Nga Boldnews.al
Mediat pranë qeverisë, publikuan sot një foto të ish kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha me kryetarin e LIBRA, Ben Blushi. Ky manipulim i sponsorizuar edhe nga qarqe kriminale, ka patur si qëllim denigrimin e figurës së Blushit si dhe lëvizjes politike LIBRA, përgjatë fushatës zgjedhore.
Boldnews.al ka arritur të zbulojë kurthin e ngritur ndaj Blushit teksa po zhvillonte takime derë më derë në qytetin bregdetar të Durrësit. Ish kreu i bandës së Durrësit Lul Berisha, i shoqëruar edhe nga dy persona të tjerë, ka qënë në ndjekje të Blushit për disa minuta.
Deputeti i LIBRA ka bërë sot mbi 10 kilometra ecje në këmbë, ku përgjatë takimeve me banorë të ndryshëm ai ka shkrepur edhe fotografi. Në një moment, kur disa qytetarë janë mbledhur për t’i kërkuar një foto, Lul Berisha bashkë me dy miqtë e tij janë afruar për të shfrytëzuar momentin. Një prej miqëve të Berishës është pozicionuar pas anëtares së LIBRA që po shkrepte foto, ndërsa vetë ish kapo banda e Durrësit i cili kishte vënë syze, bashkë me mikun e tij kanë rrethuar me shpejtësi Blushin.
Në atë moment, miku tjetër i Berishës, i cili ishte i pozicionuar pas aparatit fotografik që përdorte LIBRA, ka bërë foton e kurthit me një smartphone. Pa mbërritur ende Blushi në Tiranë, kjo foto është shpërndarë me shpejtësi në mediat pranë qeverisë, lexo.al, një portal ky i sponsorizuar nga Endri Fuga dhe që kontrollohet nga Mero Baze.
Ky kurth i ulët i mediave të qeverisë në bashkëpunim me strukturat e errëta kriminale, vërteton zërat se kjo qeveri është e kapur nga mafia dhe kriminelët rilindas. Të tentosh për të bërë pis një deputet që ka denoncuar çdo kriminel dhe çdo të fortë me emër, kjo mund të jetë një tentativë e dështuar e Vangjush Dakos dhe shokut të tij që liroi nga burgu, Lulzim Berishës.
Ben Blushi ka të regjistruara me dhjetra fjalime në parlament ku e godet lirimin e Lul Berishës me kërkesë të Vangjush Dakos, godet Mark Frrokun, Arben Ndokën, Artur Bushin, Elvis Rroshin, Armando Prengën dhe shumë rilindas të tjerë me të kaluar kriminale.
“Amerikanët thonë se Gjushi i ka premtuar Gjykatës të punësojë Lul Berishën në Bashkinë e Durrësit. E kanë gabim. Lul Berisha e ka punësuar Gjushin ne Bashkinë e Durrësit. Pra ky i fundit e ka plotësuar Formularin e Punës që ndryshe njihet si Formulari i Rilindjes. Para Gjushit të njëjtin Formular e ka plotësuar Elvis Roshi, Arben Ndoka, Mark Frroku, Klement Balili dhe shumë shokë të tjerë të Edi Ramës që janë ende në parlament. Ja pra pse nuk bëhet Vetingu për gjyqtarët: që të lirohen të gjithë nga burgu. Kush do të kuptojë pse s’na pranojnë në Europë të lexojë Formularin e Rilindjes!”–shkruan Blushi pak kohë më parë.
Kjo foto “kurth” tregon gjithashtu se Partia Socialiste është drejt degradimit total, ku përdorimi i kriminelëve në fushatë duket se është një nevojë e pashmangshme për “rilindjen” dhe kryetarin e saj Edi Rama. Kjo tregon gjithashtu se rilindja e Ramës dhe e Gjushit i ka të gatshëm të gjithë të fortët për t’i përdorur për fushatë.
Dhe për të vërtetuar se kjo ishte një kurth i sponsorizuar nga “Rilindja” dhe bota e krimit, gjithëkush mund të ngrejë dyshimet dhe të pyesë sesi ka mbërritur kjo foto në duart e Mero Bazes dhe portaleve që ai kontrollon.
Më poshtë: Foto e shkrepur nga miku i Lul Berishës
Më poshtë: Fotot rastësore të shkrepura nga fotografja e LIBRA