga rreth 700 euro që është sot.
Arif Shkalla, drejtor ekonomik i “Kurum”, tha më herët për “Monitor” se arsyeja kryesore lidhet me çmimin e shtrenjtë të energjisë, pasi nuk mund të prodhohet çeliku, kur energjia ka arritur 750 euro MWH dhe një ton çelik shitet 700 euro.
Sipas tij, me çmimet e hekurit që janë rreth 700 euro, duhet që energjia të zbresë në 200-250 euro/KWH që fabrika të jetë në eficiencë. Z. Shkalla thotë se, që të prodhosh 1 ton hekur duhen mesatarisht në total 730-750 kilovat. “Pra nëse çmimi arriti 870 euro në gusht, kosto direkte e energjisë është 652 euro për ton, kur hekuri final si produkt në bursë ka qenë 650-680 euro në këtë muaj.
Për momentin, kompania po importon hekur ose lingota që të punojë në fabrikën e petëzimit. Z. Shkalla thotë se e njëjta situatë është dhe në Europë, ku po mbyllen shumë fabrika. Prodhuesi i dytë më i madh i çelikut në botë, “Arcelor Mittal”, njoftoi se ka mbyllur një fabrikë në Europë, për shkak të shtrenjtimit të gazit dhe energjisë.
“Kurum” ka në pronësi dhe HEC-et në Bistricë dhe Ulzë. Dy HEC-et në Bistricë janë në punë, ndërsa Ulza nuk po punon, për shkak se nuk ka ujë dhe priten shirat. Për momentin, “Kurum” po importon dhe tregton dhe vetëm njëra fabrikë është e hapur.
Z. Shkalla tha se eksportet kanë vijuar, por nuk krahasohen me nivelet e vitit të kaluar. Ndërsa në shtator nuk pritet të ketë eksporte dhe shpresa është që të rifillojë aktiviteti në tetor. Z. Shkalla thotë se kërkesa për hekur ka rënë, ndërsa dhe Kosova po e siguron hekurin nga tregje të tjera dhe po importon direkt përmes Portit të Durrësit.
Drejtori ekonomik i “Kurum” thotë se Turqia po konkurron me çmimin e hekurit, pasi kompanitë atje vijojnë që ta marrin energjinë lirë nga shteti. “Në Turqi, shteti ua jep fabrikave ende gazin për prodhim energjie me 140 USD MWH, duke u bërë konkurrentë të fortë në Europë.
Në vitin 2021, të ardhurat e “Kurum” arritën në 42 miliardë lekë, sipas bilancit zyrtar, pothuajse dyfishim në raport me vitin e kaluar, teksa kompania e mori veten nga pandemia dhe kërkesa u rrit në Europë.
Z. Shkalla thotë se pavarësisht mbylljes së fabrikës së çelikut, “Kurum” i ka të garantuara të ardhurat nga energjia dhe si rrjedhojë nuk do të ketë probleme likuiditeti për pagesat dhe këstet e bankave, por e mira është që të punojnë të gjitha fabrikat. Fabrikat e mbyllura zënë 75% të xhiros së kompanisë, por gjithsesi, rritja e çmimit të energjisë favorizon HEC-et. Këto të fundit sjellin rreth 20% të fitimeve.
“Kurum” ka të punësuar rreth 750 punonjës, përfshirë edhe ata që punojnë në HEC-e. Ndërsa pa përfshirë punonjësit në HEC-e, numri i të punësuarve është 670, nga të cilët 100 janë në administratë, shitje, staf inxhinierik.
Z. Shkalla thotë se ata po vazhdojnë të mbahen në punë, me leje me pagesë. Një pjesë e punonjësve po punojnë në mirëmbajtje dhe përpunim skrapi. “Gati gjysma fillojnë më 1 tetor dhe pjesa e mbetur do të jenë me 60% në marrëveshje me sindikatën për tre muaj”, thotë Shkalla.
Kompanitë e mëdha, të lidhura në tension të lartë, ishin të parat që dolën në tregun e lirë të energjisë, dhe që prej vitit 2011 e blejnë vetë energjinë, pjesë e të cilave është dhe “Kurum”. Ishin gjithsej 7 kompani, që përbënin 8.4% të konsumit kombëtar.
Shtrenjtohen kostot edhe për prodhuesit e klorit dhe ujit të pijshëm
Për prodhimin e klorit në një nga fabrikat në vend, rreth 70% të kostos së prodhimit e zënë shpenzimet e energjisë elektrike. Administratori i fabrikës së prodhimit të klorit në Korçë, “2 AT”, Romi Koca, tha për “Monitor” se nga rritja e çmimit të energjisë dhe shtrenjtimi i lëndëve të para kimike për prodhimin e klorit, kostoja prodhuese është shtuar 100% më shumë se vjet.
