“Bashkëpunimi midis Italisë dhe Shqipërisë është në një moment kyç. Ura e bashkëpunimit të drejtësisë midis dy vendeve tona do të jetë një digë që do të ndalojë kriminalitetin e përbashkët. Me pak fjalë, mafiet e reja do ta kenë të vështirë të gjejnë terren”. Tonet e konferencës për shtyp janë optimiste. Adriatik Llalla, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë pret në Tiranë Prokurorin Kombëtar Anti-Mafia Franco Roberti. Një takim i gjatë për luftën kundër trafiqeve të drogës dhe armëve, luftën kundër riciklimit mafioz dhe sërish shkëmbime numrash e të dhënash për t‘u thelluar.
“Hetime të rezervuara do të arrijnë shpejt fazën thelbësore”, pëshpëritet në korridoret e Pallatit shqiptar të Drejtësisë, por askush – mes të pranishmëve në konferencën për shtyp – nuk merr mundimin të ngrejë hipoteza mbi interesa të përbashkët investigues. Asnjë pakujdesi, përveç një pyetjeje “tendencioze” për trafikun e paligjshëm të mbetjeve që vijnë nga Italia e hidhen, shpesh ilegalisht, në territorin e gadishullit ballkanik.
“Prokuror, mijëra kontejnerë që vijnë nga porti kalabraz i Gioia Tauro e me destinacion Maqedoninë kanë zbarkuar në Durrës dhe janë zhdukur gjatë rrugës… Duket se mbajnë mbetje urbane dhe industriale. Shqipëria është bërë koshi i plehrave të Evropës?”, pyet një gazetar. Prokurori i gjatë rrotullon sytë dhe ngre shpatullat. Driblon pyetjen, por e bën thjesht për respekt të sekretit mbi proceset në vazhdim e sipër, i cili duhet ruajtur.
Është e vërtetë, Italia dhe Shqipëria por hetojnë për “mbetjet e zhdukura” gjatë rrugës nëpër Ballkan. Dokumentet që zotërojmë dëshmojnë që në vitin 2016, të paktën 1300 kontejnerë, me 22 tonë secili (28.600 tonë gjithsej) dhe zyrtarisht nisur drejt landfillit të Dreslës në Maqedoni, nuk e kanë kaluar kufirin.
Shkarkuar në portin e Durrësit, nga anijet e kompanive të mëdha detare dhe të ngarkuara në Kalabri, në Gioia Tauro, duhej të shkonin në Shkup të Maqedonisë, në landfillin më të madh të Evropës, që sot manaxhohet nga një firmë italiane.
Mbetje urbane që vijnë nga provinca e Napolit, nga Campania, Bari e komunat e këtij territori. Deri edhe nga provinca e Imperias. Por ndoshta edhe mbetje industriale dhe helme të rrezikshme, hipotezë kjo që e bën “biznesin” edhe më shqetësues e të rikthen në kujtesë vitet e errët të helmit të mafieve.
Në Napoli dhe Campania, vendi i shumë bëmave të errëta gjatë viteve të katastrofës më të madhe ambientale, e dinë mirë se për çfarë bëhet fjalë. Dhe prokurori nga Tirana bisedon me një burrë, kolegu plot autoritet, Franco Roberti, që prej ati rajoni vjen dhe që historinë e Kamorrës me “mbetjet e zhdukura” e njeh nga afër pasi ka ndjekur shfrytëzimin e përgjakshëm dhe moçalishten vdekjeprurëse të sipërmarrjes kriminale, e cila te plehrat, në dëm të shëndetit të njerëzve, gjeti një burim fitimesh kolosale.
Në Tiranë numërohen për momentin 1300 kontejnerë “të zhdukur”. Kontejnerë të humbur në vijën e kufirit midis Shqipërisë e Maqedonisë. Me plot kuptimin e fjalës të humbur. Në portin e Durrësit, sipas tabulateve, kanë zbritur gjatë vitit 2016. E konfirmojnë numrat e autoriteteve portuale të Gioia Tauros e Durrësit, të cilët i kemi në zotërim.
