Presidenca e BE-së ka bërë thirrje për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krimet e luftës pasi u gjetën varre të reja masive në Ukrainë.
“Në shekullin e 21-të, sulme të tilla kundër popullatës civile janë të paimagjinueshme dhe të neveritshme”, tha Jan Lipavsky, ministër i jashtëm i Republikës Çeke, e cila mban presidencën e radhës të BE-së.
“Nuk duhet ta anashkalojmë. Ne qëndrojmë për dënimin e të gjithë kriminelëve të luftës”, shtoi ai në një mesazh në Twitter, transmeton Telegrafi.
“Unë bëj thirrje për krijimin e shpejtë të një gjykate të posaçme ndërkombëtare që do të ndjekë penalisht krimin e agresionit”.
Apeli vjen pas zbulimit nga autoritetet ukrainase të rreth 450 varreve jashtë qytetit të ish-uzurpuar nga Rusia të Izium, ku shumica e trupave të zhvarrosur tregojnë shenja torture.
“Ndër trupat që u zhvarrosën sot, 99 për qind treguan shenja të vdekjes së dhunshme”, tha në mediat sociale Oleg Synegubov, kreu i administratës rajonale të Kharkiv.
“Ka disa trupa me duar të lidhura pas shpine, dhe një person është varrosur me një litar rreth qafës”, shtoi ai.