Kompania është e lidhur në tension të mesëm dhe prej janarit të 2022 e paguan 18 lekë për kWh çmimin e energjisë nga 8 deri në 9 lekë vitin e kaluar. Administratori i “2 AT” pohon se për shkak të shtimit të kostove ka shtrenjtuar 100% çmimet e shitjes së produkteve. Sipas tij, rritja e çmimeve nuk ka ndikuar te kërkesa.
Me përfundimin e kontratës për furnizimin me energji në muajin mars parashikohet të ketë rritje të çmimit të energjisë edhe për një nga fabrikat më të mëdha të ambalazhimit të ujit të pijshëm në vend, e lidhur me tensionin 35 kilovolt.
Aktualisht kompania e paguan çmimin e energjisë në tarifën e 36 lekë nga 8 lekë që e paguante më parë. Përveç shtrenjtimit të energjisë, prodhuesit e ujit po vuajnë edhe shtimin e kostove të lëndëve të para. Kompanitë pohuan se krahasuar me vjet, çmimi i plastikës, etiketave dhe tapave është dyfishuar, ndërsa shtrenjtimi i naftës po rrit koston e transportit për shpërndarjen e ujit.
Rritja e kostove të prodhimit te pijet alkoolike
Rritja e çmimit të energjisë dhe kostoja e lartë nga lëndët e para të importit janë shqetësuese edhe për prodhuesit e pijeve alkoolike. Në kantinën më të madhe të prodhimit të pijeve alkoolike në vend, kostoja më e lartë mbetet nga shtrenjtimi i çmimit të energjisë dhe naftës.
“Prej dy vjetësh, kostot e prodhimit kanë shënuar tendencë të fortë rritëse, të ndikuara veçanërisht nga çmimi i energjisë, nafta dhe materialet e ambalazhimit, siç janë shishet e qelqit, tapat dhe etiketat. Çmimi i energjisë ka arritur 33 lekë, nga 12 lekë, gati 3 herë më i lartë”, pohon drejtori i kantinës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Denis Zhilla.
Edhe Klejsi Asllani, administratori i kantinës së pijeve “Asllani” në Shkozet, ngre shqetësimin se aktiviteti i tij është prekur nga rritja e kostove. Rritje e lartë është shënuar tek ambalazhimi i shisheve të qelqit, tapat, etiketat dhe karburanti.
“Këtë vit, kostot e prodhimit janë rritur 50% më shumë krahasuar me vjet. Nëse vjet, një shishe qelqi për konjakun e blinim 55 lekë me TVSH, çmimi këtë vit ka arritur në 100 lekë me TVSH (81% rritje), tapat e shisheve nga 20 lekë copa, këtë vit kushtojnë 35 lekë (rritja 75%), ndërsa çmimi i etiketave të pijeve është dyfishuar nga 20 lekë në 40 lekë copa.
Shtrenjtimi i lartë i çmimit të karburanteve po dëmton shumë biznesin, pasi ka rritur kostot e transportit të produkteve. Me këto kosto të larta dhe me mungesën e mbështetjes nga shteti, aktualisht këtë vit po punojmë pa marzhe fitimi, por jemi të detyruar të vijojmë aktivitetin për shkak të detyrimeve financiare”.
Një sfidë financiare për bizneset që operojnë në industrinë e pijeve për shumë vite ka qenë norma e akcizës. Përfaqësuesi i kantinës “Asllani” në Shkozet shton se te kostot e shtuara të prodhimet ka ndikuar edhe akciza e lartë.
Prodhuesit kërkojnë të rivlerësohet norma e TVSH-së, pasi taksat për pijet alkoolike janë të larta. “Nëse para 5 vitesh, për 1 shishe konjak të prodhuar në vend paguanim 155 lekë akcizë, këtë vit paguajmë 185 lekë. Akciza e alkoolit ka shënuar rritje çdo vit. Të paktën të rishikohet niveli i TVSH-së, pasi mbetet shumë i lartë”, pohon ai.
Në periudhën janar-korrik 2022, sipas të dhënave të Doganave, prodhimi vendas i pijeve alkoolike u rrit rreth 9% më shumë krahasuar me vjet. Në bazë vjetore, rritja e prodhimit në vitin 2021 ishte 43,5% më shumë se në 2020.
/MONITOR