“Më 2016, kompanitë e transportit ndërkombëtar kanë dorëzuar 24.816 kontejnerë që vinin nga e gjithë bota dhe tranzit nga porti italian i Gioia Tauros”, lexohet në raportet zyrtare të vitit të kaluar. “Nga këta, 2.604 ishin drejtuar për në Maqedoni”. Por në Qafë Thanë, pika doganore që ndan Shqipërinë me Maqedoninë, këta kontejnerë me 22 tonë secili nuk janë parë të gjithë. Për saktësi kanë kaluar vetëm 1.140. Lista e tranzitit, që e zotërojmë, flet qartë.
Atëherë, ku kanë përfunduar? Kush i ka marrë në dorëzim? I kanë zhdukur në det, siç ndodhte në Kalabri apo nën tokë?
Autoritetet maqedonase, në territorin e të cilëve ishte drejtuar “malli”, kanë hapur prej kohësh hetime. Shumë hipotezojnë që janë futur në tunelet e regjimit komunist, ku Guardia di Finanza italiane dhe funksionarët e Ambasadës Italiane në Shqipëri e Maqedoni kanë gjatë këtyre javëve, në kërkim të “thesarit” toksik e kundërmues.
“Gjurmimi” i përgjegjësisë çon drejt pallatit të pushtetit në Tiranë dhe nxjerr në skenë përgjegjësit e politikës së vendit të shqiponjave.
Qeveria shqiptare, vitin e kaluar, kërkoi me këmbëngulje një korridor “të shpejtë” për miratimin e ligjit të lejonte importin e mbetjeve urbane dhe industriale nga vende evropiane, Italia e para. E përkrahur nga kryeministri Edi Rama, reforma provokoi shumë kundërshtime nga titullarë të disa dikastereve, përfshirë ministrin e mjedisit Lefter Koka, përfaqësues i partisë tjetër në pushtet, LSI, duke shkaktuar një përplasje të hapur midis krerëve të shtetit: Kryeministrit që mbrojti ligjin dhe Presidentit të Republikës e Kryetarit të Parlamentit, që ishin të vendosur për të bllokuar gjithçka.
Shumica e deputetëve u shpreh fillimisht në favor të importit të mbetjeve, pastaj kundër, duke bërë një hap prapa, por nuk ka dyshim që një lob autoritar politikanësh kishte ngritur “kurthin”institucional.
Kundërshtimi i importit të mbetjeve nga Italia është rritur këta muaj edhe brenda qeverisë maqedonase, por ndoshta tepër vonë për të ndaluar konsumimin e një pjese të kapitullit të turpshëm të “mbetjeve të zhdukura”.
Por le të kthehemi pas në kohë për të rindërtuar disa pasazhe të kësaj historie, e gjitha për tú verifikuar nga magjistratura italiane, ajo shqiptare dhe ajo maqedonase.
Është viti 2012. Më 4 shkurt, në Frosinone, me seli në godinën 8 në via Armando Vona, krijohet shoqëria “Flc Ambiente s.r.l.”. 10 mijë euro kapital. Administrator i vetëm Massimiliano Ferrazzoli, një sipërmarrës me origjinë nga Sora. Paketa e aksioneve e kontrolluar 100%, nga shoqëria me emër “Finanziaria Centro Lazio”, e lidhur me firmën e krijuar më 2005 me 600 mijë euro kapital dhe seli në prestigjiozen Piazza del Popolo në Romë. Të jetë e qartë që kjo shoqëri, të paktën për momentin, nuk rezulton sadopak e përfshirë në zhdukjen e mbetjeve në Shqipëri. Por del në pah ekskluzivisht sepse duhej të ishte marrësja legjitime e atyre mbetjeve që ishin nisur për t’u eliminuar në Maqedoni.
“Më 2013”, shkruhet në analet e kompanisë, “shoqëria merr koncesionin për menaxhimin e impiantit të përpunimit të plehrave në Shkup, Maqedoni, e impenjuar në investimin kolosal të 73 milionë eurove për rinovimin e impiantit”. Një investim që tërhiqte vëmendjen, por i domosdoshëm për të hyrë në biznesin e madh të eksportimit të mbetjeve nga Italia në mega-impiantin e Dreslës.
