Autoritetet malteze arrestuan mesditën e 19 gushtit, një 36-vjeçar shqiptar ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar në 2015 për një vrasje të dyfishtë në ishullin Egjina të Greqisë.
Mediat greke raportojnë se bëhet fjalë për Ledjon Brakaj nga Shqipëria, i cili e kreu krimin e rëndë në moshën 29-vjeçare.
Shtetasi shqiptar me banim në Marsaskala të Maltës, u la në paraburgim më 20 gusht, pasi u soll në gjykatë dhe u akuzua për vrasje të dyfishtë dhe zjarrvënie.
Gjykata malteze ka vendosur masën e paraburgimit për të akuzuarin deri në fillimin e procedurës dëgjimore për ekstradimin e tij në Greqi.
Sipas asaj që është bërë e ditur nga procesi, i akuzuari kishte hyrë për të grabitur një të moshuar dhe nipin e saj, duke i plagosur me grushte dhe më pas i kishte vrarë.
Gjithashtu raportohet se ai dyshohet se i ka mbështjellë disa rroba dhe u ka vënë flakën, ndërsa më pas ka vjedhur sende me vlerë dhe para të gatshme në vlerë totale prej 780.000 euro.
Afati kohor i krimit
Zjarrfikësja e Egjinas është njoftuar për ngjarjen në orën 23:15 të datës 30 nëntor 2015 dhe ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Zjarri është shuar pas 10 deri në 15 minuta. Autori e ka ndezur zjarrin pas orës 22:15.
Autori dyshohet se ka hyrë nga dritarja në shtëpinë e 71-vjeçares fatkeqe Irini Marmarinou dhe më pas ka dhunuar të moshuarën dhe nipin e saj, Lambros.
Në fakt, ai i ka lidhur, i ka torturuar tmerrësisht për t’i treguar se ku janë paratë dhe sendet me vlerë, pasi në zonë qarkullonin fjalët se për shkak të krizës financiare ajo mbante shuma të mëdha parash në shtëpinë e saj.
Më pas ai i mbylli në një nga dhomat e shtëpisë dhe i dogji të gjallë ndoshta në përpjekje për të fshirë gjurmët e tij, por siç edhe po duket nuk ja doli aspak.
Konkretisht, në vendin e krimit u gjet ADN në një kapak që i ishte atribuar autorit të mundshëm.
Në mesin e personave që më pas u morën në pyetje nga Policia për rastin, në ishull kishte edhe disa punëtorë shqiptarë, të gjithë të afërm me të cilët kjo ADN përputhej, por jo plotësisht dhe njëri prej tyre ishte larguar nga ishulli në atë kohë dhe nuk u kthye kurrë.
Siç raporton anikolouli.gr, ai është personi që autoritetet nuk e kishin lokalizuar deri më sot për të kryqëzuar gjurmën gjenetike nëse ishte vërtet e tij, por e dinin që i përkiste kësaj familjeje dhe ndaj tij më në fund u lëshua urdhri i arrestit.
Përfshirja e tij absolute në këtë çështje pritet të konstatohet me ardhjen e tij në Greqi dhe sigurisht të vërtetohet nëse ka pasur bashkëpunëtorë në këtë krim, gjë që konsiderohet thuajse e sigurt.
Në vitin 2015, kreu i Shërbimit Ligjor të Pireut, Ilias Boyokas, kreu autopsitë e trupave të viktimave. Sipas konkluzionit të tij, “sulmuesit i rrahën aq ashpër dy viktimat, sa u shkaktuan fraktura dërrmuese thuajse në të gjithë trupin dhe më pas, ndërsa ata ende merrnin frymë, u vunë flakën”.
Irini Marmarinou, sipas një të afërmi që kishte folur në emisionin e Aggeliki Nikoloulis, nuk pranonte as vizitorë, as punëtorë në shtëpinë e saj.
Gruaja fatkeqe drejtonte një dyqan suveniresh në një vend qendror në portin e Egjinës për vite me radhë, derisa doli në pension.
Gjatë gjithë këtyre viteve ajo kishte kursyer një shumë të konsiderueshme parash, të cilat me siguri i kishte fshehur në shtëpinë e saj, por pa ua treguar të afërmve. Këto para nuk u gjetën.
Siç u raportua në atë kohë, autorët në përpjekje për të gjetur atë që kërkonin, kanë grisur edhe tapiceri nga kolltukët.
Vitrinat me sendet e argjendta dhe një foto me vlerë nuk u prekën fare, gjë që të lë të kuptohet se ata kërkonin diçka specifike.
Sipas të afërmve, askush nuk ka parë asgjë, madje nuk ka pasur as një dëshmi të besueshme që mund të hedhë dritë mbi vrasjen e dyfishtë brutale në atë kohë.
Motra e Lambros dhe mbesa e Irinit kishte treguar në një emision se pak kohë para vrasjes brutale, tezja i kishte treguar në një bisedë mes tyre se po mendonte të investonte kursimet e saj.
Ajo përmendi atëherë se po konsultohej me një person të caktuar të cilin e konsideronte inteligjent dhe që dinte të menaxhonte çështjet financiare.