Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi ka publikuar një dokument këtë të Shtunë duke ngritur dyshime mbi lidhjen e Ben Blushit me aferën e inceneratorëve.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Malltezi tregoi një dokument të noterizuar, që i jep autorizim për përdorim 1-vjeçar të një automjeti tip “Range Rover”, bashkëshortes së ish-drejtorit të Top Channel. Mjeti në fjalë me targë “AA313TU”, sipas dokumentit, është në pronësi të shoqërisë së inceneratorëve “Albtek Energy” sh.p.k, tashmë nën sekuestro preventive, me administratore Stela Gugalljan.
“Mjetin e mëspipërm j’a jap për ta përdorur brenda dhe jashte territorit te Republikes së Shqiperise Znj. Eva Blushi … për një periudhë 12 muaj duke filluar që nga data 16.05.2019”, deklarohet në autorizimin e firmosur nga Stella Gugallja, e shpallur në kërkim për dosjen e inceneratorëve.
Malltezi: Range Rover-i, kali i bardhë për Blushët nga banda e inceneratorëve
Në deklaratën nga selua blu, Malltezi u shpreh se automjeti ka qenë kali i bardhë në pajën që Blushët kanë marrë nga banda e inceneratorëve, në këmbim të heshtjes mediatike për aferën.
“Sot do t’ju dëshmojmë me dokumenta të cilat provojnë, në mënyrë të padiskutueshme se, në aferën e inceneratorëve, është përfshirë, përdorur dhe blerë, media dhe drejtues të saj. Kjo është arsyeja se pse mediat, nga më të voglat deri te më të mëdhatë, kanë heshtur kur është folur nga opozita për inceneratorët, nuk kanë organizuar debate ose panele, për këtë vjedhje të shekullit, që kap 430 milionë euro. Në këtë shumë stratosferike ka patur thela, jo të vogla, po të gjykosh nga heshtja për drejtorë të mëdhenj, me libra apo pa shkollë, të cilët janë kavërdisur në tiganin plot të vjedhjes qeveritare. Jo vetëm drejtorët, por edhe gratë e tyre, të cilat kanë udhëtuar si zonja në makina luksoze të ofruara pa teklif nga grabitqarët e parave publike”, tha Malltezi.
“Dokumenti që po shfaqim sot dëshmon se si Stella Gugallja, pronare e Albtek energy i ka dhuruar një Range Rover të bardhë, gruas se ish kryetarit të Libra, ish deputetit socialist, dhe ish drejtorit të Top Media, Ben Blushi. Ky ka qenë kali i bardhë në pajën që Blushët kanë marrë nga banda e inceneratorëve. Në vijim do të japim prova të tjera, që e kanë shtyrë Blushin e Ramës që të mbyllë sytë, gojën dhe ekranin e një prej televizioneve më të mëdha në vend”, shtoi.
Më tej, Malltezi drejtoi edhe 5 pyetje: A kanë shkuar paratë publike të shqiptarëve te gazetarët dhe mediat që të mbronin mega-aferën korruptive të inceneratorëve? A ka gazetarë me kontrata, fiktive ose jo, me pronarët e inceneratorëve, përfshirë ata në kërkim ose Edi Ramën? A ka marrë dhurata të tjera Blushi nga bosët e inceneratorëve? A janë në biznes së bashku apo ka qenë një dhuratë ‘shoqërore’? A ka ndikuar kjo dhuratë në trajtimin që media e drejtuar Blushit i ka bërë mafias së plehrave?