Në broshurat e firmës lexohet: “Projekti përfshin edhe realizimin e një sistemi trajtimi të mbetjeve industriale dhe spitalore”. Flc Ambiente arrin marrëveshjen me Komunën e Shkupit, e pranishme me 20% në shoqërinë e përbashkët të manaxhimit të impiantit.
Flc Ambiente shfaqet më 2013 në tregun italian të mbetjeve të eksportuara. Fiton në Imperia dhe në 67 komuna të Provincias, pastaj në Campania, pra ende – më 2016 – në territorin e Atos në provincën e Barit. Importe të ndryshëm, nga 80 në 160 euro për çdo ton të sistemuar e të nisur nga Italia me destinacion Shkupin. Punët ecin mirë dhe të dhënat e bilancit e dëshmojnë. Më 2014 fitojnë 18 milionë euro faturime, të cilat bëhen 18.5 më 2015.
Ndërkaq, më 2016 (ndoshta edhe më parë) Guardia di Finanza fillon të shfaqet pranë biznesit ndërkufitar të landfillit të Maqedonisë. Eva Netkovska, funksionare e Institutit për Tregtinë e Jashtme në Shkupje, e pyetur për këtë çështje nga një epror i saj, shkruan: “Policia fiskale italiane, së bashku me një funksionar të Ambasadës së Italisë në Maqedoni dhe një koleg të tij nga Ambasada në Tiranë, po kryejnë një hetim për të kuptuar nëse një pjesë e ngarkesës së plehrave është shkarkuar vërtet në Maqedoni”. Dhe shton: Pas shumë takimeve me Sonja Lipitkovan, sekretare e Shtetit për Ambientin; Natasha Krstevskan, drejtore e doganës; dhe kryebashkiakun Shkupit, kanë arritur në përfundimin se ngarkesa nuk ka arritur në Maqedoni, të paktën zyrtarisht…”.
Më pas, duke ngritur vellon mbi motivet e vërtetë të hetimit, shkruan me të zezë mbi të bardhë disa fakte: “Skuadra italiane po heton se ku kanë përfunduar 300 kontejnerë mbetjesh, me 22 tonë secili, që sipas dokumenteve janë pjesë e kontratës prej një mijë kontejnerësh”. Netkovska kujton që qeveria maqedonase, dy herë, më 2016, ka refuzuar autorizimin e importit të mbetjeve nga jashtë, kërkuar edhe nga disa kompani lokale.
Po atëherë, ku kanë përfunduar kontejnerët?
“Hetimi i policisë italiane ka evidentuar mundësinë që mbetjet të jenë futur nëntokë në Shqipëri”, thoë ajo. “Sipas informacioneve tona, Shqipëria rezulton e përfshirë në biznesin e mbetjeve. Në disa rajone fshihen ose digjen. Shpesh, përveç mbetjeve normale, importohen edhe ato të rrezikshme. Sistemimi i jashtëligjshëm bën të qarkullojnë shuma të mëdha parash. Mafia kontrollon trafikun”.
Dhe përfundon: “Rezultatet e arritura nga policia financiare italiane duhet të bëhen patjetër publikë, pasi edhe Italia është akuzuar direkt nga BE për eksportim mbetjesh, edhe të rrezikshme, në shtetet ballkanike”.
Sigurisht që është edhe “tjerrja” e ligjshme e eksportit. Por më 2016 ndodhi diçka e e paparashikuar. Edhe qeveria maqedonase ndaloi hyrjen e kontejnerëve që vinin nga Italia. Dhe po to, biznesi i madh i Dreslës, landfilli më i madh i Evropës, humb fitimet e mëdha.
Dhe pikërisht në këtë nyje të ndërlikuar institucionale futen skuadronet e vdekjes, të helmimit ambiental. Si në Argjentinën e Kolonelëve, mbërritën me shpejtësi, për të pastruar. “Të zhdukurit” nuk kanë emër e mbiemër, por siglën e kutive të çelikta të zbarkuar në Durrës. Të vdekurit në këtë rast do t’i numërojë koha. Koha tragjike e helmeve që shkatërrojnë e vrasin më tepër se armët.
Marrë nga gazeta Roma, gazeta më e vjetër në Itali – Përgatiti SYRI.net”