Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi dënimin me 10. 8 muaj burg për Bashkim Murataj i akuzuar për tentativën e trafikimit të 1 ton drogë nga Shqipëria drejt Turqisë në vitin 2019.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi, Engert Pëllumbi dhe Lutfije Celami, vendosi sot lënien në fuqi të vendimit të datës 22.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Murataj u arrestua më 11 gusht 2021 për akuzën e trafikimit të një ngarkese prej një ton drogë, si pjesë e një grupi kriminal.
57-vjeçari ishte i shpallur në kërkim, pasi në dhjetor 2019-es i ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për trafik lëndësh narkotike.
Sipas hetimece, ai ishte i implikuar në ngjarjen e datës 13 dhjetor 2019, në pikën kufitare Kapshticë, ku gjatë kontrollit në një automjet u gjetën dhe u sekuestruan 1072.4 kg lëndë narkotike kanabis.
Lënda narkotike është gjetur në dy kamionët e bllokuar në pikën kufitare ku u arrestuan në flagrancë në atë kohë drejtuesit e mjeteve Zija Hidri e Ardian Sako.
Lënda narkotike ishte e ndarë në 103 thasë me krunde, të fshehura në dy kamionët që udhëtonin drejt Greqisë, ndërsa si destinacion final kishin Turqinë.
Pas kësaj ngjarje, i vetmi që kishte mbetur në arrati ishte Bashkim Murataj i cili akuzohet për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në “Grup të strukturuar kriminal”.
Tre persona të tjetë, Gentian Ramadani, Andrea (Renato) Muça dhe Mariglen Sako, akuzohen për trafik droge e moskallëzim krimi në lidhje me këtë çështje.














